Pupovci: Numri i fëmijëve me mbipeshë po rritet, këto janë arsyet kryesore

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth vizitave shëndetësore në shkolla.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka thënë se në vitin 2014-2015, 17.2% e fëmijëve kanë qenë obezë.

“Kjo përqindje po rritet dhe tash prej 17% në këtë vit kemi 26.2% të fëmijëve në komunën e Prishtinës janë obezë. Që i bie se nga ai vit është rritur për 9% ky numër” – thotë Sadiku.

Dietologia Vala Pupovci ka thënë se numri i fëmijëve me mbipeshë po rritet dhe një nga arsyet kryesore është se ata nuk merren me ndonjë aktivitet fizik.

“Arsyet janë të ndryshme por kryesorja është që fëmijët nuk merren me aktivitete fizike siç kanë bërë më përpara. Në të njejtën kohë kanë shumë më shumë qasje në ushqime me sasi të lartë të yndyrës e sheqerit, të cilat ndikojnë në mbipeshë. Luan rol gjithashtu edhe faktori ekonomik, ai social, por edhe ai gjenetik” – tha Pupovci.

Vala Pupovci po merret me trajnimin e mësimdhënësve, të cilët do t’u ligjerojnë fëmijëvë për mënyrën e të ushqyerit.

“Trajnimi ka qenë më shumë rreth grupeve ushqimore të shëndetshme me anë të aktiviteteve të ndryshme, në mënyrë që me ua ba edhe fëmijëve më atraktive” – tha ajo.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka thënë se si Komunë kanë trajnuar nga dy mësimdhënës në 52 shkolla të kryeqytetit.

“Arsimtarë të lëndëve të ndryshme dhe qëllimi ynë ka qenë që ne të fillojmë të marrim masa, marrë parasysh që fëmijët kohën më të madhe e kalojnë në shkolla. Ideja është që t’i përfshijmë të gjithë mësimdhënësit e shkollave të Prishtinës dhe këshillin e prindërve” – thotë më tej Sadiku.

Ai ka shtuar se do të propozojnë që të shtohet buxheti në mënyrë që të ndryshojë mënyra e të ushqyerit, duke filluar nga çerdhet.

“Duhet me mendu që edhe qito shujta që po i japim sot në çerdhe me i ndryshu, e këto për nxënës nuk e di pse janë ndërprerë” – thotë Sadiku.

Dietologia Vala Pupovci thotë se kanë bashkëpunuar me Kuzhinën Qendrore, e cila funksionon në nivel të Komunës së Prishtinës dhe sipas saj, ushqimet janë më të shëndetshme sesa kanë qenë më parë.

“Normal që duhet me u rritë buxheti, janë hequr keksat prej mëngjeseve, jemi mundu me shtu tërshërë, krejt brenda mundësive, se sa kanë mundur të pranohen por edhe sa i përket shijes prej fëmijëve, fillimisht menyja ka qenë ndryshe, goxha ka ndërru” – tha tutje ajo.