Arkiv - Gjykimi ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt

Vrasja në Deçan - Gruaja kërkon llogari nga kryetari pse e quajti aksidentale vrasjen e burrit të saj

“Aksidentalisht ndahet nga jeta në moshën 29-vjeçare Agonis (Isuf) Tetaj nga Lluka e Ulët. Tragjedia që ka goditur familjen Tetaj, na ka prekur rënd të gjithëve. Ngushëllime familjes Tetaj dhe të gjithë qytetarëve të Komunës së Deçanit. P.S sinqerisht lus mediat dhe portalet që të jenë të kujdesshëm me këtë rast tejet të rëndë për familjen dhe për të gjithë ne. Ngushëllime! Me respekt – BR”.

Kjo është deklarata e kryetarit të Deçanit, Bashkim Ramosaj e publikuar në llogarinë e tij në Facebook në ditën kur Agonis Tetaj ishte vrarë me armë  zjarri.

Postimi i kryetarit të Deçanit Bashkim Ramosaj

Kjo deklaratë e kryetarit Ramosajt, i cili vrasjen e Tetajt e quan aksidentale nga bashkëshortja e të ndjerit, Albesa Cacaj po shihet si paragjykuese dhe ndikuese në hetimin dhe gjykimin rastit të vrasjes së Agonis Tetajt, për të cilën Prokuroria e Pejës ka akuzuar Shaban Gogajn, ndërsa Isuf Cacajn e akuzon për amrëmbajtje pa leje.

Albesa Cacaj, bashkëshortja e Agonis Tetajt, i vrarë me 23 shtator 2018-të, ka rrëfyer në Gjykatë se si kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në llogarinë e tij në Facebook e kishte quajtur vrasje aksidentale.

Cacaj në dëshminë e saj tha se vete kryetari i Komunës se Deçanit ka marrë guximin që të dal publikisht me konstatimin “se vrasja e Agonis Tetajt është vrasje aksidentale”.

“Kryetari i Komunës ka marrë guximin me dal e më thonë që është vrasje aksidentale, pa ja fillu hala prokuroria hetimet”, tha ajo.

Mbrojtësi i të akuzuarit për vrasjen e Agoni Tetajt, Shaban Gogaj, avokati Besnik Berisha tha se ky fakt nuk lidhet me objektin e cështjes.

Por, Albesa Cacaj u kundërpërgjigj: “Është e rëndësishme për më i tregu ndikimet”.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë se Pejës, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F.Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karriga e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Ndryshe, Shaban Gogaj është ulur edhe dje në bankën e të akuzuarit për t’u ballafaquar me akuzën e Prokurorisë së Pejës për vrasjen e Agonis Tetajt.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Shaban Gogaj në seancën e djeshme deklarua i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë, ndërsa Cacaj e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje.

“Nuk e kam ditë që është vepër penale mbajtja e armës me gaz. Kështu që kërkoj falje”, deklaroi i akuzuari Isuf Cacaj para trupit gjykues.

Trupi gjykues e refuzoi pranimin e fajësisë nga Cacaj, me arsyetimin se pranimi është jo i plotë, meqenëse i akuzuari deklaroi se nuk ka qenë në dijeni që mbajtja e armës me gaz është vepër penale. Isuf Cacaj ka pranuar fajësinë edhe në seancën e kaluar.