Studimi: Sa hapa ecjeje në ditë nevojiten për ta reduktuar rrezikun e vdekjes dhe sëmundjeve të zemrës

Të gjithë e njohim të paktën një person i cili e kontrollon hapometrin e tij disa herë në ditë për të zbuluar se sa hapa i mungojnë nga 10,000 hapat magjikë. Në disa raste, ai person jemi ne.

Dhjetë mijë hapa tingëllon si shumë. Personit mesatar i duhen nga 80 deri në 150 minuta për ta arritur atë prag, gjë që kërkon mjaft përpjekje. Por a duhet vërtet të ecim kaq shumë për ta përmirësuar shëndetin tonë?

Bazuar në një meta-analizë të re që përfshin 17 studime të ndryshme që përfshijnë deri në 227,000 subjekte, përgjigja është jo.

Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh botoi në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë Parandaluese një konfirmim të asaj që shumë prej nesh dyshonin ose shpresonin – përfitimet shëndetësore mund të arrihen me një numër dukshëm më të vogël hapash.

Analiza tregon se 4000 hapa në ditë janë të mjaftueshëm për të reduktuar vdekshmërinë mesatare dhe vetëm 2400 hapa mjaftojnë për ta reduktuar rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare. Sigurisht, sa më shumë hapa, aq më mirë.

Dr. Christine Joisten, udhëheqëse e Departamentit të Aktivitetit Fizik dhe Promovimit të Shëndetit në Universitetin Gjerman të Sporteve (DSHS) me qendër në Këln, u përgjigjet disa prej pyetjeve të rëndësishme që lidhen me ecjen, stërvitjen dhe shëndetin.

A është i pakuptimtë standardi i 10,000 hapave?

Në fakt, nuk është sepse ka analiza të shumta që tregojnë se një objektiv prej 10,000 hapash është një parakusht thelbësor për sukses – veçanërisht për uljen e presionit të gjakut dhe indeksit të masës trupore (BMI), thotë Joisten.

Gjithashtu, Qendra e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) aktualisht rekomandon që shumica e të rriturve të synojnë një objektiv prej 10,000 hapash për shëndetin e përgjithshëm.

Në fakt, 10,000 hapat vijnë nga një fushatë marketingu japoneze për një hapamatës përpara Lojërave Olimpike të Tokios 1964, pretendon Joisten. Gjegjësisht, simboli japonez për numrin 10,000 i ngjan një personi që ecën.

Pse duhet të ushtroheni çdo ditë?

Aktiviteti fizik në përgjithësi, në jetën e përditshme, në punë dhe në kohën e lirë, ndihmon në parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme, shpjegon Joisten.

Midis tyre janë kanceri dhe sëmundjet kardiovaskulare dhe faktorë rreziku për to si presioni i lartë i gjakut, obeziteti dhe diabeti, si dhe çrregullime neurodegjenerative si sëmundja e Alzheimerit.

Ushtrimet gjithashtu ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve ortopedike, reumatike dhe mendore, pohon Joisten.

Ajo gjithashtu ndihmon njerëzit që jetojnë me sëmundje kronike, kryesisht duke rritur cilësinë e jetës së tyre.

A ndihmojnë vërtet të gjitha këto aplikacione dhe pajisje për gjurmimin e aktivitetit fizik?

Personalisht, mendoj se ndihmojnë sepse lejojnë depërtim në arritjet e arritura dhe në këtë mënyrë shërbejnë si një motivim i mirë, pohon Joisten, por shton se disa njerëz janë të frustruar nëse nuk i arrijnë qëllimet e tyre të përcaktuara.

Edhe progresi i vogël duhet të merret parasysh.

Rritjet e vogla prej 500 deri në 1000 hapa në ditë ose 5 deri në 10 minuta më shumë ecje janë lehtësisht të arritshme, thotë Joisten.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon një minimum prej 150 deri në 300 minuta aktivitet fizik të moderuar në javë ose 75 deri në 150 minuta aktivitet fizik aerobik më intensiv, me ushtrime për t’i forcuar grupet e mëdha të muskujve dy herë në javë ose më shumë për njerëzit nga mosha 18 deri në 64.

E njëjta gjë vlen edhe për personat mbi 65 vjeç, për të cilët rekomandohen veçanërisht ushtrimet e ekuilibrit dhe koordinimit./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala