Foto: Kallxo.com

Vrasja në ‘Shega’: Mjeku ligjor tregon plagët që u shkaktuan nga plumbat

Në procesin gjyqësor kundër Besim e Besart Istrefit dhe Jeton Saraçit, të akuzuar për vrasjen e Nazim Gërvallës dhe Lutfi Saraçit, u dëgjua edhe një herë eksperti mjekoligjor, Flamur Blakaj.

Në tetor të vitit të kaluar, gjykata e Prishtinës  i kishte shpallur fajtorë dy të akuzuarit e parë në akuzat për këtë rast duke e dënuar Besim Istrefin me 7 vjet burg, Besart Istrefin me 5 vjet e 4 muaj ndërsa Jeton Saraçin e kishte liruar nga të gjitha pikat e akuzës.

Por Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim për shkak se gjeti që nuk ishte vërtetuar se nga cila armë është vrarë tani i ndjeri Nazim Gërvalla.

Në seancën e së mërkurës, mjeku ligjor Flamur Blakaj i tregoi gjykatës edhe një herë për plagët që i kishin shkaktuar vdekjen Nazim Gërvallës dhe Lutfi Saraçit, si dhe për plagët kishte pësuar i akuzuari Besim Istrefi gjatë incidentit të armatosur

Fillimisht eksperti Flamur Blakaj deklaroi se mbetet në tërësi pranë raporteve të mëparshme dhe deklaratave të dhënë në këtë proces gjyqësor.

Eksperti Blakaj deklaroi se i akuzuari Besim Istrefi kishte marrë 3 plagë nga armët e zjarrit.

“Pas ekzaminimit dhe shqyrtimit të dokumenteve mjekësore në trupin e Besim Istrefit janë konstatuar vraja ose shenja nga plagët të shkaktuara nga veprimi dinamik i predhave të hedhura nga armët e zjarrit dhe atë nga tri të shtëna, një ka qenë shkuese-qorrëse pra hyrëse pa dalje dhe predha është gjetur pas intervenimit, një ka qenë tejshkuese (hyrëse dhe dalëse) dhe një ka qenë rrëshqitëse ose tangjeciale, që bëjnë pjesë në dëmtime të rënda dhe të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit të shoqëruara me pasoja të përhershme”, tha Blakaj.

Ai shtoi se nga plagët e marra tashmë i akuzuari Besim Istrefi nuk mund të ecë lirshëm pa ndihmën e karrocës

“Rekomandimi ka qenë që pasi Besim Istrefi akoma nuk mund të ecë në mënyrë të pavarur pa ndihmën e karrocës është e rekomandueshme të bëhet vlerësim mjekësor koziljar nga specialistë të fushave për trajtimin e tij në të ardhmen”, tha Blakaj.

Eksperti mjekoligjor u pyet nga përfaqësuesi ligjor i familes Gërvalla, avokati Asdren Hoxha, se sa plagë janë gjetur në trupin e tani të ndjerit Nazim Gërvalla.

“Në trupin e Nazim Gërvallës janë konstatuar 2 plagë tejshkuese vetëm njëra prej tyre ka qenë vdekjeprurëse, në pjesën e sipërme të kofshës së majte rreth 85 cm nga shputa e këmbës ndodhet vrima në formë vezake me buzë të rregullta me minus ind, përmasat e vrimës janë 8x6mm dhe paraqet vrimës hyrëse e shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit, përreth vrimës ndodhet unaza e dërmishjes në formë vezake me gjerësi 2-3 mm me ngjyrë kafe të errët kjo vrimë vazhdon me kanal në indet e buta regjionale të kofshës duke shqyer muskujt, arterien dhe venën e kofshës së majtë dhe përfundon me vrimën në formë të çrregullt me buzë të nxjerrë përjashta me përmasa 10×8 mm e cila paraqet vrimën dalëse, kjo vrimë ndodhet në pjesën e sipërme të kofshës së majtë në largësi rreth 76 cm nga shputa e këmbës”, u përgjigj Flamur Blakaj.

Eksperti sqaroi edhe rrugën që kishte përshkuar plumbi deri sa ka depërtuar në trupin e viktimës.

‘’Trajektorja e fluturimit të predhës është nga ana e majtë në të djathtë, nga lartë poshtë dhe lehtazi nga para-prapa”, tha ai.

“Pozicioni nga ka qenë viktima me qitësin është nga ana e majtë në të djathtën”, shtoi eksperti Flamur Blakaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të datës 10 mars 2015, ngjarja kishte ndodhur në restorant “Shega” në Milloshevë të Obiliqit më 2 maj të vitit 2014, ku pas një mosmarrëveshje të çastit ishin vrarë Naim Gërvalla e Lutfi Saraçi, ndërsa kishin mbetur të plagosur rëndë tashmë të akuzuarit Besim e Besart Istrefi, pronar i këtij lokali dhe djali i tij.

Konflikti kishte nisur pasi kamerierët kishin filluar përgatitjet për mbylljen e restorantit, ndërsa i akuzuari Jeton Saraçi, i ulur në tavolinë me Adem Dautajn dhe tani të ndjerët Lutfi Saraçi e Nazim Gërvalla, sipas aktakuzës kishte bërë kërcënime me tone të larta ndaj kamerierëve, ku më pas kishte filluar konflikti në mes tyre dhe pronarëve Besim e Besart Istrefi, nga i cili ishin shkaktuar vrasjet dhe plagosja.