Vrasja në Gjilan, Gjykata u cakton paraburgim tre të dyshuarve

 

Të dyshuarve për vrasjen e Bakush Veselit, të pandehurve Faton Osmani, Gëzim Bajrami dhe Irfan Veseli, Gjykata u ka caktuar masën e paraburgimit paraburgimit prej 30 ditësh.

Kjo është bërë e ditur nga Gjykata e Gjilanit e cila ka njoftuar se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

“Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve. Masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, ndërsa propozimin e mbrojtësve që të pandehurit të mbrohen në liri, Gjykata i ka refuzuar si të pabazuara, duke i konsideruar si të pamjaftueshme për këtë fazë të procedurës”, thuhet në njoftimin e Gjykates se Gjilanit.

Prokuroria dje ka njoftuar se, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e sipërshënuar, më 12 Shtator 2021, rreth orës 19:45 minuta, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të ndjerin B. V., duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë, të cilët kanë qenë afër tij.

Tutje thuhet se të dyshuarit kanë vepruar në atë mënyrë që së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘’Audi A3’’ dhe janë ndalë tek një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafiteri në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Vrasja në Gjilan, sot pritet të dalin para Gjykatësit tre të dyshuarit