Kontrata e Dyshimtë me Biznesin e Dënuar 

Komuna e Pejës e ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 680 mijë euro me kompanisë “Conex Group”, pronari i secilës është i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për falsifikim të dokumentacionit. Komuna e Pejës arsyetohet se nuk kanë qenë të informuar se pronari i kompanisë ka qenë i dënuar. Por, Gazeta JnK ka zbuluar se ata janë njoftuar nga eksperti shqyrtues i OSHP-së dhjetë ditë para se me nënshkruar kontratën. Pas prezantimit të raportit të ekspertit, pronësia e kompanisë “Conex Group” ishte ndërruar në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit. Kontrata me kompaninë “Conex Group”  ishte nënshkruar me datën 26 gusht. E me rastin e nënshkrimit të kontratës ishte ndërruar edhe deklarata nën betim e kompanisë, procedurë kjo e domosdoshme kur ka ndërrim të pronësisë së një kompanie e cila hynë në kontraktim me institucionet e Kosovës.

Gjithë këta hapa janë gjetur nga një hulumtim disa javor të Gazetës Jeta në Kosovë në të cilën zbardhen veprimet e dyshimta të institucioneve që janë finalizuar me nënshkrimin e një kontrate 680 mijë euro me kompaninë “Conex Group”.

Tenderë në vlerë mbi 3 milionë euro

Dy projektet që Komuna e Pejës synonte t’i realizonte me kompaninë “Conex Group” ishin proceduar në një periudhë të njëjtë kohore. Me 18 korrik të vitit 2016, në ueb-faqen e KRPP-së janë publikuar dy njoftime për dhënien e kontratës nga Komuna e Pejës. Në të dy njoftimet, për kontratë rekomandohet kompania “Conex Group”. Për projektin: “Ndërtimi i murrit mbrojtës dhe shëtitorja e Lumëbardhit-Ritender” është rekomanduar kompania “Conex Group” për një shumë prej 2 milionë e 587 mijë euro. Edhe për tenderin “Ndërtimi i Stadiumit Shahin Haxhiislami në Pejë”, është rekomanduar për kontratë kompania e njëjtë me një vlerë prej 687 mijë euro.

Për tenderin e Lumbardhit kishte pasur ankesë në OSHP, ndërsa për tenderin për stadiumin nuk ka pasur asnjë ankesë.

Tenderi i Lumbardhit në vlerë prej 2.5 milionë euro, më i përfoluri në komunën e Pejës për keqpërdorime, që ngeci në OSHP më shumë se një vit, shkoi dy herë në rivlerësim, ndërsa u ndërruan tre ekspertë. Në fund të këtij procesi të prokurimit si kompania e vetme përgjegjëse mbeti vetëm kompania “Conex Group”, e cila ishte rekomanduar për kontratë nga Komuna e Pejës me 18 korrik.

Tenderi Kaotik i Lumbardhit në Pejë Ngec në OSHP

Në garë për këtë tender ka qenë edhe Operatori Ekonomik “EnexTrade”, e cila dy herë ishte shpallur fituese e tenderit të Lumbardhit, mirëpo OSHP e kishte anuluar rekomandimin për dhënien e kontratës për këtë kompani pasi ishte konstatuar se Enex kishte dorëzuar referenca të falsifikuara.

“Enex Trade” në ankesën e re të dorëzuar në OSHP kundër njoftimit për dhënie të Kontratës, pretendonte se “Conex Group” ishte e pa përgjegjshme për ta marrë tenderin e Lumbardhit, sepse pronari i saj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Me këtë rast, OSHP-ja kishte vërtetuar pretendimet ankimore të kompanisë “Enex Trade”.

OSHP-ja kishte vendosur që tenderi i Lumbardhit të shkojë në ri-tenderim me arsyetimin se kompania “Conex Group” me pronar Veton Fetahun është e papërshtatshme, sepse ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik neni 65 pika 3.4. Në këtë nen thuhet se Operatori Ekonomik nuk ka të drejtë të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë vjetëve të kaluara është shpallur fajtor për mashtrim apo akt të ngjashëm me mashtrimin nga një gjykatë kompetente.

