Studimi - Eritritoli, ëmbëlsuesi me zero kalori ndërlidhet me sulm në zemër dhe në tru

Sipas një studimi të ri, një zëvendësues i sheqerit i quajtur eritritol – i përdorur për të shtuar ose ëmbëlsuar stevia (një ëmbëlsues natyral dhe zëvendësues i sheqerit), fruta monkfrut (një hardhi barishtore shumëvjeçare e familjes së pagurit) dhe produkte me sheqer të reduktuar me këto – është lidhur me koagulimin e gjakut, sulmet në tru, sulmin në zemër dhe vdekjen.

“Shkalla e rrezikut nuk është modeste”, thotë autori kryesor i studimit Dr. Stanley Hazen, drejtor i Qendrës për Diagnostifikimin dhe Parandalimin Kardiovaskular në Cleveland Clinic Lerner Research Institute.

Njerëzit me faktorë rreziku ekzistues për sëmundjet e zemrës, si diabeti, kishin dy herë më shumë gjasa të përjetonin një sulm në zemër ose sulm në tru nëse kishin nivelet më të larta të eritritolit në gjakun e tyre, sipas studimit të botuar të hënën në revistën Nature Medicine.

“Nëse niveli juaj i eritritolit në gjak ishte në 25% më të lartë krahasuar me 25% më të ulët, kishte rreth dyfish më shumë rrezik për sulm në zemër dhe sulm në tru. Është në të njëjtin nivel me faktorët më të fortë të rrezikut kardiak, si diabeti”, thotë Hazen.

Hulumtimet shtesë në laborator dhe kafshë të paraqitura në letër zbuluan se eritritoli dukej se po shkaktonte mpiksjen më të lehtë të trombociteve të gjakut. Mpiksjet mund të shkëputen dhe të shkojnë në zemër, duke shkaktuar një sulm në zemër, ose në tru, duke shkaktuar një sulm në tru.

“Kjo sigurisht tingëllon një alarm”, thotë Dr. Andrew Freeman, drejtor i parandalimit dhe mirëqenies kardiovaskulare në National Hewish Health, një spital në Denver, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim.

“Duket se ekziston një rrezik i mpiksjes nga përdorimi i eritritolit”, thotë Freeman. “Natyrisht, nevojiten më shumë kërkime, por me një kujdes të shtuar, mund të ketë kuptim ta kufizoni eritritolin në dietën tuaj tani për tani”.

Në përgjigje të studimit, Këshilli i Kontrollit të Kalorive, një shoqatë industrie, thotë për CNN se “rezultatet e këtij studimi janë në kundërshtim me dekada të kërkimit shkencor që tregojnë se ëmbëlsuesit me kalori të reduktuara si eritritoli janë të sigurt, siç dëshmohet nga lejet rregullatore globale për përdorimin e tyre në ushqime dhe pije”, thotë përmes një e-maili, Robert Rankin, drejtori ekzekutiv i këshillit.

Rezultatet “nuk duhet të ekstrapolohen në popullatën e përgjithshme, pasi respondentët e studimit ishin tashmë në rrezik të shtuar për ngjarje kardiovaskulare”, tha Rankin.

Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Poliolit refuzoi të jipte ndonjë koment, duke thënë se nuk e ka shqyrtuar studimin në fjalë.

Çfarë është eritritoli?

Ashtu si sorbitoli dhe ksilitoli, eritritoli është një alkool sheqeri, një karbohidrate që gjendet natyrshëm në shumë fruta dhe perime. Sipas ekspertëve, ka rreth 70% të ëmbëlsisë së sheqerit dhe konsiderohet me zero kalori.

I prodhuar artificialisht në sasi masive, eritritoli nuk ka një shije të qëndrueshme, nuk rrit sheqerin në gjak dhe ka më pak efekt laksativ se disa alkoole të tjera sheqeri.

“Erythritol duket si sheqer, ka shije si sheqer dhe mund të përgatisni udhqim me të”, thotë Hazen, i cili gjithashtu drejton Qendrën për Mikrobiomën dhe Shëndetin e Njeriut të Klinikës Cleveland.

“Është bërë e dashura e industrisë ushqimore, një aditiv jashtëzakonisht i popullarizuar për keto dhe produkte dhe ushqime të tjera me pak karbohidrate të tregtuar për njerëzit me diabet”, shtoi ai. “Disa nga ushqimet e etiketuara me diabet që ne shikuam kishin më shumë eritritol se çdo artikull tjetër sipas peshës”.

