Isa Mustafa, Kryetar i LDK

Mustafa: Për LDK-në – e papranueshme të shtrohet çështja e kufijve

Për LDK-në është e papranueshme të shtrohet çështja e kufijve ashtu siç është i papranueshëm një asociacion apo formë tjetër e autonomisë me kompetenca ekzekutive.

Kështu ka thënë Isa Mustafa në takime të ndara me ambasadorin e Francës, Didier Chabert dhe atë të Italisë, Piero Cristoforo Sardi.

Me mysafirët, Mustafa ka thënë se ka biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe për pikëpamjet e LDK-së për dialogun me Serbinë.

Kreu i LDK-së ka thënë se ka shprehur qëndrimin e partisë së tij se vetëm përmes dialogut mund dhe duhet të zgjidhen çështjet me fqinjët dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe se  LDK është e përkushtuar që dialogu të zhvillohet nga institucione që kanë legjitimitet politik dhe kushtetues, “të cilat duhet të dalin nga zgjedhjet e lira të parakohshme”.

“E shtruam nevojën që ky dialog të jetë transparent, të ketë pajtueshmëri dhe përfshirje sa më të gjerë, të përcaktohet formati, përmbajtja dhe objektivat që duhet të arrihen. Theksuam se për LDK-në është e papranueshme të shtrohet çështja e kufijve ashtu siç është i papranueshëm një asociacion apo formë tjetër e autonomisë me kompetenca ekzekutive”, ka theksuar Isa Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas Isa Mustafës, ambasadorët shfaqën interesimin dhe gatishmërinë e tyre dhe të vendeve të tyre që të përkrahin Kosovën në rrugën e saj eurointegruese, pjesë e rëndësishme e së cilës është normalizimi sa më i shpejtë i marrëdhënieve me Serbinë.

Në këto takime kanë marrë pjesë edhe Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së dhe Vlora Dumoshi, anëtare e Kryesisë.

Mustafa ka treguar se dy ditë më parë është takuar edhe me ambasadorin e Norvegjisë, Per Strand Sjaastad.