“Paneli Shqyrtues duke u bazuar në këtë konstaton se OE “Conex Group” është si operator ekonomik i papërshtatshëm … në rastin konkret kemi aktgjykim dënues të marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për pronarin e biznesit OE “Conex Group” sh.p.k Prishtinë, zotëri V.F, për veprat penale: falsifikim, mashtrim dhe deklarim i rremë nën betim, që ndërlidhen me dispozitat ligjore të cekura si më lartë”, thuhet në vendimin e Panelit Shqyrtues të OSHP-së.

Vendimi i OSHP-së ka qenë për tenderin e Lumbardhit, kurse tenderi për ndërtimin e Stadiumit kishte vazhduar sipas procedurës.

Komuna e Pejës e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë operatorin e njëjtë “Conex Group & TIG” me vlerë prej 683 mijë e 803 euro. Në njoftimin e publikuar, me 18 korrik, në ueb-faqen e KRPP-së si person kontraktues i këtij operatori ka qenë Veton Fetahu.

Gazeta JnK ka gjetur se Gjykata Themelore e Prishtinës Departamenti i Krimeve të Rënda, në mars të vitit 2016, e kishte shpallur fajtor Veton Fetahun.

Sipas Aktgjykimit të datës 03 mars 2016, të cilën e ka siguruar Gazeta JnK, Veton Fetahu ishte shpallur fajtor pasi e kishte pranuar fajin se kishte përdorur dokumente të falsifikuara në një tender 1.7 milionësh për ndërtimin e lokaleve afariste në qytezën Pejton në vitin 2013. Ai e ka pranuar se në dosjen e tenderit kishte paraqitur 33 punëtorë pa qenë të lajmëruar në Administratën Tatimore të Kosovës.

Veton Fetahu për mashtrim ishte dënuar me 15 mijë euro gjobë dhe gjashtë muaj burg efektiv, i cili ishte zëvendësuar me 10 mijë euro gjobë. Gjithashtu, atij i janë shqiptuar edhe 500 euro gjobë për falsifikim të dokumentit dhe 500 euro gjobë për deklaratën e rreme nën betim që e nënshkruajnë bizneset para çdo nënshkrimi të kontratës së tenderit.

“Dënimin unik me gjobë në shumë prej 26 mijë euro, i pandehuri është i obliguar ta paguajë në afatin kohor prej 30 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në aktgjykim. Gjykimi për këtë tender 1.7 milionësh është duke vazhduar, ndërsa të akuzuar janë edhe ish kryetari i OSHP-së Hysni Hoxha dhe eksperti i OSHP-së Hysni Muhadri të cilët akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare me qëllim që t’i sjellin dobi pasurore në vlerë prej 1.8 milion euro kompanisë “Conex Group”.

Kryetari i ‘Gjykatës’ së Tenderëve në Bankën e të Akuzuarve

Ndërrimi i dyshimtë i pronësisë së kompanisë

Veton Fetahu ka qenë pronar i kompanisë “Conex Group” në kohën kur e njëjta kompani është rekomanduar për kontratë, me 18 korrik 2016.

“Gazeta JnK” ka gjetur se ndërrimi i pronarit të kompanisë “Conex Group” është bërë në kohën kur Komuna e Pejës synonte të lidhte kontratën me këtë kompani.

“Ju njoftojmë se… me datën 11.08.2016, Veton Fetahu është larguar, ndërsa janë regjistruar pronarët Dardan Fetahu dhe Elhame Fetahu”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në kërkesën e Gazetës JnK për qasje në historikun e kompanisë “Conex Group”.

Veton Fetahu ka qenë pronar i kësaj kompanie që nga viti 2008.

