Ilustrim

Pejë, 23 pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë

141 pacientë të infektuar me COVID-19 janë duke u trajtuar aktualisht në Spitalin Rajonal të Pejës.

Nga raporti ditor i spitalit bëhet e ditur se katër pacientë janë në respirator – CPAP, 98 pacientë janë në oksigjeno – terapi ndërsa nga këto 23 pacientë janë në gjendje të rëndë.

“9 Pacientë janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit nga Covid-19 në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë”, thuhet tutje në raport.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dje ka njoftuar se në komunën e  Pejës janë regjistruar 20 raste te reja me COVID-19 përderisa në nivel vendi u shënuan edhe 329 raste me coronavirus, ndërsa brenda 24 orëve në Kosovë u regjistruan pesë vdekje si pasojë e infeksionit me coronavirus.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 1 rast (52 vjeç), Prizren 1 rast (54 vjeç), Gjakovë 1 rast (60 vjeç), Fushë Kosovë 1 rast (72 vjeç), Suharekë 1 rast (81 vjeç)”, thuhej në njoftim.

Nga 13 marsi kur edhe u shfaqë rasti i parë me SARS-CoV-2 në nivel vendi e deri më tani janë infektuar 49,909 janë shëruar 34,155 ndërsa kanë vdekur 1,203.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.
Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.