Arkiv

Sërish dështon seanca ndaj ish drejtorit të Administratës së Prizrenit, Ilir Baldedaj

Seanca ndaj Ilir Baldedaj, i  akuzuar nga Prokuroria se në mënyrë të kundërligjshme ka shpallur tenderë për dy projekte, por më pas ato nuk i ka funksionalizuar dështoi të mbahej sot në gjykatën Prizrenit.

Shkak i këtij dështimi ishte mungesa e përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit për të cilën Komuna ka njoftuar se është në procedurën e zgjedhjes së përfaqësuesit.

Kryetarja e trupi gjykues, Ajser Skenderi, bëri të ditur se nga ana e Komunës është njoftuar se ende nuk është zgjedhur përfaqësuesi i saj, prandaj Komuna ka kërkuar shtyrjen e seancave gjyqësore deri në përfundimin e kësaj procedure.

Të pranishëm nuk ishin as i akuzuari Ilir Baldedaj dhe mbrojtësi i tij Engjëll Rexhepi, të cilët me anë të emailit e kishin njoftuar gjykatën se meqenëse Komuna nuk ka të përcaktuar një përfaqësues të saj për të mos krijuar shpenzime të panevojshme nuk do të prezantonin në gjykim.

Në mungesë të kushteve ligjore, gjykimi i sotëm nuk i mbajt, i njëjti u shty për 28 dhjetor 2021.

Ilir Baldedaj sipas aktakuzës të datës 29 dhjetor 2020 akuzohet se duke vepruar në cilësi të drejtorit të Administratës së Komunës së Prizrenit, në kundërshtim me ligjin paraqet kërkesë për shpallje të dy tenderëve të cilët më pas nuk i ka realizuar.

Sipas prokurorisë, gjatë vitit 2016, Baldedaj duke mos respektuar procedurat ligjore, paraqet kërkesë për shpallje të tenderit për projektin “Furnizimin me Software digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”.

Edhe pse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, projekti nuk është funksionalizuar, me ç ‘rast i ka shkaktuar Komunës së Prizrenit dëm në vlerë prej rreth 28 mijë eurove.

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, i njëjti gjatë vitit 2017, si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, pa respektuar procedurat ligjore dhe pa kërkuar leje nga organet kompetente qendrore, paraqet kërkesë për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”, i cili projekt nuk është funksionalizuar, me ç ‘rast i ka shkaktuar Komunës së Prizrenit dëm në shumën 72,898.98 euro

Ndërkaq, shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar ndaj Komunës së Prizrenit kap vlerën e 100,898.98 euro, thuhet në aktakuzë.

Kjo nuk është hera e parë që ish drejtori i administratës dhe asamblisti i AAK-së Ilir Baldedaj po del para gjykatës për t’u përballur me aktakuzë.

Më 10 shtator të këtij viti, asamblisti i AAK-së është dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 500 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.

Gjykata e dënon përsëri asamblistin e AAK-së, kësaj radhe për mosdeklarim të pasurisë

Ndaj tij në të kaluarën rëndonin edhe akuza të tjera për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ilir Baldedaj ishte akuzuar se ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale dhe për këto akuzua me 25 maj 2018, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse brenda afatit prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Po ashtu, pas një hulumtimi të KALLXO.com më 22 gusht 2019, Prokuroria në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj Ilir Baldedës nën akuzat rreth moskthimit të lap topëve të Komunës, në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës.

Për këto pretendime, me 1 janar 2021, ai u dënua me burgim efektiv prej 10 muajve si dhe dënim plotësues, dhe gjykata i shqiptoi ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën ose në shërbimin publik në afat prej 3 viteve.

Dënim me burg nga Gjykata e Prizrenit për zyrtarin e AAK-së

Mirëpo, Apeli në prill të këtij viti, lëndën e ka kthyer në rigjykim ku edhe është duke u zhvilluar.

Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin e Ilir Baldedajt për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Ilir Baldedaj mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK.