Rrëfimi i policit për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja

Dëgjohet dëshmitari i parë në seancën ndaj 24 të akuzuarve për arratisjen nga QKUK-ja të Sami Lushtakut në kohen kur ai po gjykohej për krime lufte.

Në këtë seancë u dëgjua zyrtari policor Arsim Shala, në cilësinë e dëshmitarit.

“Me datën 20.05.2014, isha mbikëqyrës i njësive patrulluese në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, komandat i Stacionit ishte Binak Berisha’’, tha Arsim Shala.

‘’Është pranu një thirrje se një grup i personave janë tubuar para një reparti që nuk e di, dyshimet fillestare se ai grup ishin aktivistë nga Vetëvendosja, dhe të njëjtit janë dyshuar se mund ta pengonin inaugurimin e repartit. Unë kam dal në vendin e ngjarjes bashkë me disa zyrtarë tjerë policorë, përveç Abedin Krasniqit dhe Albert Plakiqit të tjerët nuk më kujtohen. Në momentin që kemi arritur në QKUK kemi vërejt një grup prej 40 vetëve të cilët ishin të ndarë në grupe 3-4 persona në grup’’, tha dëshmitari.

Inaugurimi që mbahej në atë repart kishte edhe figura politike dhe ne duhej të qëndronim për sigurinë e tyre.

“E di që kam biseduar me Berat Buzhalën, për të marrë informata shtesë për të kuptuar pse po qëndrojnë aty, e kam fjalën për grupin e njerëzve 40 personave, e të cili rrinin së bashku nga 3-4 persona”, tha polici Shala.

Arsim Shala – Polic

I pyetur nga prokuroja speciale Florije Shamolli se a keni qenë në dijeni se në QKUK ka qenë Sami Lushtaku, dëshmitari Arsim Shala, tha se “Këto informata na ka dhënë më vonë komandanti i stacionit Binak Berisha’’.

“Na u dha urdhëri për verifikimin e pranisë së Sami Lushtakut në QKUK, pasi shkuam në QKUK nga stafi mjekësor kemi pranuar informacionin për vendndodhjen e Samiut në QKUK, i cili ka vizita mjekësore dhe disa familjarë kanë ardhë me vizitu. Pas kësaj e kam njoftuar zingjirin komandues dhe ne jemi tërhequr nga reparti. Unë nuk kam kërkuar nga gardiani që ka qëndruar para derës së dhomës mjekësore, e cila ishte e mbyllur që ta hapë derën e asaj dhome pasi që i kam besuar”, tha Shala.

Tutje ai tregoi se nga gardiani nuk ka kërkuar me verifiku se a gjendej brenda Sami Lushtaku në atë dhomë.

“Por unë personalisht se kam parë Sami Lushtakun në QKUK”, tha ai.

Ndërsa për njoftësinë e dëshmitarit me anëtarët e Sami Lushtakut dëshmitari e shpjegoi me faktin se vet është i Drenasit dhe meqë vendet e tyre janë afër ata njihen.

“Pastaj kanë ardhur njësitë e tjera dhe komandanti i stacionit, mua më është deleguar një detyrë tjetër dhe kam vazhdu për në stacion’’, tha ai.

Prokurorja speciale Florije Shamolli, kërkoi që dëshmitari të jap dëshminë nën betim, sepse ka mospërputhje në mes deklaratave të mëparshme dhe deklaratës së sotme.

“Kur jemi kthyer për herë të dytë kemi kërkuar nga gardiani që ta hapë derën e dhomës mjekësore në të cilën supozohej se gjendej Sami Lushtaku ku kane qenë dy gra besoj familjare të tij dhe na kanë thënë se Samia i ka disa kontrolle mjekësore’’, vazhdoi tutje dëshmitari Arsim Shala.

Prokurorja e rastit e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e dhënë në Polici me datën 21.06.2016: “Unë i kam njohur Ukshin Lushtakun dhe Berat Buzhalën të cilët shprehnin revoltën se ne do ta pengojmë dërgimin e Sami Lushtakut në veri të  Mitrovicë’’.

Dëshmitari Shala tha se: “Berat Buzhalën jashtë aktiviteteve të policisë e njoh, por takimi im atë ditë me Beratin ka zgjatur rreth një minutë dhe më kujtohet se një person me emrinUkshin më është prezantuar si vëllai i Sami Lushtakut’’, tha Shala.

Avokati i Sami Lushtakut, Arton Çerkini pyeti se: “Gjatë herës së dytë kur keni shkuar në QKUK, a keni pasur urdhër të gjykatës për të hyrë në dhomën ku supozohej se ishte Sami Lushtaku?”.

Dëshmitari tha se: “Unë nuk kam pasur urdhër nga gjykata, por e kam zbatuar urdhërin e komandantit tim’’.

I pyetur se a e kishte shoqëruar dikush nga stafi mjekësor gjatë hyrjes në dhomën mjekësore dëshmitari deklaroi se: “Nga një teknik ose teknike, por s`po më kujtohet saktë”.

Në seancën e sotme fillimisht munguan Dardan Geci, dhe avokati Selatin Ahmeti, mbrojtës i të akuzuarit Fatmir Mjaku, të cilët gjykata u detyra t’i presë një orë.

Avokati i Ismet Haxhës, Mahmut Halimi kërkoi nga gjykata që avokatëve t’u ofrohen kushtet e punës, më konkretisht kërkoi tavolinë të punës për t’i vendosur shkresat e lëndës dhe të mbaj shënime.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe djali Sami Lushtakut, Mërgim Lushtaku, i cili ishte deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Emrush Thaçi, Sahit Jashari, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Bajram Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Xhevdet Zena, Gëzim Ahmetaj, Ylber Blakaj, Argjent Behramaj, Valon Behrmaj, Bashkim Dervisholli, Mervete Hasani- Lushtaku dhe Dardan Geci.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Sami Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg

Historia e gjykimit

Me datën 17.11.2016  është ngritur aktakuza nga Prokuroria Speciale.

Me datën 28 gusht të këtij viti të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohen nga prokuroria, madje i akuzuari Lushtaku aktakuzën e kishte quajtur politike.

Arratisja nga QKUK, Gjykata cakton datën e seancës ndaj Sami Lushtakut

Me datën 24 shtator, të akuzuarit dhanë fjalën hyrëse në këtë proces gjyqësor dhe është veçuar procedura ndaj Valon Behramaj, andaj sot u bë bashkimi edhe ndaj tij.

Arratisja në QKUK: Prokurorja kërkon që Sami Lushtaku të shpallet fajtor, avokati kundërshton

.