Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Ministria e Drejtësisë 'borxhli i keq'

Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se ministria e Drejtësisë nuk po i paguan faturat brenda afatit ligjor. Në raportin e Auditimit të Pasqyrave Financiare thuhet se Ministria e Drejtësisë i vonon pagesat e faturave, pasi sipas rregullave financiare përcaktohet se “të gjitha faturat që i pranon organizata buxhetore, duhet të paguhen brenda 30 ditëve në qoftë se nuk është paraparë ndryshe me kontratë”.

ZKA ka vërejtur se në 30 raste pagesat me vlerë të përbashkët prej 529,809€ janë kryer pas afatit të paraparë ligjor prej 30 ditësh. Vonesat kryesisht janë prej 30 deri në 60 ditë përtej afatit të paraparë ligjor, derisa kjo çështje, është përsëritur nga vitet paraprake.

Sipas ZKA-së, vonesat në realizimin e pagesave mund të ndikojnë në mos-implementimin e kontratave me kohë, dhe rrisin rrezikun për pagesa të ndëshkimeve potenciale nga operatorët ekonomik. Hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme mund të rezultojë me obligime të cilat e rëndojnë buxhetin e vitit pasues.

Po ashtu ZKA përmes raportit ka thënë se Ministria e Drejtësisë nuk kishte procedura të brendshme për menaxhimin e pasurisë dhe sipas ZKA-së, kjo mund të ndikoj që pasuria e Ministrisë mos të menaxhohet si duhet dhe mos të prezantohet drejt.

Një çështje tjetër është edhe vonesa në kryerje të obligimeve si dhe raportimi jo i drejtë në Pasqyrat Financiare Vjetore.

“Shuma e shpalosur në PFV prej 1,034,486 euro paraqet menaxhim jo të mirë të obligimeve të papaguara. Kjo gjendje është shkaktuar nga vonesat në pagesën e faturave. Faturat e testuara në vlerë prej 147,362€ nuk ishin paguar brenda afatit ligjor prej tridhjetë ditësh, siç përcaktohet me dispozitat ligjore. Rreziku nga kjo është mos kryerja e obligimeve sipas afateve të parapara ligjore, rritë rrezikun që borxhet të rriten dhe kjo pastaj e sjellë Ministrinë në vështirësi financiare. Njëkohësisht kjo situatë mund të sjellë konteste apo keqkuptim të vlerave financiare në PFV”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Pwrvec kwsaj, Auditori ka konstatuar se MD-ja nuk i ka kthyer rreth 33 mijë euro të burgosurve të cilët janë liruar pasi kanë vujatur dënimet e tyre.

Në raport thuhet se sipas ligjit mbi sanksione penale për fondet në mirëbesim SHKK është përgjegjëse për mbajtjen e evidencës së pranimeve dhe kthimeve si dhe për gjendjen e depozitave të të burgosurve.

ZKA ka vërejtur se një shumë parash prej 32 mijë e 647 euro nuk i janë kthyer të burgosurve pas lirimit.

“Vetëm në Qendrën Korrektuese të Dubravës vlera e depozitave që nuk janë kthyer ishte 17 mijë e 553 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas ZKA-së, rreziku i kësaj gjetjeje është kundërshtimi me rregullat e aplikueshme dhe mundësia e keqpërdorimit të këtyre parave.

Raporti thotë se arsyetimi i zyrtarëve përgjegjës është se këto mjetet nuk janë kthyer për arsye se të burgosurit pas lirimit nuk janë interesuar për mjetet të cilat iu kanë mbetur si depozita.

Rekomandimi i ZKA-së është që ministri përmes Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të siguroj që zyrtarët përgjegjës të menaxhimit të parave të të burgosurve, me rastin e përfundimit të dënimit, secilit person të liruar nga burgu t’ia kthej mjetet të cilat kanë në depozitë.

Buxheti final për investime kapitale është realizuar vetëm rreth 81%, megjithatë buxheti final në këtë kategori është reduktuar për 509 mijë e 675 euro.

Sipas raportit, 92% e buxhetit të vitit 2017 të Ministrisë së Drejtësisë ishte shpenzuar vetëm në tre mujorin e fundit të vitit të kaluar.

Rreziku i kësaj gjetje është mos realizimi i objektivave të organizatës dhe financimi i detyrimeve të vitit aktual nga buxheti pasues, po ashtu niveli i lartë i shpenzimeve kapitale në fund të vitit rrezikon që pagesat t’i shmangen kontrolleve të duhura gjatë procesit të ekzekutimit.

Zyra e auditimit ka rekomanduar se ministri duhet të siguroj që performanca buxhetore është monitoruar në mënyrë sistematike, në baza mujore.

Kompensimi i shtesave në kundërshtim me vendimet si dhe mos zëvendësimi i kontratave të shërbyesve civil me akt- emërime është një tjetër e gjetur nga ana e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Ne kemi identifikuar 11 raste në SHKK (Shërbimin Korrektues të Kosovës), në të cilat zyrtarëve nuk u janë zëvendësuar kontratat me akt emërime”, thuhet në raportin e SKA-së.

Shmangia e dispozitave të Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës dhe se pagesat e shtesave në kundërshtim me vendimet relevante, sipas Auditorit, janë pagesa të parregullta dhe shkaktojnë dëmtim të buxhetit të Ministrisë.

Sipas Ligjit të Shërbimit Civil, në rast të mbajtjes së një pozite të lire në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se tre muaj, ndërsa emërimi i drejtpërdrejtë në pozita të lira, në kundërshtim me parimin e meritës nuk është i lejueshëm.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka hasur në disa parregullsi në katër qendra korrektuese sa i përket kësaj çështjeje.

“Në burgun e Sigurisë së Lartë që nga marsi i vitit 206, një zyrtar korrektues është caktuar ushtrues detyre i Udhëheqësit të Njësisë për Siguri të Brendshme. Zëvendës Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, është caktuar ushtrues detyre i drejtorit të QPM-së që nga janari i vitit 2016. Në qendrën korrektuese në Dubravë nga pozita Udhëheqës i Administratës, është caktuar ushtrues detyre i zëvendës Drejtorit në QKD, në fund të dhjetorit 2016 dhe në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë një zyrtar i cili ka qenë Ushtrues Detyre i udhëheqësit për siguri në Zyrën Qendrore të SHKK-së, ishte caktuar më pas Ushtrues Detyre i Drejtorit të Drejtoratit për Operativë, Siguri dhe Transportim të Burgosurve në Zyrën Qendrore të SHKK-së”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Rrezikshmëria e kësaj çështjeje është menaxhimi i pozitave nga persona të cilët nuk i plotësojnë kriteret e nevojshme dhe kjo mund të ndikoj në performancën  e Ministrisë së Drejtësisë.