Gjumi i pamjaftueshëm lidhet me rritjen e rrezikut të një gjendjeje që mund të rezultojë me sulm në tru

Një studim i ri, i botuar në European Heart Journal, ka zbuluar një lidhje të rëndësishme midis gjumit të pamjaftueshëm dhe rritjes së gjasave të zhvillimit të sëmundjes së arterieve periferike (peripheral artery disease, PAD).

Hulumtimi zbuloi se ata që flenë më pak se pesë orë në natë kanë një shans 74% më të lartë për të zhvilluar PAD, krahasuar me ata që mbajnë një rutinë të shëndetshme të gjumit prej shtatë deri në tetë orë në natë.

Si gjumi i pamjaftueshëm gjatë natës ashtu edhe dremitja e tepërt gjatë ditës kanë qenë të lidhura më parë me një rrezik në rritje të sëmundjes së arterieve koronare, e cila, si PAD, rezulton nga arteriet e bllokuara.

Ky studim kishte si qëllim adresimin e boshllëkut të njohurive rreth ndikimit të zakoneve të gjumit në PAD dhe anasjelltas, duke ofruar njohuri të vlefshme për marrëdhënien midis të dyjave.

Përdorimi i të dhënave gjenetike për ta studiuar rrezikun e PAD

Studimi përfshiu mbi 650,000 respondentë dhe është kryer në dy faza.

Së pari, studiuesit kanë vrojtuar se si sasia e gjumit që e bënin njerëzit gjatë natës dhe dremitja e ditës lidhej me rrezikun e tyre për ta zhvilluar PAD.

Më pas, ata përdorën informacionin gjenetik për të kryer një analizë të rastësishme Mendeliane, duke ndihmuar në identifikimin nëse këto ndërlidhje po shkaktonin në të vërtetë rrezikun e rritur të PAD.

Rastësia Mendeliane është një metodë kërkimore që përdor informacionin gjenetik për të parë nëse ekziston një marrëdhënie shkak-pasojë midis faktorëve të caktuar dhe një rezultati të caktuar. Me fjalë të thjeshta, është si një eksperiment natyror që përfiton nga mënyra e rastësishme e trashëgimit të gjeneve tona.

Kjo metodë i ndihmon studiuesit t’i ndajnë marrëdhëniet e vërteta shkak-pasojë nga lidhjet e thjeshta, duke ofruar prova më të forta për lidhjet e mundshme shkakësore.

Kufizimet e studimeve vëzhguese përfshijnë mundësinë e kauzalitetit të kundërt, që do të thotë se kur identifikohet një lidhje midis zakoneve të gjumit dhe PAD, është e paqartë nëse zakonet e gjumit çuan në PAD ose nëse të paturit e PAD ndikoi në zakonet e gjumit.

Rastësia Mendeliane është një teknikë e besueshme për vlerësimin e shkakësisë, duke ofruar besim më të madh në gjetjet.

Lidhja midis kohëzgjatjes së shkurtër të gjumit dhe PAD

Në një studim vëzhgues që përfshin 53,416 të rritur, gjumi më pak se pesë orë në natë gati dyfishoi rrezikun e PAD krahasuar me gjumin shtatë deri në tetë orë. Analizat shtesë me 156,582 dhe 452,028 individë e mbështetën këtë gjetje.

Në studimet shkakësore, jo vetëm që gjumi i shkurtër ishte i lidhur me një rrezik të shtuar të PAD, por të pasurit e PAD gjithashtu rriti gjasat për të mos fjetur mjaftueshëm.

Këto rezultate sugjerojnë se gjumi i pamjaftueshëm gjatë natës mund ta rrisë rrezikun e zhvillimit të PAD, dhe të kesh PAD, nga ana tjetër, mund të çojë në gjumë joadekuat.

Në rastin e gjumit të gjatë, një studim vëzhgues i 53,416 të rriturve zbuloi se gjumi prej tetë ose më shumë orë në natë lidhej me një rrezik 24% të rritur të PAD krahasuar me gjumin shtatë deri në tetë orë.

Ky vëzhgim u mbështet nga analizat në dy grupe më të mëdha prej 156,582 dhe 452,028 individësh.

Megjithatë, nuk u zbulua asnjë lidhje shkak-pasojë midis gjumit të gjatë dhe PAD.