Madje ndërrimi i pronarit në kompaninë Conex është bërë vetëm disa ditë pasi Komuna e Pejës e kishte pranuar raportin e Ekspertit Shqyrtues të OSHP-së, në të cilin konstatohej se kompania ishte e papërshtatshme pasi pronari i saj ishte i dënuar me dënim të formës së prerë.

Menaxheri i Prokurimit në Komunën e Pejës, Xhemë Berisha, për Gazetën Jeta në Kosovë thotë të mos kenë qenë në dijeni për të kaluarën e Fetahut.

“Komuna e Pejës nuk ka qenë në dijeni se Veton Fetahu është i gjykuar e as kompania e tij, s’ka pas dokumentacion. Dokumentacionin të cilin e kemi kërkuar në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë, ai e ka kompletuar gjatë procedurës të prokurimit. As komisioni vlerësues, as komisioni i hapjes, e as ish menaxheri i prokurimit nuk kanë pasur informata. Kompania ka prezantuar informacione valide, e ka dorëzuar edhe vërtetimin nga Gjykata Ekonomike se kompania nuk është e dënuar”, tha Berisha.

Por, të kundërtën e dëshmojnë dokumentet e publikuara nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, të cilët e kanë shqyrtuar një lëndë që për palë kanë qenë operatori “Conex Group” dhe Komuna e Pejës.

“…me datë 04.08.2016, Gjykata Themelore Prishtinë na informon përmes e-mailit shkresës, se Gjykata Themelore në Prishtinë me datë 03.03.2016 ka shpallur akt-Gjykimin për të akuzuarin V.F, për veprat penale: falsifikim, mashtrim dhe deklarim i rremë nën betim. Eksperti Shqyrtues duke u bazuar në këtë shkresë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë konstaton se OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm në bazë të nenit 65, paragrafi 3 dhe 3.4 të LPP-së”, thuhet në vendimin e OSHP-së për rastin e tenderit të Lumbardhit, në të cilin citohet raporti i ekspertit shqyrtues.

Ky raport i ekspertit, sipas procedurës, u dërgohet kompanisë ankuese dhe Autoritetit Kontraktues, në këtë rast Komunës së Pejës. Ato pastaj duhet të deklarohen nëse pajtohen me të gjeturat dhe konstatimet e ekspertit shqyrtues.

Përkundër që konstatimi i ekspertit shqyrtues ka qenë i bazuar në përgjigjen e Gjykatës, Komuna e Pejës nuk është pajtuar me raportin e ekspertit.

“Me datën 09 gusht 2016, autoriteti kontraktues KK Pejë, ka njoftuar Panelin Shqyrtues se nuk janë pajtuar me raportin e ekspertit shqyrtues, por i mbetet Panelit Shqyrtues që të merr vendim meritor lidhur me këtë aktivitet të prokurimit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Komuna e Pejës ka vazhduar me nënshkrimin e kontratës me kompaninë Conex që nga OSHP-ja ishte kualifikuar si e p-përshtatshme për të marrë punë nga institucionet e Kosovës.

E deri te nënshkrimi i kontratës janë edhe disa mos-përputhje të datave që i raporton Komuna e Pejës dhe ato që janë nëpër dokumentet e OSHP-së dhe KRPP-së.

OSHP-ja thotë se vendimin për rastin e Lumbardhit e kanë marrë me datën 17 gusht. Një datë tjetër e jep Komuna e Pejës.

“OSHP-ja me datën 01 shtator e ka marrë një vendim, vetëm se tek ne ka ardhur dy ditë më vonë që operatori ekonomik është i papërgjegjshëm sepse Veton Fetahu pronari i kësaj kompanie e paska pas një aktgjykim. Ne e kemi dërguar kërkesë në OSHP te zyra ligjore për të pyetur si me vepru tash në këtë rastin tjetër, por ata na kanë thëne se ne nuk jemi kompetentë për interpretim të ligjit, drejtohuni KRPP-së“, tha menaxheri i prokurimit në Komunën e Pejës, Berisha për Gazetën JnK.

