Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Ramush Haradinaj paralajmëron: Ndryshimi i kufirit me Serbinë 'nënkupton luftë'

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se shkëmbimi i territoreve me Serbinë “do të thotë luftë” dhe u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që të shuajnë shpejt idenë që, sipas tij, vetëm nxit përpjekjet ruse për të destabilizuar Ballkanin, raporton The Irish Times.

“Nëse e rihapim atë që tashmë është rënë dakord, kjo do të thotë të hapësh të kaluarën dhe në rajonin tonë të hapësh mjetet e kaluara do të thotë të hapësh luftëra. Të gjithë këta kufij janë rezultat i luftërave tragjike”, tha Haradinaj për The Irish Times.

Haradinaj pranoi se qëndrimi i tij e vë atë në një rrjedhë përplasjeje me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq është i hapur për ndryshimet kufitare si pjesë e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ditët  e fundit zyrtarët e lartë të BE dhe SHBA kanë thënë se nuk do të kundërshtonin një marrëveshje të tillë për aq kohë sa nuk shkakton probleme në vende të tjera në Ballkan, ku shumë njerëz kanë frikë se ndryshimi i kufijve – sidomos përgjatë vijave etnike – do të shkaktonte një efekt domino të rrezikshëm, në një rajon që ende po shërohet nga luftërat e viteve 1990.

Disa parti politike të Kosovës që kundërshtojnë planin e  Thaçit, duan të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit javën e ardhshme, për të votuar një rezolutë, para se Thaçi të udhëtojë në Bruksel për ta takuar Vuçiqin më 7 shtator.