Foto: Kallxo.com

FFK me rregulla strikte për tifozët në ndeshjen ndaj Danimarkës

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka publikuar rregullat që do të aplikohen dhe gjërat që nuk do të lejohen në stadiumin “Fadil Vokrri”, për ndeshjen miqësore Kosovë – Danimarkë.

Ndeshja fillon në ora 19:00, kurse dyert do të hapen në ora 17:00, ndërsa Federata kërkon që tifozët të vijnë me kohë në stadium, për të shmangur tollovitë.

Gjithashtu, FFK-ja bën të ditur se askush pa biletë nuk do të lejohet të hyjë në stadium, përfshirë këtu edhe fëmijët e çfarëdo moshe, ndërsa personat pa biletë do të largohen nga policia.

Kurse gjërat që nuk do të lejohen në stadium janë: mjetet piroteknike, shishet e qelqit, shishet e plastikës, pijet alkoolike, substancat narkotike, ushqimi i çfarëdo lloji (si fara, çipsi, smoki, kikirikë, lajthi, badem), ombrella, armë zjarri, sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosura), kamera profesionale.

FFK-ja bën të ditur gjithashtu se materialet promovuese raciste, ksenofobike, politike apo fetare nuk do të lejohen në stadium.

Federata njofton që për arsye të sigurisë nuk do të lejohet bllokimi i rrugëve të evakuimit në tribuna dhe ulja në shkallët e stadiumit është rreptësisht e ndaluar.

Sipas FFK-së, personat të cilët nuk i përfillin këto rregulla mund të jenë subjekt për ndëshkim nga organet ligjore.