Tenderi Kaotik i Lumbardhit në Pejë Ngec në OSHP

Operatorët ekonomikë nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga tenderi “Ndërtimi i murit mbrojtës dhe shëtitorja e Lumbardhit” e nisur në korrik 2015 si aktivitet i prokurimit në vlerë prej 2.5 milion euro.

Por edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) nuk e ka të lehtë ta lëshojë kaq kollaj tenderin, pas parregullsive të shumta dhe aventurave procedurale që duket se kanë sjellë në një ngecje të projektit.

Tenderi në fjalë shkoi rivlerësim, u ndërruan dy ekspertë në dy ekspertiza të ndryshme, dhe ndërsa u hap një ekspertizë e tretë, ende nuk është marrë vendim final për fatin e tij.

Rrjedhimisht, projekti pejan ka mbetur i bllokuar përballë barrikadës së ankesave të operatorëve kryesorë ekonomikë.

Parregullsitë e shumta nga komuna, gërshetuar me ekspertizat kundërthënëse të OSHP-së nuk kanë ndihmuar në zgjidhjen e problemit.

Gjithashtu, parregullsitë e shumta nga komuna, gërshetuar me ekspertizat kundërthënëse të OSHP-së, nuk kanë ndihmuar në zgjidhjen e problemit.

Komuna e Pejës bëri thirrjen për këtë tender në mars të vitit 2015, dhe dy muaj më vonë, tenderi u fitua nga kompania “Enex Trade” me pronar Visar Kelmendin, operator ky i cili mposhti 18 ofertat e tjera.

Por problemet filluan kur më 16 qershor, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) akuzoi “Enex Trade” se në dosjen e tenderit kishte dorëzuar referenca false për kryerjen e punëve të mëhershme.

AKK i kishte mbështetur akuzat për falsifikim në Administratën Tatimore të Kosovës, ku paraqitej se objekti afarist që “Enex Trade” pretendonte se e kishte ndërtuar, në realitet ishte ndërtuar nga një kompani tjetër.

Vetë kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, deshi ta anulojë që në fillim tërë aktivitetin e prokurimit duke u justifikuar me mungesë fondesh, por OSHP-ja nuk e lejoi.

Maratonë Shkeljesh në Tenderin për Lumbardhin në Pejë

OSHP-ja është ende duke u përballur me ankesa, madje ndërroi edhe ekspertin për të tretën herë, por kompanitë e vlerësuara si të përgjegjshme nuk dëshirojnë të heqin dorë nga tenderi.

Përballen ekspertizat: dy kundër një

Në seancën e mbajtur më 16 maj nuk morën pjesë vetëm kompanitë “Menti”, “Armendi & Iseferi” dhe “Canex Group & Alzone”, të cilët nuk u shpallën fitues e që për ta ishte seanca e tretë pas tri ankesave.

Kësaj radhe, përmes një ankese, seancës iu bashkëngjit edhe kompania “Enex Trade” e shpallur fituese herën e parë si edhe pas rivlerësimit.

Ekspertizën e parë e kishte kryer ekspertja e brendshme e OSHP, Shqipe Hoti, ndërsa ekspertizën e dytë e kishte kryer eksperti i jashtëm Shefqet Malushaj.

Malushaj kishte konstatuar se kompania “Enex Trade” ishte e papërgjegjshme, por të papërgjegjshëm ishin edhe kompanitë “Menti” dhe “Armendi & Istrefaj”.

Sipas ekspertit Maluashaj, tenderi duhej të anulohej sepse vetëm kompania “Canex Group & Alzone” me ofertën e saj më të shtrenjtë ishte e përgjegjshme – një konstatim që binte ndesh me atë të ekspertes Hoti.

Lënda kishte mbetur pa u shqyrtuar duke qenë se kryetari Hysni Hoxha kishte dhënë dorëheqjen.

OSHP-ja sa e kishte ende funksional bordin me kryetar Hysni Hoxhën, kishte marrë vendim që ky tender të mos anulohej për të shkojë në rivlerësim për herën e dytë, vendim ky që nuk i kishte pëlqyer as Komunës së Pejës.

Ankesat kishin vazhduar dhe lënda ishte rikthyer në OSHP por kishte mbetur pa u shqyrtuar në mungesë të bordit, duke qenë se gjatë kësaj kohe kryetari Hysni Hoxha kishte dhënë dorëheqjen.

Pas kompletimit të bordit lënda po shqyrtohet përsëri, por përfundimi nuk dihet se kur do të vijë.

Ekspertiza e tretë e Basri Fazliut ishte e ngjashme me ekspertizën e Shefqet Malushajt, i cili kishte konstatuar se për tenderin e Lumbardhit ishte e përgjegjshme vetëm kompania “Canex Group & Alzone”.

Dy ekspertizat e fundit arritën në përfundimin se tenderi duhet të anulohej.

Eksperti Fazliu, gjithashtu, sugjeroi që tenderi të anulohet për shkak se kontrata nuk mund të finalizohej me të vetmin operator ekonomik të përgjegjshëm.

Eksperti cilësoi si të papërgjegjshme kompaninë “Menti” sepse kishte ofertuar çmime jo-normalisht të ulëta, kompaninë “Armendi & Iseferi” sepse nuk kishte ofruar kontrata dhe referenca në vlerë prej 3 milionë euro, dhe kompaninë fituese “Enex Trade” për shkak të referencave të pavërteta.

Ndërsa sa i përket ankesës së kompanisë “Canex Group”, eksperti tha se në mungesë të dy operatorëve të tjerë të përgjegjshëm në garë, përzgjedhja e një fituesi ishte e pamundur.

