Studimi: 11 minuta ushtrime ditore mund të kenë një ndikim pozitiv në shëndetin tuaj

Vetëm 11 minuta aktivitet aerobik me intensitet mesatar deri në energjik në ditë mund ta ulë rrezikun e kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare ose vdekjes së parakohshme, ka zbuluar një studim i ri.

Aktivitetet aerobike përfshijnë ecjen, kërcimin, vrapimin, çiklizmin dhe notin. Mund ta matni nivelin e intensitetit të një aktiviteti nga rrahjet e zemrës dhe sa vështirë po merrni frymë ndërkohë që lëvizni. Në përgjithësi, të jesh në gjendje të flasësh, por të mos këndosh gjatë një aktiviteti, do ta bënte atë me intensitet të moderuar. Intensiteti i fuqishëm karakterizohet nga pamundësia për ta vazhduar një bisedë.

Nivelet më të larta të aktivitetit fizik janë shoqëruar me shkallë më të ulët të vdekjeve të parakohshme dhe sëmundjeve kronike, sipas hulumtimeve të kaluara. Por se si nivelet e rrezikut për këto rezultate ndikohen nga sasia e ushtrimeve që bën dikush ka qenë më e vështirë për t’u përcaktuar. Për ta eksploruar këtë ndikim, shkencëtarët kryesisht nga Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar shikuan të dhënat nga 196 studime, që arrinin në më shumë se 30 milionë pjesëmarrës të rritur të cilët u ndoqën mesatarisht për 10 vjet. Rezultatet e këtij studimi të fundit u publikuan të martën në British Journal of Sports Medicine.

Studimi u fokusua kryesisht tek pjesëmarrësit që kishin bërë sasinë minimale të rekomanduar prej 150 minutash stërvitje në javë, ose 22 minuta në ditë. Krahasuar me pjesëmarrësit joaktivë, të rriturit që kishin bërë 150 minuta aktivitet fizik aerobik mesatar deri në aktivitet fizik energjik në javë kishin një rrezik 31% më të ulët për të vdekur nga çdo shkak, një rrezik 29% më të ulët për të vdekur nga sëmundjet kardiovaskulare dhe 15% më pak rrezik të vdekjes nga kanceri.

E njëjta sasi ushtrimesh u lidh me një rrezik 27% më të ulët të zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare dhe një rrezik 12% më të ulët kur bëhej fjalë për kancerin.

“Ky është një rishikim sistematik bindës i kërkimeve ekzistuese”, thotë Analistja Mjekësore e CNN, Dr. Leana Wen, mjeke e urgjencës dhe profesoreshë e shëndetit publik në Universitetin George Washington, e cila nuk ishte e përfshirë në hulumtim. “Ne e dinim tashmë se kishte një lidhje të fortë midis rritjes së aktivitetit fizik dhe uljes së rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare, kancerin dhe vdekjet e parakohshme. Ky studim e konfirmon atë dhe për më tepër thotë se një sasi më e vogël se 150 minutat e ushtrimeve të rekomanduara në javë mund të ndihmojë.

Përfituan edhe njerëzit që morën vetëm gjysmën e sasisë minimale të rekomanduar të aktivitetit fizik. Akumulimi i 75 minutave të aktivitetit me intensitet të moderuar në javë – rreth 11 minuta aktivitet në ditë – u shoqërua me një rrezik 23% më të ulët të vdekjes së hershme. Aktivizimi për 75 minuta në baza javore ishte gjithashtu i mjaftueshëm për ta ulur rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare me 17% dhe kancerit me 7%.

Përtej 150 minutave në javë, çdo përfitim shtesë ishte më i vogël.

“Nëse jeni dikush që ju duket pak e frikshme ideja e 150 minutave aktivitet fizik me intensitet të moderuar në javë, atëherë gjetjet tona duhet të jenë një lajm i mirë”, thotë autori i studimit Dr. Soren Brage, udhëheqës i grupit të Epidemiologjisë së Aktivitetit Fizik në Universitetin e Kembrixhit. “Ky është gjithashtu një pozicion i mirë fillestar – nëse zbuloni se 75 minuta në javë janë të menaxhueshme, atëherë mund ta provoni ta rritni gradualisht në sasinë e plotë të rekomanduar.”

Gjetjet e autorëve e konfirmojnë qëndrimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë se të bësh njëfarë aktiviteti fizik është më mirë se të mos bësh asnjë, edhe nëse nuk e bën sasinë e rekomanduar të ushtrimeve.

“Një në 10 vdekje të parakohshme mund të ishte parandaluar nëse të gjithë do të arrinin qoftë edhe gjysmën e nivelit të rekomanduar të aktivitetit fizik”, shkruajnë autorët në studim. Për më tepër, “10.9% dhe 5.2% e të gjitha rasteve të incidentit të CVD (sëmundje kardiovaskulare) dhe kancerit do të ishin parandaluar”.

Pak ushtrime çdo ditë

Autorët nuk kishin detaje mbi llojet specifike të aktivitetit fizik që e bënin pjesëmarrësit. Por disa ekspertë kanë mendime se si aktiviteti fizik mund ta zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve kronike dhe vdekjes së parakohshme.

“Ka shumë mekanizma të mundshëm, duke e përfshirë përmirësimin dhe mirëmbajtjen e përbërjes së trupit, rezistencën ndaj insulinës dhe funksionin fizik për shkak të një shumëllojshmërie të ndikimeve të favorshme të aktivitetit aerobik”, thotë Haruki Momma, profesor i asociuar i mjekësisë dhe shkencës në sport dhe ushtrime në Universitetin Tohoku në Japoni. Momma nuk ishte i përfshirë në hulumtim.

Përfitimet mund të përfshijnë gjithashtu përmirësimin e funksionit imunitar, shëndetin e mushkërive dhe zemrës, nivelet e inflamacionit, hipertensionin, kolesterolin dhe sasinë e yndyrës në trup, thotë Eleanor Watts, studente postdoktorale në departamentin e epidemiologjisë së kancerit dhe gjenetikës në Institutin Kombëtar të Kancerit. Watts nuk ishte i përfshirë në hulumtim.

“Këto përkthehen në një rrezik më të ulët për t’u diagnostifikuar me sëmundje kronike”, thotë Peter Katzmarzyk, drejtor ekzekutiv i asociuar për shkencat e popullsisë dhe shëndetit publik në Qendrën Kërkimore Biomjekësore Pennington në Baton Rouge, Luiziana. Katzmarzyk nuk ishte i përfshirë në hulumtim.

Fakti që pjesëmarrësit që e bënë vetëm gjysmën e sasisë minimale të rekomanduar të stërvitjes përjetuan ende përfitime nuk do të thotë që njerëzit nuk duhet të synojnë për më shumë stërvitje, por përkundrazi se “perfektja nuk duhet të jetë armiku i së mirës”, thotë Wen. “Pak ushtrime është më mirë se asnjë ushtrim”./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala