Gjykimi për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja - 09.10.2019

Dëshmia e policit: Gardiani na pengoi të hynim në dhomën ku ishte i hospitalizuar Sami Lushtaku

Dëgjohet dëshmitari i dytë  në  seancën  në të cilën 24 persona po akuzohen për rastin e arratisjes nga QKUK-ja të Sami Lushtakut në kohen kur ai po gjykohej për krime lufte.

Në këtë seancë u dëgjua zyrtari policor Abedin Krasniqi në cilësinë e dëshmitarit.

Dëshmitari Abedin Krasniqi rrëfeu se punon në policinë kufitare të Kosovës, prej nëntorit të vitit 2005, ndërsa në vitin 2014 ishte pjese e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë.

“Fillimisht detyra jonë ishte verifikimi i informatës që na u është dhënë lidhur me organizimin e një proteste në QKUK që është dyshuar se ishte nga Lëviza e Vetëvendosje qëllimi i të cilëve ishte pengimi i dërgimit të Sami Lushtakut dhe grupit në qendrën e paraburgimit në veri të Mitrovicës’’, tha dëshmitari Abedin Krasniqi.

Tutje vazhdoi se janë larguar në një distancë nga ku e kishin vëzhguar situatën.

“Ndërkohe togerit Arsim Shalës i ka ardhë urdhëri për verifikimin e tre peronave në dhomat mjekësore në repartin e kardiologjisë. E di që ka qenë i shtrirë Sami Lushtaku, ndërsa në repartin e  kirurgjisë plastike nuk e di kush ka qenë i shtrirë’’, tha para gjykatës dëshmitari Krasniqi

‘’Para dhomës mjekësore në repartin e kardiologjisë qëndronte zyrtari i shërbimit korrektues i cili në fillim nuk ishte bashkëpunues, sepse nga ana e togerit është pyet se a është brenda Sami Lushtaku. Dhe ne i kemi kërkuar nga ai të na lejojë ta verifikojmë nëse është brenda Sami Lushtaku, mirëpo i  njëjti e ka bllokuar derën duke mos na lejuar me hy’,’ deklaroi dëshmitari Abedin Krasniqi.

Sipas dëshmitarit Krasniqi “Gardiani është urdhëruar nga togeri që të lirohet dera, mirëpo ai ka refuzuar dhe ne jemi obliguar që më dhunë ta largojmë nga dera dhe togeri Arsim Shala ka hyrë brenda dhe e ka konfirmuar se brenda dhomës nuk ishte Sami Lushtaku”.

“Unë personalisht nuk e kam parë Sami Lushtakun në QKUK’’, deklaroi dëshmitari Abedin Krasniqi.

I pyetur nga avokati Arton Çerkini, mbrojtës i Sami Lushtakut, se a keni pasur urdhërarrest dhe urdhërtransfer kur keni hyrë në dhomën në të cilën supozohej se gjendej Sami Lushtaku, dëshmitari tha “Jo nuk e kam pasur’’.

Dëshmitari Abedin Krasniqi në gjykatë sqaroi se fushëveprimi dhe verifikimi i tyre ishte shtrirë vetëm në repartin e kardiologjisë dhe kirurgjisë plastike, ndërsa për turmën e mbledhur para QKUK-së tha se për asnjë moment nuk e kishin penguar Policinë në detyrat e tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe djali i Sami Lushtakut, Mërgim Lushtaku, Emrush Thaçi, Sahit Jashari, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Bajram Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Xhevdet Zena, Gëzim Ahmetaj, Ylber Blakaj, Argjent Behramaj, Valon Behrmaj, Bashkim Dervisholli, Mervete Hasani- Lushtaku dhe Dardan Geci.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg

Historia e gjykimit

Me datën   17.11.2016  është ngritur aktakuza nga Prokuroria Speciale.

Me datën 28 gusht të këtij viti të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohen nga prokuroria, madje i akuzuari Lushtaku aktakuzën e kishte quajtur politike.

Arratisja nga QKUK, Gjykata cakton datën e seancës ndaj Sami Lushtakut

Me datën 24 shtator, të akuzuarit dhanë fjalën hyrëse në këtë proces gjyqësor dhe është veçuar  procedura  ndaj Valon Behramaj andaj sot u bë bashkimi edhe ndaj tij.

Arratisja në QKUK: Prokurorja kërkon që Sami Lushtaku të shpallet fajtor, avokati kundërshton

.