Prova se tenderi 9-milionësh u kurdis dhe iu përshtat një prodhuesi

Një tender në vlerë 9 milionë euro për furnizim me LapTop dhe pajisje tjera të teknologjisë informative (IT) është anuluar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, pasi i njëjti i ishte përshtatur vetëm një prodhuesi.

AQP-ja ka konstatuar se ishte kufizuar konkurrenca pasi specifikimet teknike të tenderit janë në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik. Gazeta ka mësuar se specifikacionet siç janë hartuar në fillim i ka plotësuar vetëm prodhuesi ‘Lenovo’.

“AK-AQP vendos të ju besoj ekspertëve të IT që specifikat teknike kanë minimzuar konkurrencën e drejtë dhe si pasojë e kësaj të gjithë OE që i plotësojnë specifikat teknike ofrojnë në shumë raste produkt të njëjtë nga i njëjti prodhues dhe për më tepër vetëm një model edhe te atij prodhuesi”, thuhet në vendimin e AQP-së pas shqyrtimit të “kërkesave për rishqyrim” të bëra nga OE bazuar në nenin 108/A të LPP-së

Ky konstatim i AQP-së është bërë pasi disa operatorë ekonomik janë ankuar në vendimin e AQP-së të datës 5 qershor 2019 për anulimin e tenderit që ishte iniciuar në muajin gusht të vitit 2018.

“AQP anulon këtë aktivitet të prokurimit pas konstatimit se specifikimi teknik është në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe si rezultat i kësaj është vendosur sipas Ligjit të Prokurimit Publik që të anulohet ky aktivitet”, thuhet në njoftimin e AQP-së të publikuar në platformën elektronike E-prokurimi më 5 qershor.

Pas anulimit të tenderit nga ana e AQP-së, disa prej operatorëve ekonomik janë ankuar. AQP i ka refuzuar ankesat si të pabazuara dhe e ka vërtetuar njoftimin për anulim të tenderit.

“Vërtetohet njoftimi për anulim i AQP-së dhe AQP vazhdon më tutje me procedurën e prokurimit”, thuhet në njoftimin e AQP-së.

Në argumentimin e vendimit AQP-ja thotë se specifikat teknike garantojnë konkurrencë të drejtë vetëm në njërin prej produkteve të kërkuara që nuk kishte shumë rëndësi, sic është monitori.

“AQP qëndron pas asaj që në këtë aktivitet të prokurimit ka ndodhur gabim në përpilimin e specifikave teknike duke ngushtuar tregun dhe duke diskriminuar brendet me shtrirje globale që njëkohësisht kanë shtrirje të madhe edhe në tregun e Kosovës”, thuhet në vendimin e AQP-së.

Ankesa e një operatori ekonomik është refuzuar, ndërsa ankesat e pesë operatorëve ekonomik të tjerë janë aprovuar si pjesërisht të bazuara.

Pas përgjigjes së marrë nga AQP, operatorët ekonomik kanë deponuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Kush i përgatiti specifikat e kundërligjshme?

Gazeta JnK e ka pyetur AQP-në në lidhje me atë se kush i ka përgatitur specifikat teknike të tenderit “Furnizim me pajisje të IT-së – ritender”, për të cilat është konstatuar se janë në kundërshtim me ligjin.

AQP-ja në një përgjigje me shkrim i ka thënë se nuk mund të përgjigjen për shkak se ky aktivitet i prokurimit është në fazën ankimore.

Përkundër kësaj përgjigje me shkrim, zyrtarë të lartë të AQP-së i kanë thënë gazetës së specifikacionet teknike që i kanë shpallur të jashtëligjshme janë përgatitur nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit.

Agjencia e Shoqërisë së Informacionit ka deklaruar se ju ofron përkrahje profesionale institucioneve që bëjnë blerje në fushën e IT-së.

ASHI-ja ka shpjeguar se tenderi në fjalë i AQP-së është procedurë e re, pra ritenderim dhe për këtë aktivitet të prokurimit nuk kanë qenë të përfshirë.

“Kur i referoheni procedurës së projektit në fjalë – ritenderim, ju njoftoj se kjo procedurë sipas Ligjit të Prokurimit Publik konsiderohet procedurë e re. Ky projekt është iniciuar e zhvilluar nga AQP si autoritet kontraktues, ndërsa AShI, nuk ka qenë e përfshirë në asnjë fazë, e as që posedojmë informacion”, thuhet në përgjigjen e AShI-së për gazetën JnK.

Por AShI në përgjigjen e saj ka shtuar se para rreth një viti, kur tenderi është shpallur për herë të parë, AQP, ka kërkuar nga AShI përkrahje për hartim të termave të referencave, ndërsa nga AShI është caktuar një zyrtar, i cili ka qenë vetëm në cilësinë anëtarit këshillëdhënës për termat teknik të referencës.

“Autoriteti Kontraktues ose njësia kërkuese, në këtë rast AQP, ka qenë përgjegjëse dhe bartëse e krijimit të grupit, kryesimit të tij, mbikëqyrjes së gjithë procesit, verifikimit dhe aprovimit të gjithë dosjes dhe në fund shpalljes, gjë që i gjithë ky proces është bërë nga AQP, ritheksojmë, sa i përket shpalljes së tenderit të parë”, thuhet në përgjigjen e AShI-së.

Më tej AShI ka thënë se kanë kërkesa të vazhdueshme nga institucionet për përkrahje sa i përket projekteve të Teknologjisë së Informacionit – TI, mirëpo, AShI nuk ka asnjë rol e as ndikim në imponimin e specifikave teknike për projektet specifike. 