Ndërkohë, në njoftimin për nënshkrimin e kontratës, që është publikuar me datën 5 shtator në ueb-faqen e KRPP-së, thuhet se kontrata është nënshkruar me 2 shtator.

Betimi i dyshimtë

Janë dy dokumente që kërkohen nga operatorët me rastin e konkurrimit në një tender e të cilat garantojnë se kompania nuk është nën hetime. Dokumenti i parë që kërkohet është një vërtetim që e lëshon Gjykata për një kompani me të cilin tregon nëse e njëjta është apo e jo e dënuar. Dhe dokumenti i dytë është një deklaratë e nënshkruar nga operatori që dëshmon se ajo i përmbush kërkesat që dalin nga Ligji i Prokurimit.

Përkundër faktit që pronari i kompanisë “Conex Group” ka qenë i dënuar, Kompania Conex e ka marrë nga Gjykata dokumentin e nevojshëm për ofertim në tenderët publikë.

Gazeta Jeta në Kosovë pas qasjes në dosjen e tenderit të kompanisë “Conex Group” e ka parë vërtetimin nga Gjykata Themelore në Prishtinë se kompania nuk është e dënuar. Ky dokument është i domosdoshëm për të konkurruar në një tender publik, sepse Ligji i Prokurimit e ndalon që të shpërblehen me kontratë kompanitë e dënuara.

Gjatë qasjes në dosjen e tenderit, Gazeta JnK ka gjetur se deklarata nën-betim e kompanisë Conex ka qenë e nënshkruar me datën 26 gusht nga Vigan Syla. Ai është si person kontaktues i kompanisë në regjistrin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve.

Data e nënshkrimit të deklaratës nën-betim është e njëjtë me datën e nënshkrimit të kontratës. I bie që kur është dorëzuar dosja e tenderit “Deklarata Nën betim” ka qenë e nënshkruar nga një person tjetër.

Gazeta ka hulumtuar dhe e ka siguruar ofertën e kompanisë Conex, e cila ishte dorëzuar fillimisht në Komunën e Pejës.

Deklaratën nën-betim të kësaj kompanie e ka nënshkruar Veton Fetahu, si pronar i kësaj kompanie. Deklarata e nënshkruar thotë se dokumentet e dorëzuara për pjesëmarrje në tender janë të sakta dhe i njëjti nuk do të bëjë shkelje ligjore.

Gazeta JnK ka kërkuar interpretimin e Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik për të parë nëse ky ndërrim i dokumentit është i kundërligjshëm. Në KRPP thonë se me rastin e ndërrimit të pronarit të një kompanie që është kontraktues i Autoriteteve Kontraktuese është e nevojshme të bëhet edhe ndërrimi i deklaratës nën betim.

“Ky ndryshim duhet të komunikohet menjëherë nga Operatori Ekonomik në fjalë në çdo fazë të procedurës së tenderit dhe madje edhe gjatë ekzekutimit të kontratës duke dorëzuar dokumentet e kërkuara (siç është edhe deklaratat nën betim) për të dëshmuar përshtatshmërinë (shih paragrafin 2 të nenit 72 të LPP-ës)”, thuhet në interpretimin ligjor të dhënë nga KRPP-ja.

Ish pronari i kompanisë “ConexGroup” Veton Fetahu për Gazetën Jeta në Kosovë theksoi se kompania ka disa vjet që punon është e rregullt në pagesën e tatimeve.

“Ju kisha lutur kontaktoni me Viganin sepse ai e menaxhon kompaninë. Unë jam i dënuar, kurse kompania që 7-8 vjet merr tendera, ka qenë e rregullt në pagesën e tatimeve, s’di pse duhet kjo me paraqitë problem. Ndërsa sa i përket dy personave Dardan Fetahut dhe Elhame Fetahut nuk i kam familjarë të afërt”, tha Veton Fetahu.

