Isa Mustafa | Foto: RTV 21

Mustafa: Vizat duhet t’i hiqen qeverisë që të shkojë në shtëpi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar përmes një publikimi në Facebook për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai ka thënë se edhe pse është ratifikuar demarkacioni vizat nuk janë hequr.

Ai ka thënë se për mosliberalizimin e vizave për qytetarët kanë qenë të informuar të gjithë për shkak se e kanë vonuar marrëveshjen për demarkacionin.

Mustafa ka shtuar se vizat nuk do të hiqen për qytetarët e Kosovës derisa kjo Qeveri ka ministra me aktakuza.

Postimin e plotë të Mustafës mund ta lexoni më poshtë:

“Mbetëm pa përmbushje të zotimeve për liberalizim dhe mbetëm pa përmbushje të zotimeve se kufiri do të zhvendoset ne Çakorr. Ndërkaq, askush nuk merr përgjegjësi

Ishte kontestimi që ia bëri Kryetari i AAK-së, tani Kryeministër, me kauzë të rrejshme marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi që qoi që procesi i liberalizimit të mos fillojë me kohë. Ai dhe disa shërbyes të tij, deputetë e profesorë, ngulnin këmbë se kufiri është në Zhleb dhe Çakorr dhe se Kosova po humb 8200 hektarë. Këtë vit demarkacioni u ratifikua, e votuan 80 deputet, kufiri nuk po lëvizë, mbeti aty ku u caktua me marrëveshje, por vizat nuk u hoqën.

Do të ishte mirë që para ambasadave, ku rreshtohen e maltretohen me qindra qytetarë me nga një çantë dokumente për të marrë një vizë, t’ua vejmë fotot e atyre që me paturpësi, vetëm për të përfituar nga popullizmi, na sollën në këtë situatë. Edhe fotografinë e Qeverisë së sotme.

BE-ja nuk ishte parimore me Kosovën, se na vëri më shumë kushte sesa vendeve të tjera, por BE-ja na informoi me kohë, në vitin 2015 dhe 2016, se nëse vonohemi me ratifikim të marrëveshjes, do të prolongohet liberalizimi. Këtë e kanë ditur të gjithë!

Mos te kemi iluzione as në të ardhmen se me një Qeveri me 1/3 e ministrave me aktakuza, që merr vendime arbitrare, me 80 zëvendësministra, vizat nuk hiqen. Vizat së pari duhet t’ia heqin qeverisë së tanishme për ta quar në shtëpi, e pastaj t’ia heqin vetvetes duke e zgjedhur një qeveri e cila punon për interesat e qytetarëve e jo për klientelën e vet”