Arkiv

Arratisja në QKUK: Prokurorja kërkon që Sami Lushtaku të shpallet fajtor, avokati kundërshton

Prokurorja Speciale Florije Shamolli ka kërkuar nga trupi gjykues në rastin e arratisjes nga QKUK në vitin 2014 që të akuzuarit të shpallen fajtorë.

I akuzuari kryesor në këtë rast është Sami Lushtaku, ish-kryetar i komunës së Skenderajt dhe ish-komandant i Zonës Operative të Drenicës në UÇK.

Në seancën e sotme, prokurorja e rastit Florije Shamolli, filloi leximin e provave provat që do të administrohen dhe masat e fshehta.

Ajo tha se “trupi gjykues pas dëgjimit të dëshmitarëve do të bindet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen” ndërsa kërkoi që ata të shpallën fajtorë.

Por Artan Çerkini, avokat i Sami Lushtakut, aktakuzën e Prokurorisë Speciale e konsideroi “pa cilësi”.

“Kjo aktakuzë është si pasojë e një urdhri të gabuar të gjyqtarit të EULEX-it për t’u transferuar Sami Lushtaku në burgun i cili ndodhet në veriun e  Mitrovicës edhe pse e ka ditur çfarë gjendje mbizotëron në veriun e Mitrovicës”, tha avokati Çerkini.

“Aktakuza ka kundërthënie lidhur me arratisjen e Lushtakut”, tha Çerkini.

Madje avokati refuzoi që ta cilësojë arratisje atë që prokuroria e cilëson të tillë.

“Kemi të bëjmë me veprën penale Moszbatim i urdhrit te gjykatës dhe nëse do të kishim kualifikim të drejt ligjor, kjo vepër deri tani është parashkruar”, tha avokati.

Ndërsa lidhur me masat e fshehta, ai tha se ato nuk ekzistojnë. “Këto janë vetëm vëzhgime policore”, tha avokati Çerkini.

Avokati e mohoi edhe akuzën për ndikim të klientit të tij në dëshmitarë duke thënë se “Sami Lushtaku ka qenë në paraburgim dhe nuk ka mundur të ndikoje në dëshmitarë”, përderisa lidhur me Dëshmitarin C  dhe Dëshmitarin D në rastin Drenica 1 tha se ata “fare nuk lidhen me Sami Lushtakun”.

Për seancën e sotme, gjykata u desh ta presë Sami Lushtakun dhe Mervete Lushtakun për shkak të vonesës së tyre.

Sami Lushtaku njoftoi se do të vonohet për seancën e sotme pasi që kishte menduar që seanca do të fillojë nga ora 09:30, ndonëse ishte njoftuar për orarin.

Pasi trupi gjykues hyri në sallën e gjykimit, kryetari i procesit gjykatësi Shashivar Hoti pasi konstatoi mungesën e të akuzuarit Sami Lushtaku mori vendim për mbajtjen e pauzës deri sa ai të vijë.

Në Gjykatën e Prishtinës sot do të mbahet seanca në të cilën 24 persona akuzohen për rastin e arratisjes nga QKUK-ja të Sami Lushtakut në kohën kur ai po gjykohej në akuzat për krime lufte.

Në seancën e kaluar, Sami Lushtaku ish-kryetar i Skenderajt dhe ish-komandant i UÇK-së për Zonën Operative të Drenicës, e quajti gjykimin e tij si “proces politik”.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe djali i tij, Mergim Lushtaku, i cili ishte deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Emrush Thaçi, Sahit Jashari, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Bajram Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Xhevdet Zena, Gëzim Ahmetaj, Ylber Blakaj, Argjent Behramaj, Valon Behrmaj, Bashkim Dervisholli, Mervete Hasani- Lushtaku dhe Dardan Geci.

Pasi që seancën e kaluar të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat të cilat u vihen në barrë sot të akuzuarit do të paraqesin fjalën hyrëse-fillimin e gjykimit.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg.