Shala e Ahmeti ulen në bankën e të akuzuarve për projektin e parkut "Te Pishat" në Skenderaj

Hasan Shala, ish drejtor i Urbanizmit në Komunën e Skenderajt dhe Sanije Ahmeti (zyrtare në këtë drejtori), aktualisht drejtoresh e Urbanizmit, janë ulur sot ë bankën e të akuzuarve nën akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ahmeti përveç për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar akuzohet edhe për veprën penale mashtrim në detyrë.

I ftuar në cilësinë e dëshmitarit në seancë ka prezantuar eksperti i ndërtimtarisë Lulzim Dema.

Dema ka thënë se konstatimet në ekspertizë në lidhje me punën për projekti e rregullimit të “Parkut te pishat” në Skenderaj, sipas tij  e ka bërë duke u bazuar në paramasa dhe parallogaritje të cilat kanë qenë në shkresat e lëndës, pasi që projektin nuk e kishte gjetur në komunën e Skenderajt.

I pyetur nga prokurori Ismet Ujkani se ne çfarë forme i kishte bërë matjet dhe paramasat, eksperti Dema ka thënë se këtë e kishte bërë fizikisht gjatë vizitës në teren, duke shtuar se matjet në teren i ka bërë personalisht dhe se projektet janë të domosdoshme, mirëpo që edhe paramasa dhe parallogaria me përshkrimin e punëve japin detaje të mjaftueshme në lidhje me realizimin e punëve për punë kryerësit.

Pyetje për ekspertin ka pasur edhe përfaqësuesi i komunës së Skenderajt Enver Qerkini, i cili ka qenë i interesuar të dijë nëse kjo komunë është dëmtuar apo jo pas reformatimit – ndryshimit të projektit për rregullimin e “Parkut te pishat”.

Duke u përgjigjur në këtë eksperti Dema ka thënë se sipas ekspertizës në këtë rast nuk është dëmtuar komuna e Skenderajt.

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjen e avokati Gani Rexha që në këtë rast e mbron të akuzuarin Hasan Shala, lidhur me koston e punëve të kryera sipas reformatimi dhe atyre të parapara në kontratë eksperti Dema ka thënë se nuk ka pasur ndryshime.

“Në faqen shtatë të raportit janë paraqitur dy tabela të përmasës tabela një pozicionet e punëve të eliminuara, tabela dy pozicionet e punëve te zëvendësuara nga ato të eliminuara, që në total janë të barabarta dhe nuk ka ndryshime”, është përgjigjur Dema.

Prokuroria e Mitrovicës akuzon Shalën se në cilësinë e drejtorit të Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Skenderajt, si dhe Ahmetin si inxhiniere e arkitekturës në këtë Drejtori, se duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Sipas akuzës, ata këtë e kanë bërë me qëllim që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër dhe atë organizata e biznesit NNSH ”ILEAA-GR”.

Në akuzë thuhet se Sanije Ahmeti si mbikëqyrëse e punimeve të projektit për rregullimin e “Parkut te Pishat” në Skenderaj në shtator 2011 ka kërkuar nga Zyra e Prokurimit që të bëhet riformatimi- ndryshimi i pozicioneve të parapara me kontratën e datës 21 korrik 2011. Kjo ishte e nënshkruar në mes Komunës së Skenderajt dhe kompanisë NNSH” ILEAA-GR” për rregullimin e pishave të parkut në Skenderaj në vlerë prej 88,004.00 euro.

Ndërsa i akuzuari Hasan Shala, sipas aktakuzës, në tetor 2011, ka marrë vendim me anë të të cilit është aprovuar kërkesa, duke ndryshuar kështu pozicionet e punës së rrethojës të parapara me kontratë, me zëvendësimin e platosë me kubëza dhe murit mbrojtës për punime në terren edhe pse kompania NNSH ”ILEAA-GR” kishte filluar realizimin e punëve sipas kontratës.

Në aktakuzës thuhet se ndryshimi i pozicioneve në paramasë nuk lejohet dhe se implementimi është dashur të bëhet në pajtim me kushtet e përcaktuara me kontratën e nënshkruar dhe asnjë kusht i kontratës nuk duhej ndryshuar pas nënshkrimit të saj.

Me këtë Shala dhe Ahmeti akuzohen se kanë kryer veprën “keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar”.

Përveç kësaj, Sanije Ahmeti si inxhiniere e arkitekturës në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Skenderajt akuzohet edhe për veprën penale  “mashtrimi në detyrë“.

Kurse sipas akuzës ajo këtë e kishte bërë me prezantimin e rremë të raporteve të datës 12 dhjetor 2011, mbi përfundimin e punëve në rregullimin e parkut “Te Pishat” në Skenderaj duke cekur se punët janë kryer ashtu siç është paraparë me kontratë.

Akuza thotë së ajo këtë e kishte bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo kompaninë NNSH ”ILEAA-GR” në Skenderaj, duke vënë në lajthim personat e autorizuar zyrtarë në kryerjen e pagesave në shumën prej 80,190.00 euro, si dhe në shumën prej 7,814.00 euro edhe pse kompania NNSH ”ILEAA-GR” nuk i kishte përfunduar punët ashtu siç ishte paraparë me kontratë.