Foto: KALLXO.com

Drejtori i përgjithshëm i Policisë rrëfen për ditën e arratisjes së Sami Lushtakut nga QKUK-ja

Gjykimi në rastin  e njohur “Ikja nga QKUK-ja”, ku të akuzuar janë Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Sahit Jashari dhe 20 të akuzuar të tjerë për veprën penale mundësimi i arratisjes së personit të privuar nga liria vazhdoi me dëgjimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në cilësinë e dëshmitarit.

Prokuroria në aktakuzë përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë.

Po ashtu, aty përshkruhen pretendimet se si u mundësua arratisja e Sami Lushtakut nga QKUK-ja, duke treguar makinën dhe një person i cili e barti atë nga banesa drejt një spitali.

Aktakuza përshkruan edhe mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut nga QKUK-ja drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e kësaj aktakuze është edhe i biri i Sami Lushtakut, Mërgimi.

Po ashtu, aktakuza përfshin edhe pjesëmarrjen e zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë të cilët refuzuan ta transferojnë Lushtakun, Haxhën dhe Jasharin drejt Burgut të Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg.

Në dëshminë e tij, drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, tha se më 20 maj 2014, ishte në një takim, të mbajtur nga zyrtarët e EULEX-it, për të diskutuar rreth sigurisë që duhej mbajtur në seancën ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës e Sahit Jasharit.

“Ditën kur ka ndodhur isha i ftuar në një takim, në bazën e EULEX-it në Mitrovicë, për sigurimin  e seancës që do të mbahej për rastin konkret”, tha dëshmitari.

Ai tregoi se si takimin e ndërpreu telefonata që kishte marrë nga zëvendësdrejtori I përgjithshëm Naim Rexha, i cili sipas tij tregoi se Lushtaku dhe të tjerët ishin arratisur nga QKUK-ja.

“Gjatë bisedës për aspektin e sigurisë, kam marrë telefonatë që Lushtaku dhe të tjerët janë arratisur nga QKUK. Kam informuar gjyqtarin e çështjes për informatën që mora dhe jam nisur në drejtim të Prishtinës. Gjatë rrugës kam thirrë zëvendësdrejtorin Afrim Ahmetin që të ndërmarrë veprime konkrete për verifikimin e informatës”, shtoi Qalaj.

Ndërsa lidhur me faktin se Lushtaku, Haxha dhe Jashari nuk ishin në dhomat e Spitalit, ai tregoi se ishte informuar nga kolegu Sokol Zogiani.

“Kolegun Sokol Zogiani e kam pyet për informatën që kam marrë dhe i njëjti ka konfirmuar se të akuzuarit nuk ishin në dhomat e Spitalit”, tha dëshmitari Rashit Qalaj.

Ai rrëfeu edhe për emailin që e kishte pranuar nga kolegu Sokol Zogiani.

“Ju informoj se të akuzuarit që kanë qenë duke u trajtuar në QKUK, Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari janë larguar apo arratisur në drejtim të panjohur”.

Kjo ishte përmbajtja, sipas Qalajt, e emailit të pranuar në orën 14:08 të datës 20 maj 2014 nga Sokol Zogiani.

Ai gjithashtu tregoi se si ishte kontaktuar nga prokurori Jonatan Ratel dhe çfarë kishte kërkuar nga ai.

“Prokurori Jonatan Ratel më ka thirrë në telefon dhe ka kërkuar që prej atij momenti të veprojmë vetëm në bazë të udhëzimeve të tij, sepse  që nga fillimi ka kërkuar nga ne, që të kontaktojmë me të arratisurit se të njëjtit mund të shkojnë te prokurori në çdo moment pasi ai kishte marrë kontrollin në duar”, deklaroi ai.

Po ashtu, ai tregoi se sipas udhëzimeve të prokurorit kishte biseduar edhe me të birin e Sami Lushtakut, Mërgimin, nga i cili kishte kërkuar që Samiu, Ismeti dhe Sahiti të paraqiteshin te prokurori Ratel, i cili kishte garantuar se do të trajtoheshin në mënyrën më të mirë.

“Me djalin e Sami Lushtakut, Mërgimin, kemi biseduar për situatën që është krijuar në spital, dhe kam kërkuar nga Mërgim Lushtaku që Sami Lushtaku dhe të tjerët të paraqiten te prokurori sepse prokurori ka dhënë garancion se do të trajtohen në mënyrën më të mirë të mundshme’’, deklaroi dëshmitari Rashit Qalaj.

I pyetur nga prokurorja se cila ishte kërkesa e Mërgimit në telefon, dëshmitari Qalaj tha: “Mërgimi e ka shpreh se ka pasur dyshim sa i përket  sigurisë personale dhe si ishte  e mundur që  personat që ishin komandantët e luftës së UÇK-së të dërgohen në burgun që gjendet në veriun e Mitrovicës”.

I pyetur nga prokurorja Florije Shamolli se a kishte njohuri pse gjyqtari kishte marrë vendim për transferimin  e Lushtakut, Haxhës dhe Jasharit nga Burgu i Dubravës në  Burgun e Mitrovicës, dëshmitari Reshat Qalaj tha se nuk e dinte.

Po ashtu, dëshmitari foli edhe për turmën e njerëzve që ishin para spitalit e të cilët ishin aty si shenjë revolte kundër transferimit të Lushtakut në Burgun e Mitrovicës.

“Kërkesa e njerëzve që ishin jashtë ishte shprehja e pakënaqësisë për vendimin e dërgimit të Lushtakut dhe të tjerëve në Qendrën e paraburgimit në veri të Mitrovicës”, tha dëshmitari Rashit Qalaj.

I pyetur nga i akuzuari Shemsi Hajrizi se cila ishte siguria në Qendrën e paraburgimit në veri të Mitrovicës në vitin 2014, dëshmitari Qalaj deklaroi se “siguria në Qendrën e paraburgimit në veri të Mitrovicës ka qenë mjaft problematike sepse kemi qenë në proces të integrimit të strukturave paralele serbe, prej shtatorit të 2013 deri në gjysmën  e 2014, ka qenë integrimi i ish-pjesëtarëve serbë në Policinë e Kosovës, e këto struktura kanë krijuar mjaft problem në aspektin e sigurisë, sepse kishim shumë kërcënime, sulme ndaj qytetarëve dhe situate nuk ishte e mirë’’.

E në fund kur u pyet nga avokati Arianit Koci, mbrojtës i të akuzuarit Sami Lushtaku, se sikur të ishit pyetur nga gjykatësi Silicko për transferin e të akuzuarve në Qendrën e paraburgimit në Mitrovicë, cili do të ishte mendimi juaj, dëshmitari Reshat Qalaj  deklaroi se “në takimin e  EULEX-it, pasi që nuk më erdhi radha për të folur sepse morëm informatën për arratisjen e të akuzuarve kam pasur për të dhënë një analizë për rrezikun ne veri të Mitrovicës dhe mendimi im do të ishte masa të mëdha policore për ofrimin e sigurisë edhe jashtë gjykatës, ishte vendim sfidues por nuk kemi kompetencë të komentojmë vendimin e gjykatës”.

Po ashtu, dëshmitari u sfidua nga i akuzuari Ismet Haxha, i cili e pyeti se: “Ku na ka gjetur Policia neve?”.

Ndërsa dëshmitari Reshat Qalaj u përgjigj se të arratisurit janë hasur në ambientin e QKUK-së.