Hulumtimi: Problemet me tretjen mund të jenë shenjë paralajmëruese e sëmundjes së Parkinsonit

Problemet e tretjes, të tilla si kapsllëku ose vështirësia në gëlltitje mund ta dyfishojnë mundësinë e sëmundjes së Parkinsonit, thonë disa hulumtime.

Origjina e sëmundjes së Alzheimerit, goditjeve në tru dhe aneurizmave të trurit janë të lidhura me traktin gastrointestinal. Ndërsa ka prova që Parkinson mund të fillojë gjithashtu në zorrë, ka pasur pak studime për lidhjen e tij me çrregullime të veçanta të tretjes.

Tani një studim i bërë ka vërtetuar se katër gjendje të zorrëve mund të jenë një shenjë paralajmëruese e hershme e sëmundjes së Parkinsonit. “Është e para që vendos prova të rëndësishme vëzhguese” se një diagnozë klinike e problemeve të zorrëve “mund ta parashikojë në mënyrë specifike zhvillimin e sëmundjes së Parkinsonit”, përfundojnë autorët.

Studiuesit krahasuan të dhënat mjekësore të 24,624 njerëzve në SHBA me sëmundjen e Parkinson, 19,046 njerëzve me Alzheimer dhe 23,942 njerëzve me sëmundje cerebrovaskulare.

Ata me Parkinson u krahasuan me pacientët në grupet e tjera për moshën, gjininë, racën dhe përkatësinë etnike dhe kohëzgjatjen e diagnozës për ta krahasuar frekuencën e kushteve gastrointestinale në gjashtë vitet para diagnozës.

Autorët e hulumtimit gjithashtu i krahasuan të dhënat mjekësore të të gjithëve në studim të diagnostikuar me ndonjë nga 18 gjendjet e zorrëve me ata pa atë gjendje të veçantë gjatë pesë viteve për të parë se sa prej tyre e kanë zhvilluar sëmundjen e Parkinsonit ose çrregullime të tjera neurologjike.

Të dy krahasimet gjetën një rrezik më të lartë të një diagnoze të sëmundjes së Parkinsonit për pacientët me probleme të zorrëve. Ata me kapsllëk, vështirësi në gëlltitje (disfagi) dhe gastroparezë, ku ushqimi merr më shumë kohë për të lëvizur nga stomaku në zorrën e vogël, kishin më shumë se dy herë më shumë gjasa ta zhvillonin sëmundjen e Parkinsonit në pesë vitet para diagnozës, ndërsa IBS pa diarre ishte i lidhur me një rrezik 17% më i lartë.

Disa simptoma gastrointestinale, duke përfshirë dispepsinë funksionale (ndjesi djegieje ose ngopje të stomakut pa ndonjë shkak të dukshëm), IBS me diarre dhe diarre plus mosmbajtje fekale, u gjetën të jenë më të zakonshme edhe tek pacientët që e zhvilluan sëmundjen e Parkinsonit. Por ato ishin gjithashtu më të zakonshme përpara fillimit të sëmundjes së Alzheimerit, aneurizmave ose goditjeve në tru.

Megjithatë, çështjet e tjera të zorrëve si sëmundja inflamatore e zorrëve nuk i rrisin gjasat e zhvillimit të Parkinsonit, zbuloi studimi.

Dhe pacientët që kishin hequr apendiksin kishin më pak gjasa të zhvillonin Parkinson, llogaritën autorët.

Ata shtuan se gjetjet “kërkojnë vigjilencë” për problemet e zorrëve në ata pacientë me rrezik më të lartë të sëmundjes së Parkinsonit dhe kërkojnë hetim të mëtejshëm të lidhjeve midis kushteve gastrointestinale dhe Alzheimerit, goditjeve në tru dhe aneurizmave.

Parkinson në Mbretërinë e Bashkuar vlerëson se do të ketë rreth 172,00 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar me këtë sëmundje deri në vitin 2030. Dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka 8.5 milionë njerëz në mbarë botën me këtë sëmundje.

Duke iu përgjigjur gjetjeve, Clare Bale, drejtoreshë e asociuar e kërkimit, në Parkinson’s MB, thotë se gjetjet “i shtojnë më shumë peshë” provave në rritje se problemet e zorrëve “mund të jenë shenja paralajmëruese të hershme të Parkinsonit”.

Sipas saj “të kuptuarit se si dhe pse problemet e zorrëve shfaqen në fazat e hershme të Parkinsonit mund të ofrojë mundësi për zbulimin e hershëm dhe qasjet e trajtimit që i synojnë zorrët t’i përmirësojnë simptomat dhe madje ta ngadalësojnë ose ndalojnë përparimin e gjendjes”.

Kim Barrett, zëvendësdekane për kërkime në Universitetin e Kalifornisë, Davis, thotë se mund të jetë e rëndësishme që mjekët ta “kenë parasysh” këto gjendje të zorrëve kur i vlerësojnë pacientët në rrezik për Parkinson, “madje edhe përpara fillimit të simptomave neurologjike”.

Ajo thotë se “gjetjet janë thjesht korrelative dhe mbetet e mundur që të dyja kushtet gastrointestinale dhe sëmundja e Parkinsonit të jenë të lidhura në mënyrë të pavarur me një faktor të tretë rreziku ende të panjohur”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala