Ilir Baldedaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykata e dënon përsëri asamblistin e AAK-së, kësaj radhe për mosdeklarim të pasurisë

Asamblisti i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Ilir Baldedaj është dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 500 euro gjobë.

Baldedaj u gjet fajtor për mosdeklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

I akuzuari, pas konsultimeve me mbrojtësin e tij në seancën e shqyrtimit fillestar kishte pranuar fajësinë dhe kishte deklaruar se ndihej fajtor për akuzën në fjalë.

Baldedaj nga Prokuroria u akuzua se nga 1 marsi 2020 deri më 19 qershor 2020, në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik në Prizren, nuk e ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë brenda afatit ligjor. I njëjti nuk i ishte përgjigjur kësaj kërkese edhe përkundër faktit se ishte kontaktuar disa herë përmes telefonit dhe me shkrim.

Tutje sipas aktakuzës, si zyrtar publik ai ishte i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose detyrime financiare.

Sot, me rastin e shpalljes së aktgjykimit nga ana e gjykatësit Luan Berisha, Baldedaj u dënua me 500 euro gjobë.

Këshilltari Baldedaj është i obliguar që t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 eurove dhe në emër të taksës për programin e kompensimit të viktimave shumën prej 30 eurove, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Kjo nuk është hera e parë që asambleisti i AAK-së po del para gjykatës për t’u përballur me aktakuzë.

Në të kaluarën ai ishte akuzuar se ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale ku për këto akuzua me 25 maj 2018, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse brenda afatit prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Po ashtu, pas një hulumtimi të KALLXO.com më 22 gusht 2019, Prokuroria në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj Ilir Baldedës nën akuzat rreth moskthimit të laptopëve të komunës, në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës.

Për këto pretendime, Baldedaj, me 1 janar 2021, u dënua me burgim efektiv prej 10 muajve si dhe dënim plotësues, gjykata i shqiptoi ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën ose në shërbimin publik në afat prej 3 viteve.

Mirëpo, Apeli në prill të këtij viti lëndën e ka kthyer në rigjykim.