“Gjithnjë kur drejtohen kërkesa nga institucionet për përkrahje ose këshilla në hartimin e termave të referencës për pajisje kompjuterike për përdorim nga zyrtarët, AShI i rekomandon që t’i referohen udhëzuesit/standardit të hartuar nga AShI, i cili shërben si këshillues dhe lehtësues për hartim të specifikave të tilla teknike”, thuhet në përgjigjen e AShI-së.

Historiku i tenderit kundërthënës

Më 9 gusht 2018 është publikuar njoftimi për kontratë për tenderin “Furnizim me pajisje të IT-së – ritender”. Vlera e parashikuar e kontratës është 9 milionë euro.

Më 31 gusht, AQP ka njoftuar se pranimi i tenderëve dhe hapja e tyre që ishte përcaktuar më 6 shtator është shtyrë për 25 shtator 2018. Kjo për arsye se operatorët ekonomik kanë dërguar pyetje për sqarimin e dosjes së tenderit.

Ata kanë thënë se në pyetjet ne lidhje me kriteret administrative do te përgjigjen stafi i Agjencisë Qendrore të Prokurimit, ndërsa në lidhje me pyetjet për hartimin e specifikimeve teknike do të përgjigjen ekspertet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit në kuadër të Ministrisë se Administratës Publike, “të cilët i kanë hartuar specifikat teknike në dosjen e tenderit”.

Më 18 shtator, AQP ka njoftuar se data e pranimit të ofertave është shtyrë përsëri. Tashmë nga 25 shtatori është shtyrë për 10 tetor.

Prej 12 operatorëve ekonomik aplikues, vetëm 6 prej tyre janë kualifikuar.

Më 16 janar 2019, AQP ka njoftuar se operatorët që janë kualifikuar janë “Ilir – Kosova”  & “Comtrade Computers O.K.”, “Infosoft Systems”, “Novus” & “Cactus”, “Storm ICT L.L.C” & “Storm Computers D.O.O”, “Botek” dhe “PBC” Sh.P.K & S.D.S “Softëare Development Solution” & GDI Gisdata Dooel.

Më 28 janar, AQP ka vendosur që të anulojë njoftimin për vendimin e Autoritetit Kontraktues për Marrëveshjen Kornizë – Furnizim me pajisje të IT-së – ritender dhe ta kthejë në rivlerësim. Ky vendim ka ardhur pas ankesave nga 6 operatorët ekonomik.

Duke iu përgjigjur 6 operatorëve ekonomikë të cilët janë ankuar, AQP ka marrë vendim mbi refuzimin e ankesës së “Europrinty” dhe ka i ka vlerësuar si pjesërisht të bazuara ankesat e pesë Grupeve të Operatorëve Ekonomik.

Si pjesërisht të bazuara ankesat e Grupit të Operatorëve Ekonomik “Tech Vision” & Ndërmarrja Tregtare Grafike “Blendi” & “More Technology”; Grupit të Operatorëve Ekonomik “Trio Tech” & “Artech” & “Astronik” & “Eramed”; Grupit të Operatorëve Ekonomik “Novus” & “Cactus”; Grupit të Operatorëve Ekonomik “PBC” Sh.P.K & S.D.S “Softëare Development Solution” & “GDI Gisdata Dooel” dhe Grupit të Operatorëve Ekonomik “Storm ICT L.L.C” & “Storm Computers D.O.O”.

Pasi tenderi është kthyer në rivlerësim, AQP ka kërkuar nga operatorë ekonomik ta vazhdojnë vlefshmërinë e ofertës. Më 4 shkurt ata kanë kërkuar që të vazhdohet afati i vlefshmërisë për 90 ditë ndërsa më 17 maj për 60 ditë.

Rreth katër muaj pasi është marrë vendimi për kthimin në rivlerësim, më 5 qershor, AQP ka marrë vendim për anulimin e tenderit.

“AQP anulon këtë aktivitet të prokurimit pas konstatimit se specifikimi teknik është në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe si rezultat i kësaj është vendosur sipas Ligjit të Prokurimit Publik që të anulohet ky aktivitet”, thuhet në njoftimin e AQP-së.

Pas këtij vendimi, AQP ka marrë ankesa nga operatorët ekonomik.

Më 14 qershor, AQP ka vendosur që t’i refuzojë si të pabazuara ankesat e operatorëve ekonomik “Ilir – Kosova”, “Novus”, “Storm ICT L.L.C”, “Infosoft Systems”, “PBC”, “Tech Vision” dhe “Botek”.

“Vërtetohet njoftimi për anulim i AQP-së dhe AQP vazhdon më tutje me procedurën e prokurimit”, thuhet në njoftim.

Ndërsa më 21 qershor është marrë vendim mbi pezullimin e këtij aktiviteti të prokurimit pasi janë njoftuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit se kanë marrë ankesa nga operatorët ekonomik në lidhje me këtë tender.

“Arsyeja e pezullimit është ankesa e operatorëve ekonomik në OShP”, thuhet në njoftim.

Një tender për furnizim me pajisje të IT-së ishte shpallur dhe anuluar edhe dy herë të tjera. Më 26 shkurt të vitit 2018, AQP kishte publikuar njoftimin për kontratë për “Furnizim me pajisje të IT-së”. Vlera e parashikuar për këtë tender ishte 6 milionë euro. Më 20 prill të vitit 2018, ky tender është anuluar.

Tenderi për furnizim me pajisje të IT-së është shpallur përsëri nga AQP më 27 prill 2018. Tenderi “Furnizim me pajisje të IT-së – ritender”, me vlerë të parashikuar 7.8 milionë euro është anuluar më 14 maj 2018.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.