PSD: Nuk kemi marrë ftesë nga Vetëvendosja për protestë

Partia Socialdemokrate bën të ditur se nuk ka marrë ftesë për organizim ose pjesëmarrje në ndonjë protestë nga ndonjë subjekt politik.

“Çështja e dialogut meriton një trajtim më serioz nga opozita”, thuhet në komunikatën e PSD-së.

“Përveç pajtimit për qëndrimet për çështje të caktuara, veçanërisht për dialogun, duhet të kemi pajtueshmëri edhe për metodat e kundërshtimit. Nuk është e drejtë, madje është kundërproduktive që të vendosen subjektet politike para aktit të kryer. Kjo është për t’ua mohuar subjektivitetin. Është tepër e dëmshme si për bashkëpunimin, ashtu edhe për kundërshtimin, nëse këto synohen të bëhen përmes desubjektivizimit e përçmimit të tjetrit bashkëpunues”, thuhet në komunikatën e PSD-së.

PSD bën të ditur se nuk mund të shkojnë prapa organizimeve partiake, në të cilat nuk janë ftuar dhe rrjedhimisht nuk janë të njoftuar me qëllimin dhe synimin e atij organizimi.

“Aventurat e Hashim Thaçit mund të ndalen vetëm bashkë, me opozitë të bashkuar, e në bashkërendim me strukturat e gjera shoqërore dhe me qytetarët. E kundërta i konvenon vetëm projektit të tij”, thuhet tutje në komunikatën e PSD-së.