FOTO: RTV21

VV Kërkon Kthimin e Flamurit Kombëtar 'Te Rrethi' më 18 Shkurt

Në një konferencë për media, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që me datë 18 shkurt, një ditë pas përvjetorit të pavarësisë së Kosovës ta rikthejë flamurin kombëtar “Te Rrethi”.

“Kërkojmë që pas kalimit të kësaj ngjarje presim qysh me 18 shkurt të këtij muaji kërkojmë rikthimin e flamurit kombëtar aty ku është, përndryshe nëse qeveria e cila e vendosi natën flamurin nuk e vën aty ku ka qenë, atëherë qytetarët do ta rikthejnë atë. E përndryshe nëse qytetarët e vendosin vetë edhe ata do ta mbrojnë atë”, tha Selimi.

Ai shtoi se Ramush Haradinaj ka marrë një vendim të padrejtë.

“Kryeministri i sotëm po vazhdon t’i jetë besnik paraardhësve të tij sidomos po vazhdon të ecë në këtë drejtim hapave të Thaçit kundrejt simboleve shqiptare në Kosovë”, shtoi Selimi.

Dy net më parë, flamuri kombëtar u zëvendësua me atë shtetëror pas kërkesës së Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Zëvendësimi i flamujve u bë në një situatë të tensionuar pasi, shumë qytetarë e kundërshtonin zëvendësimin e flamurit kombëtar me atë shtetëror.