I dënuari Darko Tasiq në Gjykatën e Prizrenit (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Telefonata mes seancës: Prokurorja siguron dëshminë e gazetarit anglez për krimet në Krushë të Vogël

Një telefonatë që prokurorja Drita Hajdari e ka pranuar gjatë seancës gjyqësore, ka zgjidhur “ngërçin” në të cilin kishte mbetur gjykimi për krimet e luftës në Krushë të Vogël ndaj të akuzuarit Darko Tasiq.

Më 6 dhe 7 shkurt, gazetari britanik John Sweeney do të jetë i pranishëm në Gjykatën e Prizrenit për të dëshmuar për krimet e luftës të kryera në mars të vitit 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit.

Darko Tasiq, i cili deri në vitin 1999 kishte jetuar në Krushë të Vogël bashkë me familjen e tij, tash po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepra krime të luftës kundër popullatës civile shqiptare.

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, si provë të këtij rasti kishte të propozuar dokumentarin “Serb genocide against albanians” (Gjenocidi serb kundër shqiptarëve) të gazetarit anglez John Sweeney.

Pos kësaj, prokurorja Drita Hajdari kishte propozuar që ky gazetar të dëgjohet edhe si dëshmitar, eventualisht të ftohet në gjykatë ose të bëhet dëgjimi i tij si dëshmitar përmes video konferencës.

Në seancën e stome përderisa kryetari i trupit gjykues gjyqtari Artan Sejrani po diskutonte me prokuroren Drita Hajdari dhe mbrojtësit e të akuzuarit Tasiq për dëshmitarin në fjalë, një telefonatë e ndërpreu diskutimin e tyre.

Ishte pikërisht dëshmitari John Sweeney që telefonoi prokuroren Drita Hajdari për ta njoftuar se ai është i gatshëm që personalisht të jetë prezent në gjykatën e Prizrenit.

6 dhe 7 shkurti do të jenë datat e seancave në të cilat dëshmitari John Sweeney do të jetë prezent për të rrëfyer njohuritë e tij për ngjarjet në Krushë të Vogël.

Që nga prilli i vitit 2019, që kur Gjykata e Prizrenit nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë është duke tentuar të sigurojë kushte për të dëgjuar gazetarin britanik John Sweeney në gjykimin ndaj të akuzuarit Darko Tasiq.

Drita Hajdari, kishte thënë se i kishin përmbushur të gjitha obligimet dhe kërkesat që i kanë kërkuar autoritetet britanike për dëshmitarin John Sweeney.

Të gjitha provat e tjera të propozuara nga prokurorja Drita Hajdari, janë lexuar dhe administruar ashtu siç e sheh procedura penale.

Në seancën e 13 majit të vitit 2019, në sallën e gjykimit ishte shikuar dokumentari i gazetarit John Sweeney.

Dëshmitë për krimet në Krushë të Vogël, përloten të pranishmit në Gjykatë

Dokumentari “Serb genocide against albanians” (Gjenocidi serb kundër shqiptarëve), i shfaqur në Gjykatën e Prizrenit, ka ngjallur emocione te të pranishmit në sallë.

Të pranishëm në publik ishin edhe banorë të fshatit Krushë e Vogël, disa prej të cilëve edhe kishin qenë dëshmitarë, duke përfshirë të mbijetuarin e masakrës në këtë fshat të Prizrenit, Bajram Zylfiu.

Meqenëse mbrojtësit e të akuzuarit kanë deklaruar se nuk do të kenë propozime për dëshmitarë tjerë, pas dëgjimit të dëshmitarit John Sweeney, mbetet që i akuzuari Darko Tasiq të japë mbrojtjen e tij para trupit gjykues.

Pas mbrojtjes së të akuzuarit, mbrojtësit dhe Prokuroria japin edhe fjalën përfundimtare dhe vazhdohet me shpalljen e vendimit gjyqësor.

Kallxo.com ka raportuar nga të gjitha seancat e zhvilluara në rastin Darko Tasiqit.