Ditmir Bushati, ministër i jashtëm i Shqipërisë. Foto: Kallxo.com

Ish ministri Ditmir Bushati: Kosova dobëson pozicionin e vet me hapjen e temës për kufijtë

Ditmir Bushati, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, reagoi ndaj hulumtimit të Jeta Xharrës i cili tregonte prapaskenat e një kontrate të Ministrisë së Integrimeve Evropiane me një kompani franceze në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Bushati në rrjetin e tij social Tëitter shkroi se kjo storje e shpalosur është e tmerrshme dhe se sjellja e kësaj teme në tavolinë të diskutimeve dobëson Kosovën ndërkombëtarisht.

“Shpalosje e një storje të shëmtuar nga Jeta Xharra. Sjellja e temës për shkëmbim territoresh në tavolinë dhe drejtimi i gjithë procesit se si Serbia duhet të kompensohet për t’i dhënë fund konfliktit me Kosovën përmes një njohje eventuale si shtet, dobëson pozicionin e Kosovës si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht,” u shpreh Bushati.

Sot gjatë ditës BIRN publikoi një hulumtim ku në vitin 2019, taksapaguesit e Kosovës kanë alokuar shumën prej 168,000 eurosh për një kompani mardhëniesh me publikun të quajtur ‘Majorelle PR & Events’ me seli në Paris përmes Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, mes tjerash, kompania ishte e ngarkuar të formësojë një mendim evropian në favor të asaj që përshkruhet si “pozicioni i Kosovës” që mbështet “modifikimin territorial” si një mjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Një prej pak rezultateve konkrete të marra në këmbim të 168,000 eurove ishte një raport pesëfaqësh me një anglishte të dobët të cilën kjo kompani e kishte adresuar te Qëndrim Gashi, Ambasadori i Kosovës në Francë. Raporti është i datës 20 shtator 2019.