Foto: KALLXO.com
Gjykimi për vrasjen në Deçan, dëshmitari rrëfen si i vrari u rrëzua para këmbëve të tij
Shaban Gogaj është ulur sot në bankën e të akuzuarit për t’u ballafaquar me akuzën e Prokurorisë së Pejës për vrasjen e Agonis Tetajt.
Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.
Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.
Shaban Gogaj u deklarua i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë, ndërsa Cacaj e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje.
“Nuk e kam ditë që është vepër penale mbajtja e armës me gaz. Kështu që kërkoj falje”, deklaroi i akuzuari Isuf Cacaj para trupit gjykues.
Trupi gjykues e refuzoi pranimin e fajësisë nga Cacaj, me arsyetimin se pranimi është jo i plotë, meqenëse i akuzuari deklaron se nuk ka qenë në dijeni që mbajtja e armës me gaz është vepër penale.
Isuf Cacaj ka pranuar fajësinë edhe në seancën e kaluar.
Sot si prokurori Agron Uka, ashtu edhe përfaqësuesi i palës se dëmtuar, avokati Berat Tmava, në fjalën hyrëse u deklaruan se do të vërtetohet gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë, gjegjësisht do të vërtetohet se më 23 shtator 2018, Shaban Gogaj me dashje e ka vrarë Agonis Tetajn.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Gogaj, avokati Besnik Berisha, tha se do të vërtetohet se aksidentalisht është vrarë Agonis Tetaj. Ai shtoi se do të provohen raportet e mira mes të akuzuarit dhe të ndjerit.
Berisha shprehu pretendimet se i akuzuari Gogaj nuk e ka ditur se arma me të cilën është vrarë Agonis Tetaj mund të shkrepte dhe t’ia merrte jetën dikujt.
Babai i tani të ndjerit Agonis Tetaj, Isuf Tetaj kërkoi nga Gjykata qe të zbulohet e vërteta. Ai shtoi se personalisht nuk e di nëse i biri i tij me Shaban Gogajn kanë pasur ndonjë problem.
“Unë nuk e di pse ka ardhur deri të ngjarja tragjike. E di që është vrarë në vendin e punës. Kohëve të fundit nuk është dukur fort i disponueshëm”, tha Tetaj.
Lidhur me pretendimet e mbrojtjes se Agonis Tetaj është vrarë aksidentalisht, babai i të ndjerit deklaroi se “pahiri a me kast, mua ma kanë vra djalin, prandaj mos të bëhen manipulime në gjyq”.
Nurije Tetaj, nëna e tani të ndjerit, rrëfeu për bisedën që sipas saj kishte zhvilluar me të birin një natë para vrasjes.
“Agonisi kohëve të fundit u lodhke më shumë, dhe dilke me shokë në mbrëmje më shumë. Ka thënë se du me lëshu punën dhe me shku në Gjermani, Kur e kam pyetur: pse? ka thënë se ka presion në punë. Ai nuk u shprehke fort”, tha ajo duke iu referuar bisedës një natë para vrasjes.
Nurije Tetaj shtoi se nuk e di arsyen pse i është vrarë i biri, duke potencuar faktin se sa ishte ajo në njohuri, Agonis Tetaj nuk kishte pasur ndonjë problem për katër vite sa kishte punuar aty.
“Djali aty ka shku me punu, e jo me m’ardhë në arkivol në shpi”, tha e dëmtuara duke shpjeguar momentet e ditës kritike.
Dëshmi para trupit gjykues dhanë edhe dy punëtorë të kompanisë “Gogaj”, Argzon Hadergjonaj dhe Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë prezentë ditën kur ka ndodhur vrasja.
Argzon Hadegjonaj tha se Shaban Gogaj nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë problem as me Agonisin e as me punëtorët e tjerë të kësaj kompanie.
Dëshmitari Hadërgjonaj tha se Agonisi sipas tij është vrarë aksidentalisht e jo për ndonjë arsye, duke shtuar se ai vetëm e kishte dëgjuar krismën por nuk e kishte parë momentin e vrasjes.
Nga trupi gjykues iu kërkua të sqarojë se si ka ardhur deri të konkludimi që vrasja ka ndodhur aksidentalisht, meqenëse ai paraprakisht deklaroi se vetëm krismën e kishte dëgjuar por nuk e ka parë rastin.
Hadergjonaj e arsyetoi këtë me atë se sipas tij i ndjeri dhe i akuzuari kanë pasur raporte të mira mes vete.
Dëshmitari shtoi se përgjigjen e jep i akuzuari, kur thotë se: “Pahiri e kam vra”.
Faruk Zukaj, punëtori tjetër i kompanisë “Gogaj”, i cili kishte qenë prezent ditën kritike, tregoi për momentet kur i ndjeri ishte rrëzuar para këmbëve të tij.
“I dëgjova kolegët duke thënë: O çka boni Shabani!”, rrëfeu Zukaj.
Trupi gjykues në këtë rast përbehet nga kryetarja Violeta Husaj Rugova, anëtarët Sami Sharraxhiu dhe Florije Zatriqi.
Seanca e radhës mbahet nesër.
Prokuroria: Shaban Gogaj kishte qëlluar Agonis Tetajn me plumb në kokë
Sipas aktakuzës se Prokurorisë se Pejës, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG” Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.
Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F.Z.
Me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë .