Studimi: Dieta popullore që mund ta dyfishojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës

Një dietë me pak karbohidrate dhe me shumë yndyrë mund të lidhet me nivele më të larta të kolesterolit “të keq” dhe ta dyfishojë rrezikun e ngjarjeve kardiovaskulare, të tilla si bllokimi i arterieve, sulmet në zemër dhe sulmet në tru, sipas një studimi të ri të raportuar nga CNN.

“Studimi ynë zbuloi se konsumimi i rregullt i një diete me pak karbohidrate dhe yndyrë të lartë lidhet me nivele të larta të kolesterolit LDL, ose kolesterolit “të keq” dhe një rrezik më të lartë të sëmundjeve të zemrës”, thotë autorja e studimit Dr. Iulia Iatan nga Klinika e Programit të Parandalimit “Zemra e Shëndoshë”, në St. Paul, Vankuver.

Ky studim jep një kontribut të rëndësishëm në literaturën shkencore dhe sugjeron që dëmet i tejkalojnë përfitimet, thotë Christopher Gardner, profesor i mjekësisë në Qendrën Kërkimore të Parandalimit të Stanfordit, i cili ka kryer prova klinike mbi dietën keto. Gardner nuk ishte i përfshirë në studim.

Kolesteroli i ngritur LDL nuk duhet të hidhet poshtë si një efekt anësor i papërfillshëm i një diete me kalori shumë të ulët ose keto, thotë Gardner, duke treguar për një rrezik më të lartë të ngjarjeve kardiovaskulare te njerëzit me nivele më të larta të ketonit në gjak, krahasuar me ata në një dietë standarde.

Në studim, shkencëtarët e përcaktuan një dietë me pak karbohidrate si një dietë në të cilën 45 për qind e totalit të kalorive ditore vijnë nga yndyrat dhe 25 për qind nga karbohidratet.

Studimi, i cili nuk kishte një rishikim nga kolegët, u prezantua të dielën në takimin vjetor shkencor të Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë dhe Kongresit Botëror të Kardiologjisë.

Hiperkolesterolemia, ose kolesteroli i lartë, e rrit rrezikun e një personi për sulm në zemër ose ngjarje të tjera kardiovaskulare.

Kjo na bëri ta vëmë në dyshim lidhjen e këtyre dietave me pak karbohidrate dhe me yndyrë të lartë nga njëra anë me nivelet e lipideve dhe sëmundjet kardiovaskulare. Ka të dhëna të kufizuara për këtë marrëdhënie, ka deklaruar Iatan.

Shkencëtarët i kanë krahasuar dietat e 305 njerëzve që hanin një dietë me yndyrë të lartë dhe me pak karbohidrate me rreth 1200 njerëz që kishin një dietë standarde, duke përdorur të dhëna shëndetësore nga subjektet në Mbretërinë e Bashkuar që përfshinin të paktën dhjetë vjet.

Ata zbuluan se njerëzit në dietë keto kishin nivele më të larta të lipoproteinës me densitet të ulët, të njohur gjithashtu si LDL, kolesterol dhe apolipoproteinë B.

Apolipoproteina B është një proteinë që i mbulon proteinat e kolesterolit LDL dhe mund të jetë një indikator më i mirë i sëmundjes së afërt të zemrës sesa nivelet e ngritura të kolesterolit LDL.

Shkencëtarët vunë në dukje gjithashtu se në marrjen totale të yndyrës në dietën keto, përqindja e yndyrës së ngopur ishte më e lartë dhe se dy herë më shumë yndyrë shtazore u konsumua (33%) krahasuar me ato në grupin e kontrollit (16%).

Pas një mesatare prej 11.8 vitesh përcjelljesh dhe pas përshtatjes për faktorë të tjerë rreziku për sëmundjet e zemrës, si diabeti, presioni i lartë i gjakut, obeziteti dhe pirja e duhanit, njerëzit në dietë keto kishin më shumë se dy herë rrezikun e ngjarjeve të mëdha kardiovaskulare, si p.sh., bllokime në arteriet që duheshin hapur me stentë, sulm në zemër, sulm në tru dhe sëmundje të arterieve periferike, zbuluan studiuesit.

Shkencëtarët deklaruan se studimi i tyre “mund të tregojë vetëm një lidhje midis dietës dhe rritjes së rrezikut të ngjarjeve të mëdha kardiake, jo shkakut dhe efektit”, por gjetja është e denjë për studim të mëtejshëm./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala