Paqja franko -gjermane model për zgjidhjen e konflikteve mes shteteve dhe popujve të ndryshëm
Ambasadori i Francës në Prishtinë Didier Chabert dhe ai i Gjermanisë Christian Heldt, kanë folur të mërkurën në një panel rreth paqes dhe miqësisë frakno- gjermane, me rastin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Para një audience të gjerë të studentëve dhe pjesëmarrësve të konferencës “Në përkujtim të luftës, paqes dhe pajtimit”, që u organizua në shenjë të përkujtimit të përfundimit të luftës së I Botërore, ambasadorët Chabert dhe Heldt, kanë folur rreth sfidave dhe punës së madhe që është bërë nga dy kombet e mëdha të Evropës, francezët dhe gjermanët për të kapërcyer mosmarrëveshjet dhe ndasitë e mëdha, për të arritur deri të paqja dhe bashkimi.
Kompromisi, çelësi i paqes
Duke folur rreth luftës së Parë Botërore, pasojat dhe punës që është bërë për paqen, deri pas luftës së Dytë Botërorë, ambasadori Francez ka thënë para audiencës së mbledhur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, se kompromisi dhe kontaktet e vazhdueshme mes dy popujve dhe qëllimi i mirë kanë sjellë paqen dhe marrëdhëniet të shkëlqyera mes dy popujve.
“Ajo që i bën të rëndësishme marrëdhëniet franko -gjermane është se arrihet një kompromis për çështje të ndryshme, pavarësisht mendimeve të ndryshme që mund të jepen”, ka potencuar Chabert.
Ai ka thënë se, duke shtuar se paqja franko-gjermane mund të shërbej si një model për zgjedhjen e konflikteve nga vend të ndryshme që kanë pasur marrëdhënie të tensionuara, sikurse Kosova.
Edhe ambasadori gjerman Heldt ka pohuar gjatë fjalës së tij se përpjekjet e pashoqe të shoqërisë franceze dhe asaj gjermane pas luftës së dytë botërore kulmuan me një paqe dhe vënie të marrëdhënieve të shëndosha të cila janë një segment mjaft i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e gjithanshëm evropian, pavarësisht, sipas tij, hezitimeve, paragjykimeve dhe pengesave që karakterizuar fillimin e përafrimit të dy popujve.
“Kompromisi dhe dialogu në të mirë të qytetarëve janë forma më e mirë për arritjen e paqes, dhe hedhjen parapa krahëve të konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, siç kanë bërë populli francez dhe ai gjerman”, ka thënë Heldt, duke shtuar se popujt nuk duhet të bien në kthetrat e historisë, por ta përdorin atë për mirëqenie, pajtim dhe bashkëpunime të gjithanshme.
Kosova, detyra për në BE
Ambasadorët më pas i janë përgjigjur një mori pyetjesh nga audienca, që kishin të bëjnë me sfidat që ka Kosova për të qenë pjese e gjithanshme e institucioneve euro-perëndimore, pengesat, mundësitë për paqe mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe të ardhmen e BE-së.
Dy ambasadorët kanë pohuar se kompromisi dhe bisedimet janë rruga më e mirë që duhet të ndjek Kosova për arritjen e një paqe të sigurt, duke mos pritur, siç kanë thënë ata kërkim falje apo pajtim nga pala tjetër.
Ndërsa sa i prekt përafrimit të Kosovës në organizmat evropiane, ambasadori, francez, Chabert ka pohuar se vendi po merr dhe ka marrë mbështetje të gjithanshme nga organizmat ndërkombëtare, por siç ka thënë ai, Kosova duhet të bëjë pjesën e punës së saj.
“Duhet të ketë një sistem të fuqishëm gjyqësor, arsim dhe shëndetësor, pra, Kosova duhet ta kryej detyrën e saj drejtë rrugës për në BE”, ka pohuar ambasadori i Francës Chabert.
Kurse të pyetur nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti rreth të ardhmes së BE-së, ambasadorët Chabert dhe Heldt kanë pohuar se brenda BE-së do të ketë lëvizje dhe ndryshme normale.
“Pas 20 apo pas 40 vjetëve pasardhësit e pasardhësve tanë do të tregojnë të njëjtën storie sikurse ne sot. Besoj se BE do të jetë një organizëm i tillë edhe për një kohë të gjatë”, ka thënë ambasadori gjerman Heldt.