11 nëntori, nxitje për të punuar për paqen

Në 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Ambasada e Francës dhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë përkujtuar këtë ditë, duke bërë kështu homazhe te varrezat e krishterëve në Prishtinë.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve në vend, ambasadorë të akredituar në Kosovë, ushtarakë dhe personalitete të tjera.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, duke e përcjellë mesazhin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, tha se më 11 nëntor të vitit 1918 një frymë e thellë lehtësimi përshkoi Francën.

“Jemi mbledhur për këtë 11 nëntor për të përkujtuar fitoren, por edhe për të festuar paqen. Ne jemi mbledhur nëpër komuna, para monumenteteve të të rënëve për t’u bërë homazhe dhe për t’u shprehur mirënjohjen tonë të gjithë atyre që na kanë mbrojtur dje, por edhe të gjithë atyre që na mbrojnë sot, duke sakrifikuar jetën e tyre”, tha Didier Chabert.

Ambasadori Chabert, mes tjerash tha se janë mbledhur sot të ndërgjegjshëm për të kujtuar historinë e tyre të kaluar dhe në këtë mënyrë për të refuzuar që e njëjta të përsëritet.

“Ne i kujtojmë vuajtjen dhe nderin e dhjetë milionë luftëtarëve të të gjitha vendeve që u dërguan në këto beteja të tmerrshme. Francezë, jemi mbledhur gjithashtu sot të ndërgjegjshëm për historinë tonë të kaluar dhe për të refuzuar që ajo të përsëritet. Sepse shekulli që na ndan nga sakrificat e tmerrshme të grave dhe të burrave nga viti 1914 deri më 1918 na ka mësuar se sa e brishtë është paqja. Ne e dimë se me sa forcë, nacionalizmi, totalitarizmi, mund t’i mposhtin demokracitë dhe të vënë në rrezik edhe vetë idenë e qytetërimit”, u shpreh Chabert.

Tutje në letrën e ambasadorit Macron thuhej se duhet të jenë të denjë për kujtimin e grave dhe burrave që kanë rënë para një shekulli. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues të institucioneve në vend, ambasadorë të akredituar në Kosovë, ushtarakë dhe personalitete të tjera.

Kryeministri Haradinaj vendosi kurora lulesh në nderim të të rënëve në Luftën e Parë Botërore. Haradinaj tha se rruga që kanë treguar Franca dhe Gjermania për ta ndërtuar paqen e qëndrueshme në Evropë është shembull që duhet ndjekur.