Në javën e skandalit të fajdeve Kadri Veseli premton reforma

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka takuar strukturat e reja të degës së partisë në Vushtrri, ku ka diskutuar për vizionin e “Dekadës së Re”, të cilën e ai e cilësoi vizion i të ardhmes së PDK-së dhe Kosovës.

“Nuk ka dorë që mund të na ndalë në rrugën e reformave rrënjësore për të krijuar mundësi për njerëz me energji të reja, me novatorë e ndërmarrës që do ta zhvillojnë më fuqishëm ekonominë vendit tonë. Ne do të merremi me projektet e së ardhmes, me Dekadën e Re, për Kosovën e integruar drejt Bashkimit Evropian, në NATO dhe partneritet me SHBA-të. Ky është vizioni dhe qëllimi ynë për të ardhmen”, tha Veseli.

Pjesë të reformave Veseli e cilësoi faktin se  më shumë se gjysma e kryetarëve të nëndegëve dhe degëve janë zgjedhur të rinj.

Lideri i PDK-së foli edhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa bëri thirrje për luftë ndaj këtyre dukurive negative me më shumë guxim, në mënyrë që mos të mbrohet askush, pavarësisht përkatësisë partiake.

“Unë besoj se Kosova do të rrugëtojë suksesshëm, do të bëjë më shumë në proceset zhvillimore drejt Bashkimit Evropian. Njerëzit e presin këtë nga ne. Kjo do të arrihet përmes një koncepti dhe vizioni që jemi duke e zhvilluar në Dekadën e Re. Asetin themelor, kapitalin human, ta përdorim në mënyrë adekuate, për inovacion ndërmarrësi dhe resurse natyrore”, theksoi ai.

Këto deklarata për reforma dhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar Veseli i bëri në javën kur shpërtheu skandali, në të cilin shihen persona duke marrë para nga një biznesmen dhe aty përmendet edhe vetë emri i Kadri Veselit.

Njëri ndër personat që u shfaq në pamje ishte edhe Rrahim Hashimi.

Rrahim Hashimi ishte njëri nga të arrestuarit për fajde, mashtrim dhe detyrim, por ai u lirua për shkak se vepra penale për të cilin dyshohej ishte vjetërsuar sepse pretendohet se është kryer në vitin 2012.

Rrahim Hashimi u arrestua bashkë me Ismet Osmanin, i njohur si “Curri”, dhe tre të dyshuarit e tjerë Adil Thaqi, Mentor Maqani dhe Ilir Bojku.

KALLXO.com raportoi në vazhdimësi për aferën e fajdeve.

https://kallxo.com/arrestohen-pese-persona-per-perfshirje-ne-vepra-penale-fajde/

https://kallxo.com/kadri-veseli-jap-doreheqje-nese-del-nje-indikacion-i-perfshirjes-sime-ne-aferen-e-200-mije-eurove/