Foto: KALLXO.COM/Atdhe Mulla

Sonte ndeshja e parë ndërkombëtare e Prishtinës në stadiumin e vet që nga viti 1984

Prishtina sot e zhvillon ndeshjen e parë zyrtare në garat ndërkombëtare në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në vitin 1984 Prishtina kishte debutuar në ish- Ligën e Parë të Jugosllavisë, duke marrë pjesë në “Mitro Cup”. Ky organizim i atëhershëm gjysmëzyrtar, jo në patronatin e UFA-s, ishte ndërmjet katër shteteve të Europës së Mesme,  ish-Jugosllavia, ish-Çekosllovakia, Hungaria dhe Austria. Prishtina ishte ndeshur me skuadrën tani të shuar, Eisenstadt (3:3/2:4), Vasas të Hungarisë (4:2/1:1) dhe Teplice të Çekisë (2:0/1:1).

Prishtina që nga viti 2017  i ka zhvilluar gjashtë ndeshje ndërkombëtare, mirëpo asnjë në stadiumin e saj. Prandaj, ndeshja e nesërme është e para, para publikut vendas.

Kryeqytetasit do të ndeshen me skuadrën nga Gjibraltari St Joseph’s, në raundin preliminar në Europa League, prej orës 20:45.