I dënuari Darko Tasiq - Foto: KALLXO.com

Dëshmitë për krimet në Krushë të Vogël, përloten të pranishmit në Gjykatë

Në gjykimin e Darko Tasiqit, i akuzuar për krime lufte, të kryera në Krushë të Vogël, është shfaqur një dokumentar i realizuar menjëherë pas përfundimit të luftës nga gazetari britanik John Sweeney.

Dokumentari “Serb genocide against albanians” (Gjenocidi serb kundër shqiptarëve), i shfaqur në Gjykatën e Prizrenit, ka ngjallur emocione te të pranishmit në sallë.

Të pranishëm në publik ishin edhe banorë të fshatit Krushë e Vogël, disa prej të cilëve edhe kishin qenë dëshmitarë, duke përfshirë të mbijetuarin e masakrës në këtë fshat të Prizrenit, Bajram Zylfiu.

Zylfiu kishte treguar se nga 109 burrat sa ishin të mbyllur në shtëpinë ku ishte kryer masakra, në fund vetëm 6 kishin mbetur të gjallë.

Në dokumentarin e gazetarit britanik, i cili u shikua me propozim të prokurores së Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, shfaqeshin momente kur gratë e Krushës së Vogël bashkë me fëmijët e tyre ishin kthyer në fshat dhe kishin gjetur shtëpitë e braktisura. Po ashtu, ato mësonin për lajmin e hidhur për vdekjen e familjarëve të tyre.

Këto pamje bënë që nga salla të largoheshin të përlotur disa persona, të cilët nuk u kthyen më.

Edhe të tjerë që vazhduan të qëndronin në sallë të gjykimit nuk i ndalnin lotët gjatë kohës sa shfaqej dokumentari i gazetarit britanik.

I akuzuari Darko Tasiq gjatë kohës sa shfaqej dokumentari qëndronte pa lëvizur fare, i qetë, dhe nuk reagonte fare, dhe me vëmendje përcillte dokumentarin.

Kryetari i trupit gjykues Artan Sejrani, tha se me datë 4.4.2019 nga EULEX ka kërkuar që për seancën e sotme të paraqiten policët hetues të këtij misioni, Marko Markinene dhe Franke Miele, por me datë 24 prill, EULEX e ka informuar Gjykatën se të njëjtit kanë qenë me mision në Kosovë deri në dhjetor të vitit 2018.

Ndërsa dëgjimi i dëshmisë së gazetarit britanik, John Sweeney, nuk u realizua pasi që Ministria e Drejtësisë – Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar deri në ditën e sotme kur do të mbahej gjykimi nuk i është përgjigjur Gjykatës dhe nuk ka informuar se kur mund të dëgjohet dëshmia e këtij dëshmitari përmes video-lidhjes.

Kështu që, pas shikimit të dokumentarit të gazetarit britanik trupi gjykues ndërpreu seancën.

Seanca e radhës u caktua për datën 7 qershor, kur do të lexohen dhe do të administrohen të gjitha provat materiale të propozuara nga ana e Prokurorisë Speciale për këtë rast.

Sipas rrjedhës së gjykimit, pas leximit të të gjitha provave materiale dhe nëse Prokuroria Speciale apo mbrojtësit e të akuzuarit nuk kanë propozime të tjera, atëherë i akuzuari Darko Tasiq do të japë mbrojtjen e tij.

KALLXO.com ka monitoruar dhe ka sjellë raporte të rregullta nga të gjitha seancat e këtij gjykimi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Darko Tasiq, ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999, në lagjen e njohur si lagjja “Hajdari”, në Krushë të Vogël, të Prizrenit, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryerës të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim i paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhje të pasurisë.

Sipas aktakuzës e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake, e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit si dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

Me këto veprime sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm dhe sulmit të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor.