Vala Pupovci - Dietologe

Si ta mbani peshën nën kontrollë, këshilla nga dietologia Vala Pupovci

Ushqimi i shëndetshëm është bazë për një jetë të mirë dhe  jep mundësi më të vogla për paraqitjen e sëmundjeve të rënda.
Dietologia Vala Pupovci thotë se mënyra e të ushqyerit ndikon shumë në shëndetin dhe jetën e secilit person.

“Kur vjen puna se sa konsultohen njerëzit me dietologë apo profesionistë shëndetësorë më shumë ka interesime për mbipeshë se nënpeshë. Është fakt që njerëzit nuk e dijnë seriozitetin e nënpeshës, shpeshherë probleme të ndryshme janë mungesa e vitaminave e mineraleve ose infertilitet sidomos te vajzat. Varet arsyeja pse kemi ardh te nënpesha nëse është arsyeja te ndonjë dietë strikte mundet me qu deri te çrregullimi në të ushqyer, anoreksi, bulemi e probleme tjera. Problem më i madh është mbipesha për shkak se është shkaktar kryesor i sëmundjeve të zemrës, diabetit. Konsiderohet si një fazë proinflamatore që do të thotë kemi inflamacion që është shkaktar i sëmundjeve të ndryshme përfshirë edhe kancereve. Është shumë me rëndësi me u kujdes në mënyrë që me parandalu ose trajtu mbipeshën ose obezitetin”.

Pupovci e cila tashmë trajton shumë persona që kërkojnë të humbin peshë tregon masat që i merr kur dikush është i gatshëm me humb peshë.
“Masa e parë që e marrim është matja, e marrim një anamnezë aty merren parasysh gjatësia, pesha, sa merret me aktivitete fizike ai person dhe preferencat. E marrim një anamnezë se çka konsumon ai person gjatë ditës që me mujt me përshtat dietën për atë person. Pastaj e përpilojmë një plan të dietës për humbje apo të shtimit në peshë. Nëse marrim kalori po aq sa i shpenzojmë kemi me pas një balancë kemi me mbajtë peshën mirë, nëse marrim më shumë se sa që shpenzojmë kemi me pas shtim në peshë, e nëse marrim më pak kemi me pas humbje të peshës. Në momentin që dikush kërkon me humb peshë kemi me i ul pak kaloritë ditore edhe me këshillu me fillu ndonjë aktivitet fizik. E mira kishte me qenë me i bërë të dyjat bashkë për me i parandalu sëmundjet që vijnë si pasojë e mbipeshës”, thotë ajo.

Ajo thotë që në mënyrë që trupit të mos i bëhen dëme pesha duhet të humbet gradualisht e jo përnjëherë.

“Humbja e ngadalshme e peshës e krijon edhe njëfarë stili të jetesës te njerëzit që do të thotë se përveç që e mbajnë atë peshë, e mbajnë për një kohë më të gjatë që është shumë me rëndësi për shëndet”.

Pupovci thotë se njerëzit që hyjnë në dietë pa u konsultuar me profesionistë e rrezikojnë shëndetin e tyre por mbi të gjitha edhe nuk ka efekt.

“Një dietë e shëndetshme për humbje të peshës duhet të përmbajë të gjitha grupet ushqimore, drithërat, karbohidratet dhe proteinat dhe vitaminat B dhe hekurin. Mishi dhe proteinat, gabim është eliminimi total i karbohidrateve, në momentet kur konsumohen në sasi normale nuk ndikojnë në shtim të peshës por çdo ushqim që konsumohet në sasi më të mëdha ndikon në shtim të peshës. Mishi i pulës, i peshkut e fasulet, fasule kemi llojllojshmëri në treg, fatkeqësisht në Kosovë e përdorim vetëm atë të bardhën por mund të përdorim lloje të ndryshme sepse janë shumë të rëndësishme. Mishi i kuq është mirë të konsumohet një herë në javë, produktet e qumështit japin kalciumin, pemët e perimet që janë bazë e çdo diete. Në fund grupi i yndyrave ku hyn vaji, avokado që ndikojnë me mbrojt shëndetin e zemrës tonë. Në nënpeshë kish me qenë e kundërta e mbipeshës me u rrit pak sasia e ushqimit që e konsumojmë gjatë ditës”, thotë dietologia.

Dietologia Pupovci tregon llojin e ushqimeve që duhet të merren përmes një piramide mediterane e cila është e dizajnuar për të eliminuar apo konsumuar sa më pak ushqimet e pashëndetshme.

“Kjo është piramida e ushqimit, në pjesën e poshtëme të piramidës janë ushqimet që duhet të konsumohen çdo ditë. Piramida mund të ndërtohet si do, por këtu e kemi piramidën mediterane, dieta mediterane përmban fruta perime e drithëra, në pjesën e lartë e kemi mishin që duhet të konsumohet jo çdo ditë, më shumë peshk, mish të pulës e mish të kuq dhe të jetë me më pak yndyrë. Kemi ushqimet që duhet të konsumohen në bazë mujore mishi i kuq i fërguar, hamburgerët, dhe në pjesën e sipërme e kemi ushqimin që duhet të konsumohen shumë pak si çipsa, hot dog, ëmbëlsira që fatkeqësisht fëmijët te në i preferojnë më shumë”, thotë dietologia Pupovci.