Nga protestat e sotme me bllokim rrugësh | Foto: KALLXO.com

Qytetarët Bllokojnë Magjistralet, Shkaku i Zgjedhjeve Serbe në Kosovë

Në fakt, Vuçiqit i ishte dhënë dje leja për të qëndruar në Leposaviq për disa orë, por në orët e mbrëmjes ai e anuloi vizitën duke e akuzuar qeverinë e Kosovës për “presion dhe cirk”.

Por grupi i qytetarëve të Padalishtës ka dalë të protestojë pavarësisht zhvillimeve të fundit.

“Jemi një grup qytetarët që po protestojmë kundër ardhjes së Vuçiqit në  Kosovë për të bërë fushatë”, tha njëri nga protestuesit, Berat Thaçi, për KALLXO.com.

Ai tha së nga ora 8 e mëngjesit bashkë me një grup qytetarësh kanë bllokuar rrugën magjistrale Mitrovicë- Pejë.

Protesta të ngjashme me bllokime rrugësh janë duke u mbajtur edhe në dy lokacione tjera, një në hyrje të Mitrovicës dhe një tjetër afër Vushtrrisë, që të dyja në magjistralen Mitrovicë- Prishtinë.

Drejtori rajonal i Policisë për Mitrovicën e Jugut, Nehat Thaçi, konfirmoi për KALLXO.com se tri protesta të qytetarëve janë duke u mbajtur njëkohësisht.

Ai tha se policia është në vendin ku po protestohet dhe se deri më tani, sipas tij, nuk ka ndonjë incident.

Qeveria e Kosovës kishte dhënë leje për Kryeministrin serb dhe kandidatin për President Aleksandar Vuçiq që ta vizitojë pjesën veriore të Kosovës për tre orë të mërkurën.

Kosova kishte miratuar një kërkesë nga Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq për ta vizituar Leposaviqin, një komunë veriore me shumicë serbe, të mërkurën teksa ai bën fushatë për zgjedhjet presidenciale të Serbisë.

“Ne kemi marrë një vendim për Aleksandër Vuçiqin që të qëndrojë për tre orë në veri, ku do të vizitojë një shkollë”, tha Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Ky është një vendim i vështirë për qeverinë tonë, duke ditur sjelljet e Serbisë ndaj Kosovës”, shtoi Hoxhaj.

Mirëpo, Kosova kishte ndaluar Ministrin e Mbrojtjes serb, Zoran Gjorgjeviq dhe Ministrin e Brendshëm Nebojsa Stefanoviq që t’i bashkohen Vuçiqit në këtë vizitë.

Vuçic që po kandidon në zgjedhjet presidenciale serbe me Partinë Përparimtare të cilat do të mbahen me 2 prill, tha të hënën se nuk është i sigurt nëse do të vizitojë Kosovës nëse do ti shtrohen kushte nga autoritetet e Prishtinës.