Eritritoli është gjithashtu përbërësi më i madh për nga pesha në shumë produkte “natyrale” të stevias dhe frutave të monkfrutit, tha Hazen. Për shkak se stevia dhe monkfrutat janë rreth 200 deri në 400 herë më të ëmbla se sheqeri, vetëm një sasi e vogël nevojitet në çdo produkt. Pjesa më e madhe e produktit është eritritol, i cili shton pamjen kristalore të sheqerit dhe strukturën që presin konsumatorët.

Një zbulim i papritur

Zbulimi i lidhjes midis eritritolit dhe çështjeve kardiovaskulare ishte thjesht aksidental, thotë Hazen. 

“Nuk e prisnim kurrë këtë. Ne as që po e kërkonim”, shton ai.

Hulumtimi i Hazen kishte një qëllim të thjeshtë: gjetjen e kimikateve ose përbërjeve të panjohura në gjakun e një personi që mund të parashikojnë rrezikun e tyre për një atak në zemër, goditje në tru ose vdekje në tri vitet e ardhshme. Për ta bërë këtë, ekipi filloi të analizonte 1,157 mostra gjaku tek njerëzit në rrezik për sëmundje të zemrës, të mbledhura midis 2004 dhe 2011.

“Gjetëm këtë substancë që dukej se luante një rol të madh, por nuk e dinim se çfarë ishte”, thotë Hazen. “Më pas zbuluam se ishte eritritol, një ëmbëlsues”.

Trupi i njeriut krijon natyrshëm eritritol, por në sasi shumë të ulëta që nuk do të llogaritnin nivelet që ata matën, tha ai.

Për t’i konfirmuar gjetjet, ekipi i Hazen testoi një grup tjetër të mostrave të gjakut nga mbi 2,100 njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe 833 mostra shtesë të mbledhura nga kolegët në Evropë deri në vitin 2018. Rreth tri të katërtat e pjesëmarrësve në të trija popullatat kishin sëmundje koronare ose presion të lartë të gjakut dhe rreth një e pesta kishte diabet, thotë Hazen. Mbi gjysma ishin meshkuj dhe në të 60-at dhe 70-at e tyre.

Në të trija popullatat, studiuesit zbuluan se nivelet më të larta të eritritolit lidheshin me një rrezik më të madh të sulmit në zemër, goditjes në tru ose vdekjes brenda tre viteve.

Por pse? Për të zbuluar këtë, hulumtuesit bënë teste të mëtejshme në kafshë dhe laboratorë dhe zbuluan se eritritoli po “provokonte trombozë të shtuar”, ose mpiksje në gjak, thotë Hazen.

Koagulimi është i nevojshëm për trupin e njeriut, përndryshe do të gjakosnim deri në vdekje nga prerjet dhe lëndimet. I njëjti proces po ndodh vazhdimisht edhe nga brenda.

“Enët tona të gjakut janë gjithmonë nën presion, dhe brenda nesh rrjedhin burime, dhe trombocitet e gjakut i mbyllin vazhdimisht këto vrima gjatë gjithë kohës”, shton tutje Hazen.

Megjithatë, madhësia e mpiksjes së bërë nga trombocitet varet nga madhësia e nxitësit që stimulon qelizat, shpjegoi ai. Për shembull, nëse nxitësi është vetëm 10%, atëherë merrni vetëm 10% të një mpiksjeje.

“Por ajo që po shohim me eritritolin është se trombocitet bëhen super reaguese: Një stimulues i thjeshtë 10% prodhon 90% deri në 100% të një formimi të mpiksjes”, thotë Hazen.

“Për njerëzit që janë në rrezik për mpiksje, atak në zemër dhe goditje në tru – si njerëzit me sëmundje ekzistuese kardiake ose njerëzit me diabet – mendoj se ka të dhëna të mjaftueshme këtu për të thënë të qëndrojnë larg nga eritritoli derisa të bëhen më shumë studime”, shton tujte Hazen. 

Vullnetarë të shëndetshëm

Në një pjesë të fundit të studimit, tetë vullnetarë të shëndetshëm konsumuan një pije që përmbante 30 gramë eritritol, sasia që konsumojnë shumë njerëz në SHBA, thotë Hazen, sipas Anketës Kombëtare të Ekzaminimit të Shëndetit dhe të Ushqyerjes, e cila e bën ekzaminimin e ushqimit amerikan çdo vit.

Testet e gjakut gjatë tri ditëve të ardhshme gjetë nivele të eritritolit dhe rrezik të koagulimit.

“Tridhjetë gramë ishin të mjaftueshme për t’i rritur mijëfish nivelet e eritritolit në gjak”, thotë Hazen, sasi kjo mbi pragun e nevojshëm për të shkaktuar dhe rritur rrezikun e koagulimit për dy deri në tri ditët në vijim”.

Sipas Hazen, 30 gram eritritol janë të barasvlershme me të ngrënit e një litër akullore./CNN

 

Përgatiti: Nuhi Shala