Vrasja në Gjilan, sot pritet të dalin para Gjykatësit tre të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Gjilan dje ka kërkuar nga Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve F. O., G. B. dhe I. V., për shkak të dyshimit se me armë zjarri kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B. V.

Kurse sot të dyshuarit do të dalin para Gjykatësit për t’u përballur me kërkesën e Prokurorisë e cila po kërkon nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas Gjykatësit Sabedin Mushica, seanca dëgjimore do të mbahet me fillim nga ora 13:15.

Prokuroria ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e sipërshënuar, më 12 shtator 2021, rreth orës 19:45 minuta, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të ndjerin B. V., duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë, të cilët kanë qenë afër tij.

Tutje thuhet se të dyshuarit kanë vepruar në atë mënyrë që së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘’Audi A3’’ dhe janë ndalë tek një market, nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafeteri në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Vrasja në Gjilan, Prokuroria: Të dyshuarit dolën nga vetura dhe gjuajtën në drejtim të viktimës