Vrasja e Triumf Rizës, Gjykata vendos për të akuzuarin Ilir Abdullahu

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj Ilir Abdullahut, të akuzuarit për pjesëmarrje në vrasjen e policit Triumf Riza më 2007.

Pas 15 vitesh arrati, Ilir Abdullahu i njohur me nofkën “Liza” u arrestua nga Policia e Kosovës të dielën në Batllavë të Podujevës.

Pas arrestimit të tij, Prokuroria Speciale ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, të cilën e ka aprovuar të mërkurën gjyqtari i procedurës paraprake të Deparatamentit Special të Gjykatës së Prishtinës.

Sipas gjykatës bazuar në faktin se Abdullahu akuzohet për vepër penale të vrasjes së rëndë si dhe fakti se ka qenë në arrati që nga viti 2008, ekziston rreziku që i njëjti të arratiset dhe të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë.

Akuza e Prokurorisë Speciale që është ngitur ndaj Enver Sekiraqës, pretendon se Arben Berisha për të kryer aktin në fjalë u nxit nga vet Sekiraqa, e që ky i fundit Berishën e kishte njëri të besueshëm.

Po ashtu akuza pretendon se Arben Berisha privimin nga jeta të Rizës e kishte bërë në bashkëkryerje me Rrahim Abdullahun, Ilir Abdullahun dhe me Fitim Avdiun.

Në akuzën e parë me të me të cilën ngarkohet i pandehuri Enver Sekiraqa, në të cilën shpjegohet në detaje se si kishte ardhur deri te vrasja e Triumf Rizës, tregohet edhe roli që kishte Ilir Abdullahu që u arrestua 15 vite më pas.

Dosja e siguruar nga KALLXO.com thotë se katër të akuzuarit vrasjen e Rizës e kanë bërë në mënyrë shumë mizore dhe mashtruese për shkak të një hakmarrjeje të paskrupullt apo ndonjë motiv tjetër.

“Respektivisht hakmarrje personale kundër të përmendurit Triumf Riza” – thuhet në akuzë.

Akuza shpjegon se si para vrasjes, grupi në fjalë, pra katër të akuzuarit, kanë bashkëpunuar mes vete dhe kanë përcjell lëvizjet e Rizës me qëllim që të ndiqnin rrugët e tij.

Ishte po ajo ditë, kur të arrestuarit Ilir Abdullahut i kishte ardhur mesazhi “Komshiu e ka makinën në parkingun e Grandit”.

Ky mesazh ishte dërguar në telefonin e Ilirit nga Fitim Avdiu, gjatë kohës kur ai së bashku me Enver Sekiraqën, Arben Berishën dhe Rrahim Abdullahun ishin në kafenenë “Sekiraqa” në bulevardin Bill Clinton.

Ky mesazh, sipas akuzës që është siguruar nga KALLXO.com i referohej viktimës Triumf Riza, banesa e të cilit thuhet se ishte në anën e kundërt të rrugës ku gjendej kafeneja “Sekiraqa”, e i cili në atë kohë gjendej në hotelin “Grand” të Prishtinës.

Me të pranuar këtë SMS, akuza thotë se Arben Berisha, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu, duke e vozitur makinën e këtij të fundit, që ishte e tipit “Passat”, kanë shkuar në kafenenë “Queens”.

Në këtë kafene, Arben Berisha u tha se është futur i armatosur me ‘Glock’ të kalibrit 9×19, përderisa dy të tjerët, pra Rrahim e Ilir Abdullahu vazhdojnë në një kafene tjetër me qëllim që ta prisnin Triumf Rizën.

Riza, tregohet se ka qenë klient i rregullt në kafenenë ‘AM/PM’ e pasi ai del nga aty dhe fillon të ec në drejtim të makinës së tij, e cila ishte në parkingun e vendit të quajtur “Flamurtari në Dardani”, ai qëllohet me armë.

Akuza tregon se Arben Berisha kishte vrapuar pas tij dhe kishte shtënë me 11 plumba pa kurrfarë paralajmërimi apo provokimi.

Tre prej plumbave të shkrepur kishin goditur Triumf Rizën duke e plagosur atë për vdekje.

Gjykata refuzon kërkesën e mbrojtjes së Enver Sekiraqës që ai të lirohet nga arresti shtëpiak