Rrahman Jasharaj | Foto: RTV 21

SBAShK-u kundërshton kompensimin e orëve, paralajmëron padi ndaj Bytyqit

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) e ka quajtur të jashtëligjshëm vendimin e MAShT-it për zëvendësimin e orëve mësimore të humbura gjatë grevës në arsim.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj në një prononcim për KALLXO.com tha se do të bëjnë edhe padi ndaj ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

“Konsiderojmë që është jo ligjore ky vendim pasi që bie ndesh me ligjin për greva, që nuk obligon kompensimin e tyre dhe SBASHK-u në konsultim me avokatë dhe me juristin tonë, po presim që ky vendim të publikohet në webfaqe  dhe të njejtin vendim do ta dërgojmë në gjykatë, duke kërkuar edhe supsendimin e përkohshëm të ministrit dhe duke pritur vendimin e gjykatës”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se kjo madje nuk i është bërë e ditur edhe gjatë takimit të tij të djeshëm me ministrin, Bytyqi.

“Ne e kontesojmë dhe jemi kundër këtij vendimi nga dy cështje: sepse është i një anshëm dhe sepse ministri nuk është konsultuar me ne. Kur dje ishim në takim me të edhe me drejtoreshën e Evropiane për Arsim dhe nuk u tha asnjë fjalë lidhur me këtë, mendoj se MASHT-I është dashur të konsultohet me neve dhe me drejtoritë arismore”, tha Jasharaj.