Albin Kurti - Didier Chabert

Kurti- Ambasadorit francez: Çdo dialog e marrëveshje matet në Mitrovicë

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorin francez në Kosovë, Didier Chabert.

Sipas kësaj partie, në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në vend me theks të veçantë mbi dialogun Kosovë- Serbi.

Kurti shpjegoi edhe njëherë qëndrimin e tyre karshi dialogut të filluar nga presidenti i Kosovës, sipas tyre, pa mandat nga Kuvendi i Republikës.

“Ne duhet që fillimisht ta shqyrtojmë dialogun gjashtëvjeçar paraprak që ta dimë se çka u bë dhe ku jemi. Pastaj, të përgatitemi mirë: të formulojmë bashkarisht në Kuvend qëllimet tona dhe kërkesat ndaj Serbisë, dhe, të merremi vesh për parimet dhe kornizën e dialogut të ri. Ndërkaq, ekipi negociator me strategji e udhëheqës të vetin vjen vetëm më pas”, tha Kurti, duke theksuar se “çdo dialog e marrëveshje matet në Mitrovicë”.

I pari i Vetëvendosjes ishte i shoqëruar nga zyrtarja nga Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë, Nora Fetoshi, kurse të pranishëm nga ambasada ishin edhe Camille Grémont, zyrtare e misionit, dhe Nexhmi Musliu, zyrtar i shtypit në ambasadë.

Në fund të takimit palët shprehën interesimin për kontakte dhe takime të vazhdueshme.