Rrahim Hashimi ka pronësi në 10 biznese

Personi që u shfaq në disa pamje duke numëruar para që dyshohet se u morën me fajde, Rrahim Hashimi del të jetë person që posedon pronësi në të paktën 10 biznese.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, Rrahim Hashimi figuron si person që ka hise në katër biznese, statusi i të cilave është i shuar. Përveç kësaj, Hashimi ka aksione në gjashtë biznese të tjera të cilat janë me status aktive.

Bizneset në të cilat Hashimi ka aksione janë të fushave të ndryshme. Ka biznese që për aktivitet primar ka lojërat e fatit, ndërtimin e objekteve, prodhimin e energjisë, prodhimin e filmave, siguri publike dhe private dhe konsulencë për bizneset.

Biznesi “Kosova- Bet Sh.P.K”, që për aktivitet primar ka aktivitetin e lojërave të fatit dhe bastoreve, Rrahim Hashimi ka 10 për qind të kapitalit në vlerë prej 40 mijë euro. Kapitali i përgjithshëm i këtij biznesi është deklaruar 400 mijë euro.

Një biznes tjetër në emër të Rrahim Hashimit është edhe “Code Security Sh.P.K” statusi i të cilit figuron si i shuar. Kapitali i përgjithshëm i deklaruar në ARBK është 3 mijë e 700 euro. Sipas përshkrimit, ky biznes i tij aktivitetin primar e ka aktivitetet e rendit dhe të sigurisë publike dhe sigurisë private. Në këtë biznes, Hashimi ishte drejtor i përgjithshëm dhe pronar i vetëm i këtij biznesi.

Një biznes i cili është aktiv dhe në të cilin Rrahim Hashimi është njëri nga pronarët e biznesit “West Investigation & Advisory L.L.C.”. Vlera e përgjithshme e kapitalit të këtij biznesi është 50 mijë euro, ndërsa aktivitetin primar i tij është këshillimi për biznese dhe këshillat e tjera për menaxhim. Hashimi në këtë biznes ka 31 për qind të kapitalit apo 15 mijë e 500 euro. Ortak në këtë biznes figuron edhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj. Kapitali i Haradinajt në këtë biznes është 30 për qind apo 15 mijë euro.

“WEST FASHION POINT L.L.C.” është biznesi tjetër i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në emër të Rrahim Hashimit.

Vlera e përgjithshme e këtij biznesi arrin shifrën e 1 milion eurove. Hashimi është drejtor i këtij biznesi dhe posedon 100 për qind të kapitalit. Aktiviteti primar i këtij biznesi është tregtia me shumicë e tekstileve.

Një biznes tjetër me kapital të përgjithshëm prej 1 milion eurove në emër të Rrahim Hashmit është edhe “Movie House Milot & Eliot Pictures L.L.C.”. Ky biznes figuron si i shuar në ARBK. Hashimi figuron si drejtor i këtij biznesi i cili si aktivitet primar ka të deklaruar prodhimin e filmave, videove dhe programeve televizive.

Protagonisti i pamjeve që shfaqi KTV ditë më parë ka edhe një biznes tjetër që për aktivitet primar ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore.

Biznesi mban emrin “CITY – GROUP L.L.C.” dhe në këtë biznes, Hashimi është personi i vetëm me kapital 100 për qind të tij.

Ai ka edhe një biznes tjetër që aktivitet primar e kanë lojërat e fatit dhe bastoret. Emri i këtij biznesi të deklaruar në ARBK është  “CITY BET L.L.C.”. Sipas deklarimit, Hashimi figuron si drejtor menaxhues dhe ka kapitalin 100 për qind të tij që arrin vlerën e përgjithshme të 1 mijë eurove dhe figuron si biznes i shuar.

“WEST HEALTH & MEDICAL L.L.C.” është një tjetër biznes i deklaruar nga Rrahim Hashimi në ARBK.

Kapitali i përgjithshëm i deklaruar është 1 mijë euro, ndërsa ai posedon 51 për qind të tij. Aktiviteti primar i deklaruar është si agjenci për punësime.

Rrahim Hashimi ka edhe një biznes që aktivitet primar të deklaruar prodhimin e energjisë elektrike me emër “WEST E.P.T. L.L.C.”.

Vlera e përgjithshme e këtij biznesi arrin në 10 mijë euro, ndërsa i gjithë kapitali, 100 për qind është në emër të tij.

“ALBCAN SH.P.K.” është biznesi i fundit që është i regjistruar pranë ARBK-së. Ky biznes si aktivitet primar të deklaruar ka lojërat e fatit dhe basteve.

Kapitali i përgjithshëm i paraqitur arrin vlerën e 35 mijë eurove dhe Hashimi është posedues i tij 100 për qind.

Rrahim Hashimi ishte njëri nga të arrestuarit për fajde, mashtrim dhe detyrim, por ai u lirua për shkak se vepra penale për të cilin dyshohej ishte vjetërsuar sepse pretendohet se është kryer në vitin 2012.

Rrahim Hashimi u arrestua bashkë me Ismet Osmanin, I njohur si “Curri”, dhe tre të dyshuarit e tjerë Adil Thaqi, Mentor Maqani dhe Ilir Bojku.

Një vit më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj tij dhe komandantit të Policisë për rajonin e Ferizajt Emin Beqirit.

Hashimi akuzohej për ushtrim ndikimi se ka kërkuar 100 mijë euro ryshfet për të lehtësuar hetimin në një rast penal, ndërsa ish shefi i krimeve ekonomike akuzohej për keqpërdorim të detyrës, pengim të provuarit dhe moslajmërim të veprës penale.

Këto vepra ishin hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit, e cila kishte vlerësuar se nuk ka dyshim të bazuar se të dyshuarit kishin kryer këto vepra penale mirëpo kishte vendosur që Rrahim Hashimi të gjykohej për Mashtrim.

Pas këtij vendimi rasti kishte shkuar në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës.

Supremja kishte konstatuar se Gjykata e Apelit ka gabuar në momentin kur e ka hedhur poshtë akuzën ndaj dy të dyshuarve.

Sipas Supremes, Gjykata e Apelit e ka shkelur ligjin në momentin kur e ka hedhur poshtë aktakuzat ndaj Emin Beqirit dhe akuzën për ushtrim të ndikimit ndaj Rrahim Hashimit.