Gjykimi për arratisjen e Sami Lushtakutnga QKUK-ja - 09.10.2019

Sami Lushtaku 'merr në pyetje' ish-komandantin e Policisë në gjykimin për arratisjen nga QKUK-ja

Në seancën ndaj 24 persona të akuzuar për rastin e arratisjes nga QKUK-ja të Sami Lushtakut në kohen kur ai po gjykohej për krime lufte ka dëshmuar të mërkurën (09.10.2019) Binak Berisha, ish-komandant

Ish-komandanti i Stacionit të Policisë – Jugu në Prishtinë, Binak Berisha  deklaroi se me datën 20.05.2014, lidhur me rastin kishin marrë informatë se në QKUK ka protestë saktësisht në interne, ku do të pengohej ministri i shëndetësisë për përurimin e një objekti.

“Kam kërkuar  nga zyrtarët policorë që të shkojnë në QKUK të cilët nga QKUK-ja më kanë njoftu se nuk bëhet fjalë për aktivistë të VV-së, por janë disa qytetarë të cilët kanë dëgjuar se do të transferohen Sami Lushtaku, Sahit Jashari dh Ismet Haxha në qendrën e paraburgimit në veri të Mitrovicës”, tha Berisha.

“Më pas kam kërkuar nga Toger Arsim Shala, që të bëjë verifikim nëse janë aty tre të akuzuarit, i cili më ka thënë se gardiani po thotë se këtu janë’’, tha dëshmitari Berisha.

“Situata ishte e qetë, mirëpo eprori im kishte marrë informatë nga media se janë arratisur nga QKUK-ja të akuzuarit dhe më është kërku nga eprori im që të dal në vend të ngjarjes, i kam marrë 3-4 policë për shkak se nuk kishim plan operativ’’, tha dëshmitari Berisha.

“Kemi pyetur stafin mjekësor se ku ndodhej dhoma në interne në të cilën supozohej se ishte i shtrirë Sami Lushtaku. Kemi parë një gardian në uniform dhe kemi pyet se a është këtu Samia, ai thotë ‘po’, ne i kemi tregu se duhet ta bëjmë verifikimin e pranisë së Sami Lushtakut’’, tha Berisha.

“Gardiani tha nuk bën të hyni, ka dalë para derës ku me trupin e tij e mbuloi tërë hyrjen. Ndërsa policët e larguan atë nga dera, unë hyra në dhomë nuk ishte Sami Lushtaku, ishin dy gra dhe pyeta ku është Samia e njëra prej tyre më tha është në kontroll te mjeku’’, deklaroi dëshmitari Berisha.

‘’Mandej kam shku te dhoma e Sahit Jasharit në ORL, as atje s`ka qenë askush’’, vazhdoi dëshmitari Berisha.

Brenda një kohe të shkurtë ka ardhë prokurori Jonathan Ratel, atëherë unë  e kam tërheq trupën komanduese nga dhoma, sepse tërë kompetenca i është kaluar prokurorit.

“Detyra jonë e vetme ka qenë vetëm të verifikojmë se a kanë qenë në dhomë të akuzuarit në dhoma apo jo’’, deklaroi dëshmitari Berisha.

Në pyetjen e avokatit Arton Çerkini se “ju vazhdimisht keni qenë në kontakt me eprorin e juaj dhe thatë se nuk keni qenë në dijeni për urdhërin e transferimit të paraburgosurve për në qendrën në veri të Mitrovicës, a keni pasur urdhërarrest të lëshuar nga gjykata?”, dëshmitari Berisha u përgjigj ‘”Jo nuk kemi pasur’’.

Ndërsa i akuzuari Sami Lushtaku e pyeti dëshmitarin: “Ku na ka marrë neve zëdhënësi yt, a na kanë marrë në QKUK, në mal apo në qytet?”.

Dëshmitari  Berisha deklaroi se “Zyrtari policor i ka gjet në dhomën e Samisë në QKUK’’.

Rrëfimi i policit për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja

Dëshmia e policit: Gardiani na pengoi të hynim në dhomën ku ishte i hospitalizuar Sami Lushtaku

Dëshmia e policit të tretë: Në dhomëm e Sami Lushtakut në QKUK i kemi parë vetëm dy gra

 

Të akuzuar në këtë rast janë edhe djali i Sami Lushtakut, Mërgim Lushtaku, Emrush Thaçi, Sahit Jashari, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Bajram Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Xhevdet Zena, Gëzim Ahmetaj, Ylber Blakaj, Argjent Behramaj, Valon Behrmaj, Bashkim Dervisholli, Mervete Hasani- Lushtaku dhe Dardan Geci.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg

Historia e gjykimit

Me datën 17.11.2016  është ngritur aktakuza nga Prokuroria Speciale.

Me datën 28 gusht të këtij viti të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohen nga prokuroria, madje I akuzuari Lushtaku aktakuzën e kishte quajtur politike.

Arratisja nga QKUK, Gjykata cakton datën e seancës ndaj Sami Lushtakut

Me datën 24 shtator, të akuzuarit dhanë fjalën hyrëse në këtë proces gjyqësor dhe është veçuar  procedura  ndaj Valon Behramaj andaj sot u bë bashkimi edhe ndaj tij.

Arratisja në QKUK: Prokurorja kërkon që Sami Lushtaku të shpallet fajtor, avokati kundërshton