Gazeta e ka kontaktuar edhe Vigan Sylën, i cili është përfaqësues i kësaj kompanie. AI tha se kompania të cilën ai tashmë e menaxhon nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore të prokurimit

“Unë jam në kompani prej themelimit, njeriu mundet kujt të dojë t’ia trashëgojë kompaninë, t’ia falë është një gjë shumë personale pse duhet të paraqesë ndonjë problem kjo gjë, e sa i përket tenderit, kompania “ConexGroup” i ka plotësuar të gjitha procedurat ligjore të prokurimit, asgjë nuk kemi bërë jo ligjore”, tha Syla.

Komuna e Pejës fajëson OSHP-në

Gazeta JnK ka kërkuar interpretimin ligjor të KRPP-së për nënshkrimin e kontratës nga Komuna e Pejës me kompaninë “Conex Group”, ish-pronari i së cilës ka qenë i dënuar në momentin e rekomandimit të saj për kontratë.

“Legjislacioni i prokurimit publik nuk ka paraparë rregulla që kanë për qëllim rregullimin se si duhet te trajtohen situata tilla”, ka thënë KRPP-ja në përgjigjen e saj.

Por, ata thonë se ndërrimi i pronarit nuk mund të ndalohet.

“…është e qartë se legjislacioni i prokurimit nuk mund ta pengojë ndërrimin e stafit udhëheqës të kompanive para ose gjatë kryerjes së një procedure të tenderimit, sepse kjo do të përbënte ndërhyrje të paligjshme në ushtrimin e lirë të sipërmarrjes. Në çdo rast, duke mos pasur ndonjë dispozitë të veçantë në LPP që sanksionon sjelljet e tilla de facto, është në diskrecion te  autoritetit kontraktues në fjalë që të dëshmojë sjelljen abuzive të operatorit ekonomik duke prodhuar dëshmitë adekuate”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së.

Neni 99, pika 2 e Ligjit të Prokurimit Publik i ka dhënë kompetencë OSHP-së që ta diskualifikojë ndonjë operator ekonomik deri në një periudhë 1 vjeçare nëse i njëjti paraqet të dhëna të rrema ose dokumente të falsifikuara.

Menaxheri i Prokurimit në Komunën e Pejës e fajëson OSHP-në për këtë komplikim pasi, sipas tij, është OSHP-ja institucioni i cili duhet t’ia ndalojë këtyre kompanive të aplikojnë për tenderë.

“OSHP-ja është ai organ që i shtin bizneset në listën e zezë, OSHP-ja duhet me i njoftu të gjitha autoritetet kontraktuese në Kosovë që ajo kompani është futur në listë të zezë dhe nuk duhet të marrë tender. OSHP-ja se ka ndërmarrë këtë veprim po i doket gjithçka normale tjetër pronar është” tha Berisha. “Ne si autoritet kontraktues, besoj se nuk kemi bërë asnjë shkelje ligjore.”

E OSHP-ja shfajësohet duke thënë se futjen e kompanive në listë të zezë e bën vetëm nëse ka një kërkesë nga ndonjë Autoritet Kontraktues.

“OSHP sqaron, se në pajtim me nenin 99.2 të LPP-së, në bazë të kërkesës me shkrim nga autoriteti kontraktues në lidhje me paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga operatori ekonomik, OSHP është e obliguar dhe ka autoritetin që të shqyrtojë dhe të diskualifikojë operatorin ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë një vjeçare, ju sqarojmë se OSHP-ja nuk ka pranuar asnjëherë kërkesë nga autoriteti kontraktues lidhur me operatorin ekonomik “Conex Group”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.

Ata thonë se vendimi të cilin e kanë marr është vetëm për tenderin e Lumbardhit.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit ju sqaron se aktiviteti i prokurimit” Rregullimin e Stadiumit në Qytetin e Pejës” të cilit aktivitet të prokurimit i referoheni, nuk ka qenë objekt i shqyrtimit në OSHP në vitin 2016, dhe se OSHP-ja ka kompetenca për të shqyrtuar dhe analizuar ankesat e operatorëve ekonomikë dhe vendim-marrjen lidhur me ato ankesa”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së dhënë Gazetës JnK.