Vendimi i fundit i Gjykatës për ish-miss Kosova, Zana Berisha, e dyshuar për shantazh

Gjykata e Prizrenit ka vendosur ta lë në arrest shtëpiak edhe për 30 ditë ish-miss Kosovën, Zana Berisha, e dyshuar për shantazh.

Berisha është arrestuar nën dyshimin se ka shantazhuar një biznesmen nga Prizreni, duke i kërkuar qindra mijëra euro dhe një veturë luksoze “Audi Q8” duke e kërcënuar se do t’i publikojë fotot dhe videot e tyre personale.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i gjykatës, Marcel Lekaj.

Kërkesa për arrest shtëpiak është paraqitur nga prokurori Labinot Jetishi dhe është aprovuar më 6 nëntor 2023, nga gjykatësi Gani Kastrati.

Vendimi i gjykatës përcakton se Zana Berisha do të qëndrojë në arrest shtëpiak deri më 8 dhjetor të këtij viti. Sipas gjykatës thuhet se në këtë fazë janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase.

Bëhet e ditur se nëse e pandehura e shkel masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtës do të caktohet masa e paraburgimit.

Këtë masë do ta mbikëqyrë Stacioni Policor në Prishtinë, e cila edhe pa kërkesë së Gjykatës në çdo kohë mund ta verifikojë zbatimin e masës së arrestit shtëpiak.

Fillimisht, Zana Berishës iu caktua një muaj arrest shtëpiak më 8 tetor. Megjithatë, avokatja Sahadete Gashi ka parashtruar ankesë në gjykatën e Apelit kundër këtij vendimi, por gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar.

Vendimi Apelit është marr nga Abdullah Ahmeti kryetar i kolegjit me gjykatësit Zyhdi Haziri dhe Ferit Osmani – anëtarë.

Ish-miss Kosova, Zana Berisha u arrestua nën dyshimin për shantazh të një biznesmeni nga Prizreni.

Në dosjen që KALLXO.com ka siguruar thuhet se prej muajit gusht të vitit 2021 e në vazhdimësi deri më 8 tetor 2023, në intervale të ndryshme kohore, në Prizren dhe Prishtinë, e pandehura Zana Berisha me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër e kanos të dëmtuarin I. J., se do t’i dërgojë fotot dhe videot personale të tyre familjes së të dëmtuarit.

Tutje në dosje përshkruhet se pasi i dëmtuari dhe e pandehura krijojnë lidhje dashurie, gjatë muajit gusht të vitit 2021 derisa e pandehura kishte shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga i dëmtuari kërkon shumën prej 100 mijë euro për nevojat e saj.

Sipas dosjes, kur i dëmtuari nuk ia dërgon shumën e kërkuar dhe kërkon nga e pandehura që të ndërpresin lidhjen e tyre, e pandehura e kërcënon të dëmtuarin se do t’ia shkatërrojë familjen dhe në rrjetin “Instagram”, nga adresa “….” dërgon foto dhe video të tyre personale, disa nga ato me përmbajtje intime, te bashkëshortja, djali dhe shokët e të dëmtuarit.

Tutje sipas Prokurorisë në fillim të vitit 2022, pasi e pandehura kthehet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa i dëmtuari ishte në “…”, në Prishtinë, aty vjen e pandehura dhe i drejtohet të dëmtuarit: “çka të kam bërë ishte vetëm 30% dhe 70% kam gjëra që do të publikoj, ke menduar se ke përfunduar lidhjen por unë akoma se kam përfunduar”.

Më pas gjatë muajit gusht të vitit 2022 i dëmtuari detyrohet që t’ia bëjë pagesën për blerjen e veturës “Audi Q8” të pandehurës dhe atë në shumën 70 mijë euro, me kërcënime se nëse nuk ia paguan veturën të pandehurës, e njëjta do t’ia prishë dasmën e djalit të të dëmtuarit.

Më tej, më datë 5 shtator 2023, i dëmtuari sipas Prokurorisë detyrohet t’ia japë të pandehurës shumën prej 50 mijë euro si kërkesë e të pandehurës për ta mbyllur këtë çështje, dhe i dëmtuari nuk e lajmëron rastin në Polici meqë e pandehura e shantazhon dhe kërcënon duke i thënë se e lajmëron djalin e të dëmtuarit.

Po ashtu në shtator të vitit 2022, derisa i dëmtuari ishte duke drekuar së bashku me shokun e tij A. R., në Prishtinë, e pandehura kërkon nga i dëmtuari shumën prej nga 5 mijë euro në muaj, që i dëmtuari mos të ketë pasoja në familje.

I dëmtuari, sipas Prokurorisë, nga kanosjet se e njëjta do t’i dërgojë përsëri fotografitë dhe videot intime familjarëve të tij dhe do t’ia dëmtonte rëndë nderin dhe autoritetin si dhe do t’ia cenonte rëndë privatësinë, të pandehurës ia jep nga 5 mijë euro në muaj deri në korrik të vitit 2023.

Më këtë sipas Prokurorisë kishte për të kryer veprën penale shantazhi. Lidhur me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar avokaten Sahadete Gashi, por ajo nuk ka pranuar që të deklarohet.

Artikujt e tjerë në lidhje me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.