Gjykimi për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja - 09.10.2019

Dëshmia e policit të 5-të në gjykimin për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja

Fatmir Abiti, zyrtar i policisë, ka dhënë dëshminë e tij në gjykimin ndaj 24 të akuzuarve në rastin e arratisjes së Sami Lushtakut nga QKUK-ja në kohën kur ai po gjykohej për krime lufte.

Dëshmitari deklaroi se me datën 23.04.2015 ka dhënë deklaratë në EULEX lidhur me datën 20.05.2014, pas orës 13:00, së bashku më Rreshter Muhamet Cakiqi dhe  Rreshteren Vjosa Zeqiri.

“Ka dalë komandanti Binak Berisha dhe ka kërkuar nga ne që ta asistojmë në QKUK, ta verifikojë informatën për arratisjen e Sami Lushtakut, Ismet Haxhës dhe Sahit Jasharit’’, tha Abiti.

“Para nesh në klinikë ishin një Toger dhe dy zyrtarë policorë, zyrtarit korrektues i është kërkuar që ta lirojë hyrjen e derës së dhomës në të cilën supozohej se ishte Sami Lushtaku. Para derës qëndronte gardiani i cili ishte në rroba zyrtare dhe mbiemrin e kishte Behramaj, emri nuk më kujtohet”, deklaroi dëshmitari Abiti.

“Shkuam në ORL te dhoma e Sahit Jasharit, aty nuk kishte asnjë gardian dhe brenda në dhomë nuk ishte askush’’, tha dëshmitari Abiti.

“Tutje kemi vazhduar te dhoma në repartin e infektivës, e kemi parë një gardian korrektues i cili ka thënë se në këtë dhomë nuk është askush’’, shtoi dëshmitari Abiti.

“Më pas ka ardhur Drejtoria Rajonale dhe e Përgjithshme e Policisë dhe është krijuar dhoma komanduese ku kanë ardhur edhe pjesëtarët e EULEX-it”, përfundoi dëshmitari Abiti.

Sami Lushtaku e quan ‘proces politik’ gjykimin e tij për arratisjen nga QKUK

Të akuzuar në këtë rast janë edhe djali i tij, Mërgim Lushtaku, Emrush Thaçi, Sahit Jashari, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Bajram Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Xhevdet Zena, Gëzim Ahmetaj, Ylber Blakaj, Argjent Behramaj, Valon Behrmaj, Bashkim Dervisholli, Mervete Hasani- Lushtaku dhe Dardan Geci.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg

Historia e gjykimit

Me datën 17.11.2016  është ngritur aktakuza nga Prokuroria Speciale.

Me datën 28 gusht të këtij viti të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohen nga prokuroria, madje I akuzuari Lushtaku aktakuzën e kishte quajtur politike.

Arratisja nga QKUK, Gjykata cakton datën e seancës ndaj Sami Lushtakut

Me datën 24 shtator, të akuzuarit dhanë fjalën hyrëse në këtë proces gjyqësor dhe është veçuar  procedura  ndaj Valon Behramaj andaj sot u bë bashkimi edhe ndaj tij.

Arratisja në QKUK: Prokurorja kërkon që Sami Lushtaku të shpallet fajtor, avokati kundërshton