Foto: FFK

Florent Muslija i bashkohet kombëtares së Kosovës në futboll (VIDEO)

Florent Muslija është futbollisti i radhës që i është bashkuar ekipit kombëtar të Kosovës.

Talenti 20-vjeçar i skuadrës së Bundesligës, Hannover, sonte, e ka nënshkruar deklaratën me të cilën përfundimisht i ka thënë “PO” ekipit të Dardanëve.

Kështu që Muslija do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Bernard Challandes që nga ndeshjet e shtatorit kundër Çekisë dhe Anglisë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të konfirmimit kanë qenë të pranishëm presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe menaxherët e FFK-së në Gjermani, vëllezërit Shoshi e Fekmi Kongjeli.

Në dy ndeshjet e fundit Kosova ka arritur të marrë një barazim dhe një fitore. Kosova e ka marrë një pikë nga barazimi 1 me 1 në fushën e Malit të Zi. Seria prej 14 ndeshjeve pa humbje e Kosovës ka vazhduar edhe ndaj kombëtares së Bullgarisë. Kosova ka arritur ta mposhtë Bullgarinë si mysafire, me rezultat 3 me 2.

Tashmë Kosova radhitet e treta në grupin A, pas Anglisë dhe Republikës së Çekisë. Pas tri ndeshjeve, Kosova ka grumbulluar gjithsej 5 pikë.

Loja e ardhshme e Kosovës do të zhvillohet ndaj Republikës së Çekisë. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, më 7 shtator.