Foto: REL/MIA

Pejë, gjashtë pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë

37 pacientë me COVID-19 janë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Pejës, prej tyre 25 janë nën asistimin me oksigjeno – terapi, ndërsa gjashtë të tjerë janë në gjendje të rëndë.

Komuna e Pejës dje ka shënuar 11 raste të reja me SARS-CoV-2, përderisa në nivel vendi janë shënuar 546 raste me coronavirus.

Aktualisht Prishtina ka më së shumti raste të konfirmuara pozitive, vetëm dje janë regjistruar 286 raste me COVID-19.

Deri më tani në Kosovë janë infektuar 21,545 persona, 15,829 janë shëruar ndërsa 714 kanë vdekur.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.