“I njëjti [Canex Group] pretendon të detyrojë OSHP-në dhe Autoritetin Kontraktues [AK] të nënshkruajë kontratën në kundërshtim me nenin 32.5 të ligjit të prokurimit pasi dihet mirë se në mungesë të dy OE [operatorëve ekonomikë] të përgjegjshëm, AK do anulojë aktivitetin e prokurimit”, tha Fazliu.

Konkurrentët ‘bashkohen’ kundër OSHP-së

Visar Kelmendi, pronar i kompanisë “Enex Trade”, dikur e shpallur fituese e tenderit, nuk pajtohet me mendimin e ekspertit për anulim: “Ne i kemi dërguar referencat, AK [autoriteti kontraktues] është dashur të kontaktojë me personat fizikë për t’i vërtetuar ato”.

Islam Shoshi, pronar i kompanisë “Menti”, si ankues për të tretën herë tha se “çmimet e dhëna nga kompania janë të arsyeshme sepse ne vetë jemi prodhues të betonit, kemi bonuse nga partnerët tanë, ne kemi dhënë garancion për përmbushjen e kërkesave të AK”.

Burim Llullaku, pronar i kompanisë “Armendi & Iseferi”, është kundër rekomandimeve të ekspertëve Hoxha dhe Fazliu për anulim të tenderit, duke pretenduar se ekspertiza e parë kishte konfirmuar vlefshmërinë e referencave të tij.

“Referencat e mia janë të vlefshme, këto i ka vërtetuar edhe ekspertja Shqipe Hoti”, tha Llullaku.

Secila kompani pretendoi se kishte të drejtë shpallej fituese.

Kurse pronari i kompanisë “Canex Group”, Veton Fetahu, si operatori i vetëm i përgjegjshëm i këtij tenderi nuk pajtohet me mundësinë e anulimit, duke pretenduar se ky meqenëse ekziston një ofertë e përgjegjshme procesi duhet të vazhdojë.

“Mendimi im është se nuk është dashur të ftohen OE [operatorë ekonomikë] ankues, pasi po vazhdojmë kështu me ankesa në OSHP për çdo veprim, e kjo do të shkojë në pafundësi”, tha Fetahu.

Ndërkaq, Komuna e Pejës pozicionohet e palëkundur nga qëndrimi i saj fillestar për ta anuluar tenderin, duke mbështetur argumentet e dhëna në dy ekspertizat e fundit të OSHP-së.

Komuna e Pejës këmbëngul se tenderi duhet anuluar.

Përfaqësuesi i Komunës së Pejës, Haxhi Gashi, theksoi se ata nuk kanë presione nga askush, dhe kërkoi që tenderi duhet të anulohet për shkak të mos-përmbushjes së kërkesave nga kompanitë në garë.

“E pasi kemi vetëm një OE [operator ekonomik] të përgjegjshëm ,“Canex Group & Alzone”, [ndaj] ne qëndrojmë para vendimit ta anulojmë tenderin”, tha Gashi.

“Enex Trade”, “Menti” dhe “Armendi & Iseferi” kërkuan para panelit të OSHP-së që lënda të shkojë në rivlerësim, ndërsa “Canex Group” kërkoi që të nënshkruhet kontrata.

Akuza për falsifikime dhe gjykime penale

Kompania “Canex Group” që me këmbëngulje po kërkon nënshkrimin e kontratës si kompani e vetme përgjegjëse, akuzohet se në vitin 2013 ka mashtruar OSHP-në me dokumentacion fals.

Ky incident çoi në bankën e të akuzuarve ish-kryetarin Hysni Hoxha dhe ekspertin shqyrtues të OSHP-së, Hysni Muhadri.

Aktakuza e ngritur në dhjetor 2014, pretendon se OSHP me dashje i kishte sjellë dobi pasurore në vlerë prej 1.7 milionë euro kompanisë “Canex Group” me dokumente të falsifikuara të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për “ndërtimin e lokaleve afariste në Qytezën Pejton”.

Ngritet Aktakuzë Ndaj Shefit të Tenderëve, Hysni Hoxha

Veton Fetahu, pronari i “Canex Group”, në mars 2015 e kishte pranuar fajësinë dhe kishte arritur marrëveshje duke u dakorduar që për veprat të cilat akuzohet, të dënohet me 6 muaj burg efektiv dhe 16,000 euro.

Gjykata ende nuk ka marrë vendim për rastin në fjalë, përderisa Ligji i Prokurimit 04/L-042 neni 65 pika 3 lejon që operatorët ekonomikë mund të marrin pjesë në aktivitete të prokurimit derisa nuk janë shpallur fajtorë nga ndonjë gjykatë kompetente.

Kjo është arsyeja që Veton Fetahu mbron ankesën e vet në OSHP dhe pretendon me këmbëngulje se kompania e tij “Canex Group” duhet ta marrë tenderin e Lumbardhit.

Përderisa paneli shqyrtues i OSHP-së të marrë vendimin se çka do të ndodhë me fatin e këtij tenderi, ku secila palë ka pretendimet e veta, askush nuk po kërkon përgjegjësi nga Komuna e Pejës për dhënien e këtij tenderit dy herë kompanisë së njëjtë “Enex Trade”, e cila pas ekspertizës së tretë doli e papërgjegjshme.

Gjithashtu, askush nuk po kërkon përgjegjësi nga OSHP-ja për ekspertizat shumë të ndryshme të ekspertëve për të njëjtin tender.