Pas raportimit të KALLXO.com, stafi i Pacollit përmirëson gabimin

Stafi i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacollit, ka përmirësuar një gabim, kur kishte publikuar një informatë rreth takimeve që shefi i diplomacisë kosovare po i zhvillon me burrështetas nga vende të ndryshme të botës.

Siç raportoi KALLXO.com, në informatën e ministrit Pacolli për takimin me kryeministrin e Samoas ishte publikuar një fotografi me një zyrtar tjetër e jo me Susuga Tuilaepa Sailele Malielegaoi.

KALLXO.com ka kontaktuar ministrin Pacolli, i cili tha se me postimin e informacioneve dhe fotografive në profilin e tij në “Facebook” merret stafi i tij.

Ndërsa, këshilltari i ministrit, Jetlir Zymberaj, tha për KALLXO.com se lidhur me rastin e raportuar nga KALLXO.com ka ndodhur një ngatërresë me fotografitë.

https://kallxo.com/hutohet-pacolli-ngaterron-kryeministrin-e-samoas/

Në vend të fotos me kryeministrin Susuga Tuilaepa Sailele Malielegaoi, janë publikuar  fotografitë me ambasadorin e Samoas, me të cilin ministri Pacolli ishte takuar në fillim.

Zyberaj tha se tashmë janë ndërruar fotografitë dhe se tani gjendet kryeministri, Susuga Tuilaepa Sailele Malielegaoi.

“I kanë ngatërruar stafi fotot sepse unë nuk jam në New York, jam në Kosovë. Në fotografitë e publikuara është ambasadori i Samoa’s në OKB sepse ai i ka pritur në fillim kur kanë shkuar, mirëpo tani e kemi rregulluar, në foto është kryeministri tash”, tha Zyberaj për KALLXO.com.

Më poshtë mund ta gjeni postimin me gabim dhe atë të përmirësuar.