Rrëfimi i familjarës për prindin e saj: Në fletë-lëshimin e spitalit doli COVID-negativ

Ardiana Neziri- Cakolli, ka një rrëfim për prindin e saj, i cili u trajtua nëpër klinikat e destinuara për pacientët me COVID-19 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Më 24 tetor Neziri- Cakolli kishte dërguar babanë e saj në Klinikën e Pulmologjisë, pasi që sipas saj, prindi nuk ndihej mirë, por ende nuk kishte ndonjë test që e dëshmonte që është pozitiv apo negative me coronavirus COVID-19.

Sipas rrëfimit të saj, Rukije Mehmeti, ish drejtoresha e Klinikës së Pulmologjike në QKUK, i kishte sugjeruar të shtrihet babai i saj në klinikë pasi që sipas saj ai ishte i infektuar me COVID-19. Neziri- Cakolli thotë se babi i saj, tashmë i ndjerë, kishte simtoma të ftohjes dhe lodhjes por që asnjëra nga këto nuk asocionin me infeksionin e coronavirusit.

“E gjithë përvoja ime, filloi diku në mesin e javës së katërt të tetorit. Filloi me një shqetësim të lehtë të babës, që ndjente ftohje të lehtë, që manifestohej me një lodhje krejt të zakonshme. Ne familjarët, tentonim të ruheshim, por edhe t’a ruanim babën duke mos e vizituar shpesh për shkak edhe të moshës së tij. Tri ditë pas kësaj, fillimit të kësaj ftohje dhe lodhje, për shkak se nuk shfaqte asnjë simptomë tjetër që mund të asocionte me virusin SARS-CoV-2, vendosëm që ta bënim një test serologjik në institucionet shëndetësore në Komunën e Prishtinës. Rezultatet i morëm në po të njëjtën ditë, pra të mërkurën e katërt të tetorit. Ato tregonin se baba nuk kishte zhvilluar dhe as nuk ishte në zhvillim e sipër të antitrupave ndaj këtij virusi, që mund të ishte indikacion se ai vuante nga kjo sëmundje”, rrëfen Neziri- Cakolli për KALLXO.com.

“Më 23 tetor, vendosëm që babës t’ia bënim një fotografim/rëntgen të mushkërive në një nga klinikat private në kryeqytet. Të nesërmen, bashkë me babën shkuam në Klinikën e Pulmologjisë, për një kontroll apo konsultë me stafin aty, të cilët do t’i lexonin edhe rezultatet e rëntgenit. Babën e lamë të priste në veturë”, rrëfen tutje ajo.

“Në klinikë, personi i parë me të cilin u takuam ishte doktoresha Rukije Mehmeti. Pasi u ndamë me të në një zyrë, në mënyrë që baba fillimisht të mos e kuptonte nëse diçka nuk ishte në rregull, Rukijes i tregova për simptomat e babës, rezultatet e rëntgenit si dhe gjithçka tjetër në lidhje me babën. Ajo, me një sinqeritet brutal, as pa e parë fare babën, pa kontroll klinik e pa një test, na tha “babën e keni të koviduar”. Këtë e përsëriti disa herë. Ne kërkuam sqarime se si të veprohet tutje. Ajo kërkoi që baba të shtrohet urgjentisht në repart. Ne, duke mos qenë në dijeni se çfarë do të pasonte, e morëm babën nga vetura. Ende pa hyrë mirë në Klinikë, Rukija, me një qasje krejt të papranueshme për një mjeke, iu drejtua babës me një ton të lartë, që për ne tingëllonte edhe akuzues, duke i thënë “A po e sheh veten qysh je ba?! Ti je i kovidum. Pse nuk ke ardhë ma herët? Duhesh me u shtri meniherë në spital”. Në fakt, ajo dukej se ishte e vetmja aty që kishte bindjen se baba nuk ishte mirë, ndonëse kurrë nuk e kishte parë paraprakisht”, rrëfen tutje ajo.

Tutje ajo thekson se “Në të njëjtën dhomë ishin të shtrirë edhe tre persona tjerë, disa të dyshuar e disa të konfirmuar pozitiv me koronavirus. Secili prej tyre, kishte afër nga një familjar, si përcjellës”. Çdo herë sipas Neziri- Cakollit, mantebardhët atë ditë babanë e saj e vendosën në oksigjeno- terapi dhe se ata kujdeseshin për epruvetat e ujit të oksigjenit.

Ajo thotë se pothuasje asnjëherë mjekët nuk ishin aty për të kontrolluar oksigjenin e pacientit.

“Ishim ne familjarët që duhej të luanim rolin e infermierit e shpesh edhe doktorit. Ishim ne ata që duhet të merreshim me epruvetat e ujit të oksigjenit. Në fakt, vetëm sot e mora vesh që nuk është dashur që të përdornim ujë të thjeshtë, por të distiluar. E këtë, nuk na e kishte thënë askush. Ishim ne që duhet ta bartnim nëpër klinikë kur kishte nevojë, me një karrocë të padezinfektuar, të cilën e përdornin të gjithë pacientët e shtrirë në atë repart, disa me – e disa pa virus. Aty, duhej që ne t’ia lëshonim nivelin e oksigjenit, e në rast se diçka shkonte keq, të prisnim mjekun që gati kurrë nuk gjendej aty”, vazhdon tregimin ajo.

Babai i Nezire- Cakollit kishte vdekur, pas gjithë kësaj në fletë – lëshimin e spitalit, ajo tregon se në diagnozën përfundimtare të pacientit shkruante se pacienti ishte negativ, nuk kishte infeksion COVID-19.

“Mërzia u shtua kur morëm fletë- lëshimin nga spitali. Aty shkruhej se diagnoza përfundimtare e tij ishte “COVID – Negativ”. Pra, vetëm tri ditë pas rezultatit pozitiv. Gjë që duket logjikisht pak e mundshme, apo jo? Na u shtuan dilemat. Mbase baba ishte trajtuar gabimisht. Mbase ai nuk kishte nevojë për gjithë atë sasi të jashtëzakonshme oksigjeni, që ia frynte edhe faqet. Mbase… mbase gjithçka shkoi gabimisht, pa nevojë”, përfundon rrëfimin ajo.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka kontaktuar ish drejtoreshën e Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, në lidhje me këtë rast.

“Nëse unë i kam thënë me u shtri në Spital po të garantojë që ka pas një arsye pse unë kam dyshu për COVID. Unë nuk punoj që 10 vjet, por që 36 vjet. Po të garantojë që kam pasë arsye që kam dyshu për COVID. 60 deri 70% mundet me u konfirmu 30 deri 40% të rasteve, rastet me COVID nuk konfirmohen në krejt botën e jo vetëm në Kosovë”, u shpreh Mehmeti.

KALLXO.com më tetë dhjetor ka transmetuar emisionin me rrëfime të familjarëve në lidhje me përjetimet e tyre nëpër klinikat në QKUK, gjithashtu është transmetuar edhe hulumtimi ‘Sallamadia në Infektivë’, ku qytetarët hynë dhe dalin pa u kontrolluar nga askush.

Kujtojmë se sot në Kosovë janë regjistruar 329 raste të reja pozitive me coronavirus dhe 46,909 janë infektuar që nga muaji mars, ndërsa brenda 24 orëve janë shënuar pesë vdekje, dhe 1,203 vdekje në total.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.