Studiuesit raportuan gjetje të ngjashme për dremitjen gjatë ditës, ku ata që kishin dremitur kishin një rrezik 32% më të lartë të PAD sesa ata që nuk kishin dremitur, mirëpo, prapë, nuk u krijuan lidhje shkakësore.

Dr Rigved Tadwalkar, kardiolog i certifikuar nga bordi në Pacific Heart Institute në Santa Monica, SHBA, i pa përfshirë në këtë hulumtim, thotë për Medical News Today se “ky është një studim i bashkuar mirë që vlerëson më mirë marrëdhënien e kohëzgjatjes së gjumit me PAD”.

“Studimi është me vlerë të lartë sepse studimet e mëparshme që eksploronin këtë lidhje kanë qenë të kufizuara, për shkak të dizajnit më pak të fortë të studimit dhe fuqisë më të ulët statistikore”, shpjegon Dr Tadwalkar.

Implikimet e studimit

Dr. Tadwalkar vuri në dukje se implikimet për pacientët dhe publikun janë të rëndësishme, duke i thënë Medical News Today se vitin e kaluar, Shoqata Amerikane e Zemrës publikoi një dokument të quajtur “Life’s Essential 8”.

Dokumenti është një përditësim i “Life’s Simple 7” dhe synon ta përmirësojë shëndetin publik duke ofruar udhëzime për ndryshimet e stilit të jetesës që mund ta zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Përditësimi i ri shton një komponent të tetë, duke u fokusuar në kohëzgjatjen e gjumit.

“Në “Life’s Essential 8″, sqarohet se koha prej 7-9 orësh me gjumë është optimale nga perspektiva kardiovaskulare, në bazë të kërkimeve të tjera”, thotë Dr. Tadwalkar.

“Analizat kryesore nga ky studim e mbështesin gjithashtu këtë rekomandim, pasi ata që flinin në intervalin shtatë-tetë orë dukej se ia dilnin më mirë kur bëhet fjalë për PAD. Në fund të fundit, kjo e nënvizon rëndësinë e një pushimi të mirë të natës në shëndetin kardiovaskular”, shton ai.

Çfarë mendojnë ekspertët?

Dr. Tadwalkar thotë gjithashtu se “Nevojitet një ndërgjegjësim më i madh për rëndësinë e gjumit me cilësi të lartë për individët për t’i maksimizuar rezultatet e tyre shëndetësore”.

Dr. Devin W. Kehl, kardiolog në Qendrën Shëndetësore Providence Saint John në Santa Monica, SHBA, i pa përfshirë në kërkimin aktual, u pajtua, duke thënë se “ky studim i shton të dhënave në rritje që tregojnë lidhje të forta dhe të qëndrueshme midis cilësisë së gjumit dhe rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare”.

Dr. Collin Johnston, mjek i certifikuar nga bordi me trajnime specialiteti në procedurat vaskulare, gjithashtu i pa përfshirë në hulumtim, thotë se “në vitet e mia të mjekësisë, gjithmonë kam besuar se modeli mjekësor perëndimor duhet të përpiqet dhe të fokusohet më shumë në parandalimin e sëmundjeve dhe jo vetëm në trajtimin e sëmundjes”.

“Fatkeqësisht, gjatë shkollimit tim mjekësor dhe trajnimit të rezidencës, një pjesë relativisht e vogël e kohës u shpenzua për ta mësuar rëndësinë e parimeve bazë të shëndetit, të tillë si ushqimi i ekuilibruar mirë, aktiviteti fizik i vazhdueshëm dhe i shpeshtë dhe roli integral që e praktikon cilësia e “higjienës së gjumit” mund të ndihmojë në parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve kronike”, shton Dr. Johnston.

Sipas tij, “[një] fokus më i fortë në studimet që i vërtetojnë shkencërisht përfitimet e ndryshimeve relativisht të thjeshta të stilit të jetesës mund të ketë një efekt të fortë pozitiv si për pacientët ashtu edhe për praktikuesit”.

“Kjo mund t’i ndihmojë praktikuesit t’i edukojnë pacientët e tyre me më shumë besim kur u mësojnë atyre parime të rëndësishme për të qenë proaktivë në vend që të reagojnë me shëndetin e tyre”, shton Dr. Johnston./Medical News Today

Përgatiti: Nuhi Shala